Ballkani Perëndimor po tkurret, të rinjtë dhe fuqia punëtore po largohen
Rënia e lindjeve, plakja e popullsisë dhe emigracioni po krijojnë një krizë që kërcënon tregun e punës, ekonomitë dhe sistemet sociale të rajonit.
Ballkani Perëndimor po përballet me një krizë demografike që po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha. Një analizë e Institutit Hungarez të Çështjeve Ndërkombëtare e cilëson rënien e popullsisë dhe humbjen e kapitalit njerëzor si një prej rreziqeve më serioze afatgjata për rajonin.
Problemi nuk lidhet vetëm me numrin e banorëve që po pakësohet. Në shumë prej vendeve po largohen pikërisht të rinjtë, profesionistët dhe personat në moshë pune, duke dobësuar njëkohësisht tregun e punës, bazën e taksapaguesve dhe sistemet e pensioneve.
Serbia është ndër rastet më të theksuara. Vetëm gjatë vitit 2024, vendi regjistroi mbi 60 mijë lindje dhe më shumë se 98 mijë vdekje, duke humbur rreth 37 mijë banorë nga diferenca natyrore. Në dekadën 2015-2024, rënia natyrore arriti në mbi 437 mijë persona, pa përfshirë emigracionin.
Edhe Bosnjë-Hercegovina po përballet me një situatë të ngjashme. Në vitin 2024, vdekjet tejkaluan lindjet me më shumë se 10 mijë persona, ndërsa vendi ka një prej niveleve më të ulëta të fertilitetit në rajon.
Në Shqipëri, rënia e popullsisë po ndikohet njëkohësisht nga emigracioni dhe plakja. Popullsia arriti në rreth 2.36 milionë banorë në vitin 2024, ndërsa mosha mediane është rritur ndjeshëm. Largimi i vazhdueshëm i personave në moshë pune po redukton edhe bazën e fuqisë punëtore për vitet e ardhshme.
Kosova paraqet një tjetër shembull. Edhe pse vazhdon të ketë shtesë natyrore pozitive dhe popullsinë më të re në rajon, emigracioni e përmbysi këtë avantazh gjatë vitit 2024. Mbi 37 mijë persona u larguan nga vendi, ndërsa hynë vetëm rreth 9 mijë, duke bërë që popullsia rezidente të tkurrej me më shumë se 17 mijë banorë.
Në Maqedoninë e Veriut, popullsia është tkurrur me rreth 5% gjatë dekadës së fundit. Edhe këtu vdekjet kanë tejkaluar lindjet, ndërsa rreth një e pesta e popullsisë është mbi 65 vjeç.
Mali i Zi paraqet një situatë disi ndryshe, pasi popullsia është mbajtur relativisht e qëndrueshme falë emigracionit pozitiv, veçanërisht ardhjes së shtetasve nga Rusia dhe Turqia. Megjithatë, edhe ky vend po përballet me plakjen e popullsisë dhe presionet e ardhshme mbi pensionet, shëndetësinë dhe tregun e punës.
Pasojat e emigracionit nuk janë vetëm demografike. Sipas analizës, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut mund të humbin deri në 3% të PBB-së si pasojë e largimit të kapitalit njerëzor. Në rastin e Shqipërisë, humbja vjetore vlerësohet në qindra milionë euro.
Një pjesë e emigrantëve largohen për paga dhe standard më të lartë jetese, por faktorë të tjerë lidhen me korrupsionin, nepotizmin, mungesën e besimit te institucionet, pasigurinë profesionale dhe cilësinë e shërbimeve publike. Për shumë të rinj, problemi nuk është vetëm sa fitojnë, por edhe sa mundësi kanë për të ndërtuar një të ardhme në vendin e tyre.
Nëse këto tendenca vazhdojnë, rajoni rrezikon të përballet me më pak punonjës dhe taksapagues, më shumë pensionistë dhe shpenzime sociale më të larta. Ndërkohë, emigracioni i vazhdueshëm mund të dobësojë më tej ekonomitë, duke krijuar një cikël ku mungesa e mundësive nxit largimin e njerëzve dhe largimi i tyre e thellon edhe më shumë dobësinë ekonomike.
Raporti thekson se zgjidhja nuk mund të kufizohet vetëm te bonuset për lindjet. Për të frenuar krizën nevojiten vende pune të qëndrueshme, strehim më i përballueshëm, shërbime publike më cilësore, mbështetje për familjet dhe, mbi të gjitha, institucione që rikthejnë besimin e qytetarëve.