Bonusi i bebes ndryshon skemë: pagesa mujore deri në 5 vjeç
Nga 1 korriku 2027, mbështetja financiare për fëmijët pritet të kalojë nga pagesa e menjëhershme në një skemë mujore që do të shtrihet nga lindja deri në moshën 5 vjeç. Ndryshimi vjen në një kohë kur Shqipëria po përballet me rënie të lindjeve dhe një bilanc natyror negativ.
Sipas skemës së re të prezantuar, familjet do të marrin 5 mijë lekë në muaj për fëmijën e parë, 7 mijë lekë për të dytin dhe 10 mijë lekë për të tretin. Në një vit, përfitimi do të arrijë përkatësisht në 60 mijë, 84 mijë dhe 120 mijë lekë.
Skema e re ndryshon mënyrën e marrjes së bonusit aktual, i cili jepet menjëherë pas lindjes në masën 40 mijë lekë për fëmijën e parë, 80 mijë për të dytin dhe 120 mijë për të tretin.
Sipas studueses së çështjeve ekonomike Doralda Tanellari, pagesa mujore mund t’u japë familjeve një të ardhur më të parashikueshme gjatë viteve të para të rritjes së fëmijës. Megjithatë, ajo vlerëson se vetëm kjo masë mund të mos jetë e mjaftueshme për të ndikuar në vendimin e çifteve për të pasur një fëmijë tjetër, pasi në këtë zgjedhje ndikojnë edhe kostot e strehimit, çerdhet, arsimi, shërbimet shëndetësore dhe siguria e të ardhurave.
Shifrat demografike tregojnë se sfida është reale. Në gjashtë muajt e parë të vitit 2026 në Shqipëri u regjistruan 10,229 lindje, 108 më pak se në të njëjtën periudhë të vitit 2025, kur ishin 10,337.
Në të njëjtën periudhë, numri i vdekjeve arriti në 10,379, duke bërë që vendi të regjistrojë një shtesë natyrore negative prej 150 personash. Pra, për herë të parë në këtë periudhë, vdekjet tejkaluan lindjet në rang kombëtar.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se vetëm në tremujorin e dytë pati 5,083 lindje dhe 4,865 vdekje, duke dhënë një shtesë natyrore pozitive prej 218 personash. Megjithatë, bilanci negativ i tremujorit të parë bëri që gjashtëmujori të mbyllej me më shumë vdekje se lindje.
Për ekspertët, nxitja e lindjeve kërkon më shumë se një pagesë mujore. Mbështetja financiare mund të jetë një element i politikës demografike, por ndikimi i saj do të varet edhe nga mundësitë që familjet kanë për punësim, strehim dhe kujdes për fëmijët.
Në një vend ku numri i lindjeve po tkurret dhe popullsia po përballet me ndryshime të forta demografike, skema e re synon ta shtrijë mbështetjen për familjet në një periudhë më të gjatë, ndërsa efektiviteti i saj në rritjen e lindshmërisë mbetet për t’u parë.