Ekspertët zbulojnë identitetin e një personi vetëm nga një ose dy tipare të fytyrës
Një studim i ri tregon se specialistët e identifikimit forensik mund të dallojnë me saktësi të lartë njerëzit edhe kur pjesa më e madhe e fytyrës është e mbuluar. Gjetjet mund të ndihmojnë në përmirësimin e sistemeve të inteligjencës artificiale që përdoren për njohjen e fytyrave.
Studiues nga Instituti Kombëtar i Standardeve dhe Teknologjisë në SHBA përfshinë në eksperiment 27 ekspertë forensikë që punojnë për qeverinë federale. Atyre iu paraqitën imazhe fytyrash të ngjashme dhe iu kërkua të identifikonin një person duke zbuluar, një nga një, pjesë të ndryshme të fytyrës, si sytë, hundën, gojën, veshët dhe mjekrën.
Rezultatet, të publikuara në revistën shkencore PLOS One, treguan se ekspertët arritën të identifikonin saktë personin në rreth 90 për qind të rasteve, pasi kishin zbuluar vetëm një ose dy tipare të fytyrës.
Veshët ishin ndër pjesët që specialistët zgjidhnin më shpesh dhe rezultuan veçanërisht të dobishëm për identifikim. Edhe balli, megjithëse u përzgjodh më rrallë, lidhej me një nivel të lartë saktësie. Në të kundërt, mjekra dhe qafa rezultuan më pak të vlefshme për të dalluar individët.
Studiuesit vunë re se ekspertët nuk mbështeteshin në një metodë të vetme, por përshtatnin strategjinë sipas fytyrës që kishin përpara. Kjo aftësi për të ndryshuar qasjen, duke u bazuar te tiparet më informuese, ishte një nga gjetjet kryesore të studimit.
Megjithatë, autorët theksojnë se eksperimenti nuk pasqyron plotësisht kushtet reale, ku ndriçimi i dobët, syzet e diellit apo pengesa të tjera mund ta vështirësojnë identifikimin. Sipas tyre, rezultatet mund të shërbejnë si bazë për trajnimin e mëtejshëm të specialistëve dhe për zhvillimin e sistemeve të inteligjencës artificiale për njohjen e fytyrave.