Nafta ndryshon hartë, SHBA merr kryesimin e importeve shqiptare
Shqipëria po shpenzon më shumë për importet e naftës dhe produkteve minerale, ndërsa ndryshimet në tregun ndërkombëtar kanë sjellë edhe lëvizje mes vendeve furnizuese. Nga marsi në shtator 2026, vlera e importeve u rrit me 25.3%, ndërsa sasia e blerë nga jashtë u shtua vetëm me 4.9%.
Sipas të dhënave për periudhën mars–shtator, Shqipëria importoi rreth 765 milionë kilogramë produkte, me vlerë 66.4 miliardë lekë. Një vit më parë, importet kishin arritur në 729.5 milionë kilogramë, me vlerë 53 miliardë lekë. Kjo diferencë tregon se fatura është rritur shumë më shpejt se volumi i produkteve të importuara.
Kontrasti u theksua edhe në shtator, kur sasia e importeve ra me 6.3% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa vlera u rrit me 27.4%, në rreth 11.6 miliardë lekë. Në gusht, fatura kishte arritur në rreth 12 miliardë lekë.
Paralelisht, ka ndryshuar edhe harta e furnizuesve. SHBA-ja është kthyer në një nga burimet kryesore të importeve, me rreth 11.1 miliardë lekë në periudhën korrik–shtator. Italia kryesoi në maj dhe qershor, ndërsa Spanja shënoi rritje të fortë në shtator, me importe prej rreth 2.33 miliardë lekësh.
Në anën tjetër, Arabia Saudite, e cila kishte furnizuar Shqipërinë me rreth 3 miliardë lekë në mars dhe 3.45 miliardë lekë në prill, humbi ndjeshëm peshë në muajt pasues. Në periudhën korrik–shtator, importet prej saj ishin thuajse minimale. Edhe furnizimet nga vende të tjera të Gjirit kanë shfaqur luhatje.
Zhvillimet vijnë pas përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme më 28 shkurt, të cilin Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë e ka cilësuar si ndërprerjen më të madhe të furnizimit në historinë e tregut global të naftës. Megjithatë, vlera për kilogram ndryshon edhe sipas llojit të produkteve të importuara nga secili vend, ndaj shifrat nuk pasqyrojnë vetëm ndryshimet e çmimeve.