Një copëz 1700-vjeçare e “Odisesë” del në dritë në një bibliotekë holandeze
Fragmenti i vogël, që besohet se i përkiste një kopjeje të hershme të poemës të prodhuar në Egjipt, u identifikua mes dorëshkrimeve të lashta të Universitetit të Utrechtit.
Një fragment rreth 1700-vjeçar i “Odisesë” së Homerit është zbuluar në një koleksion dorëshkrimesh të lashta në Bibliotekën e Universitetit të Utrechtit në Holandë.
Fragmenti, me përmasa vetëm 6.6 me 7.7 centimetra, u identifikua gjatë studimit të teksteve të hershme egjiptiane dhe greko-romake. Ai përmban vargje nga Kënga XII e poemës, ku rrëfehet momenti kur shokët e Odisesë vrasin dhe hanë bagëtinë e shenjtë të Heliosit, pavarësisht paralajmërimit për të mos e bërë këtë.
Pas zbulimit, fragmenti është lidhur me një kodik pergamene të shekujve III ose IV pas Krishtit, që besohet se ka origjinën në oazin Fayum të Egjiptit. Sipas studiuesve, vetëm rreth 30 fragmente të ngjashme janë identifikuar deri tani.
Historia e fragmentit është veçanërisht e pazakontë. Ai u gjet në vitin 2024, mes një koleksioni tekstesh egjiptiane dhe të krishtera të hershme që Universiteti i Utrechtit kishte blerë në mesin e shekullit XX. Nuk dihet ende se si pjesa e “Odisesë” përfundoi në këtë koleksion.
Mendohet se fragmenti mund të ketë mbijetuar për shekuj pasi ndodhej në pjesën e brendshme të një kopjeje të vogël të poemës dhe ishte mbrojtur nga fletët e tjera.
Zbulimi i ri i shtohet dëshmive për përhapjen dhe ruajtjen e veprave të Homerit në Egjiptin e lashtë. “Odisea” dhe “Iliada”, të krijuara në fundin e shekullit VIII ose fillimin e shekullit VII para Krishtit, vazhdojnë të ofrojnë materiale të rëndësishme për studimin e letërsisë dhe kulturës së botës së lashtë.