Porto Palermo drejt transformimit: Tuneli i nëndetëseve do të kthehet në muze

Porto Palermo drejt transformimit: Tuneli i nëndetëseve do të kthehet në muze

Ish-baza ushtarake pritet të marrë funksione të reja kulturore, turistike dhe edukative, ndërsa ish-kazermat do të përshtaten edhe për akomodimin e vizitorëve.

Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit ka hapur një konkurs ndërkombëtar për transformimin e ish-bazës ushtarake dhe Tunelit të Nëndetëseve në Porto Palermo, me synimin për të krijuar një kompleks publik që ndërthur kujtesën e Luftës së Ftohtë, kulturën, edukimin dhe vizitën.

Në qendër të projektit është tuneli nëntokësor, i cili do të shndërrohet në Muzeun e Luftës së Ftohtë. I ndërtuar duke nisur nga viti 1969 dhe i lidhur me historinë e flotës shqiptare të nëndetëseve, tuneli do të ruajë karakterin e tij si një prej elementeve kryesore të trashëgimisë ushtarake të Porto Palermos. Me rreth 655 metra gjatësi dhe përmasa të konsiderueshme nëntokësore, ai do të trajtohet si vetë artefakti kryesor i muzeut.

Plani nuk kufizohet vetëm te hapësira muzeale. Ish-kazermat ushtarake, një pjesë e të cilave janë sot të degraduara, parashikohet të ripërdoren për akomodim, gastronomi, aktivitete kulturore e edukative dhe shërbime për vizitorët. Ideja është që qëndrimi në Porto Palermo të lidhet me historinë dhe peizazhin e zonës, duke shmangur modelin e një destinacioni tradicional bregdetar të orientuar vetëm drejt turizmit veror.

Sipas konceptit të konkursit, kompleksi synon të krijojë arsye për vizita edhe jashtë sezonit, përmes programeve kulturore, edukative dhe kërkimore. Një tjetër objektiv është përfshirja e ekonomisë lokale përmes punësimit, gastronomisë, artizanatit, guidave dhe shërbimeve të tjera.

Ndërhyrja nuk do të shtrihet në të gjithë territorin e ish-bazës. Një pjesë e Porto Palermos do të vijojë të përdoret nga Forcat Detare Shqiptare për funksione operacionale dhe stërvitore. Edhe helipadi do të ruajë funksionin ushtarak, ndërsa mund të përdoret nga kompleksi i ri jashtë periudhave të operacioneve dhe stërvitjeve, në përputhje me kushtet e sigurisë.

Projekti zhvillohet brenda një territori të mbrojtur natyror dhe kërkon kufizim të ndërhyrjeve fizike në zonat me regjim strikt mbrojtjeje. Ndërkohë, Kalaja e Porto Palermos nuk përfshihet në projektim, por do të konsiderohet pjesë e përvojës së vizitorit dhe e lidhjes mes muzeut, gjirit dhe peizazhit.

Konkursi ndërkombëtar organizohet nga AKPT në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Ministrinë e Mbrojtjes dhe Institutin e Gjeografisë dhe Infrastrukturës Ushtarake, duke hapur rrugën për një transformim të rëndësishëm të një prej hapësirave më të veçanta të trashëgimisë ushtarake në bregdetin shqiptar.

Prev Post

Vendimi në Hagë, moment kyç…

Next Post

Ballkani Perëndimor po tkurret, të…

post-bars

Leave a Comment