Siguria kibernetike hyn në shkolla: Lëndë me zgjedhje për klasat I, VI dhe X

Siguria kibernetike hyn në shkolla: Lëndë me zgjedhje për klasat I, VI dhe X

Nga ky vit shkollor nis edukimi për mbrojtjen në internet, ndërsa mësuesit dhe prindërit do të trajnohen si të reagojnë ndaj rasteve të abuzimit online

Siguria në internet do të nisë të mësohet në shkolla që në ciklet e para të arsimit. Duke filluar nga ky vit shkollor, nxënësit e klasave të para, të gjashta dhe të dhjeta do të kenë mundësinë të zgjedhin lëndën e sigurisë kibernetike.

Lajmi është bërë i ditur nga drejtori i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Bledar Kazia, i cili tha se programi nuk do të fokusohet te aspektet teknike, por te mënyra se si fëmijët duhet të mbrohen dhe të sillen në hapësirën digjitale.

Nxënësit do të njihen me rreziqe që lidhen me përdorimin e internetit, duke nisur nga informacionet që publikojnë dhe ndajnë online, deri te aftësia për të dalluar përmbajtjet reale nga ato të rreme.

Në fokus do të jenë edhe kërcënime si bullizmi kibernetik, vjedhja e identitetit, përmbajtjet e papërshtatshme dhe kontaktet me persona që mund të përbëjnë rrezik për fëmijët.

Trajnime për mësuesit dhe prindërit

Programi nuk do të kufizohet vetëm te nxënësit. Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike do të nisë gjithashtu trajnimin e mësuesve, në mënyrë që ata të dinë si të reagojnë kur një nxënës raporton një rast abuzimi apo problemi në internet.

Faza e trajnimit për mësuesit pritet të nisë javën e ardhshme, ndërsa më 24 shtator është parashikuar një trajnim i posaçëm për prindërit.

Trajnimi për prindërit do të jetë i hapur dhe online, ndërsa linku i regjistrimit pritet të publikohet për të gjithë të interesuarit.

Sipas Kazias, prindërit kanë një rol të rëndësishëm në edukimin e fëmijëve për përdorimin e sigurt të teknologjisë, ndaj synohet që edhe ata të marrin njohuritë e nevojshme për të identifikuar dhe trajtuar rreziqet që mund të hasin fëmijët në internet.

Ndërkohë, po shqyrtohet mundësia që siguria kibernetike të bëhet në të ardhmen një lëndë e detyrueshme në nivelet më të larta të arsimit, jo në ciklin fillor.

Prev Post

Alarm në kufi: Mbi 35…

Next Post

Kina po bëhet laboratori i…

post-bars

Leave a Comment