Varfëria prek 4 në 10 shqiptarë, rritja e të ardhurave nuk zbut pabarazinë

Varfëria prek 4 në 10 shqiptarë, rritja e të ardhurave nuk zbut pabarazinë

Pothuajse katër në dhjetë shqiptarë vijojnë të jenë në rrezik varfërie ose përjashtimi social, pavarësisht përmirësimit të lehtë të treguesve gjatë vitit 2025. Sipas të dhënave të INSTAT, kjo kategori përbënte 39,4% të popullsisë, nga 40,5% në vitin pararendës.

Rreziku për varfëri, i matur vetëm mbi bazën e të ardhurave, zbriti në 19%, nga 19,2% në vitin 2024. Kufiri vjetor i varfërisë relative për një individ u rrit në 349.565 lekë, ose rreth 29.130 lekë në muaj. Kjo do të thotë se personat me të ardhura nën këtë nivel konsiderohen në rrezik varfërie sipas metodologjisë së përdorur nga INSTAT.

Edhe privimi i thelluar material dhe social shënoi rënie, nga 32,8% në 31,2%. Megjithatë, shifra tregon se një pjesë e konsiderueshme e popullsisë ka vështirësi të përballojë nevoja bazë, si ngrohja e banesës, ushqimi i përshtatshëm, shpenzimet e papritura dhe pushimet vjetore. Ndërkohë, 8,3% e personave të moshës 18-64 vjeç jetonin në familje me intensitet shumë të ulët punësimi.

Familjet me fëmijë në varësi mbeten më të ekspozuara ndaj varfërisë. Në vitin 2025, rreziku për këtë kategori ishte 24,5%, kundrejt 11% në familjet pa fëmijë në varësi. Për fëmijët deri në 17 vjeç, treguesi arriti në 26,2%, ndërsa për personat mbi 65 vjeç u rrit lehtë, në 14%.

Në të njëjtën kohë, të ardhurat mesatare mujore të disponueshme, të ekuivalentuara për frymë, u rritën me 10,5%, duke arritur në 56.487 lekë. Por rritja nuk u shoqërua me një shpërndarje më të barabartë të të ardhurave. Koeficienti Gini u rrit nga 29,83% në 30,37%, ndërsa diferenca mes 20% të popullsisë me të ardhurat më të larta dhe 20% me të ardhurat më të ulëta arriti në 4,83 herë.

Të dhënat e INSTAT tregojnë kështu një përmirësim të moderuar të disa treguesve të varfërisë, por edhe vijim të pabarazisë ekonomike. Rritja e të ardhurave mesatare nuk ka mjaftuar për të larguar një pjesë të madhe të popullsisë nga rreziku i varfërisë dhe përjashtimit social.

Prev Post

Tirana mes protestash: 89 të…

Next Post

Doganat drejt një epoke të…

post-bars

Leave a Comment