Alarm në kufi: Mbi 35 tonë speca nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut bllokohen për pesticide

Alarm në kufi: Mbi 35 tonë speca nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut bllokohen për pesticide

Kroacia asgjëson 14.7 tonë speca shqiptarë, ndërsa Bullgaria ndalon dy ngarkesa të tjera. Kontrollet zbuluan nivele pesticidesh mbi kërkesat e lejuara

Mbi 35 tonë speca me origjinë nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë bllokuar nga autoritetet në Kroaci dhe Bullgari pas kontrolleve që zbuluan probleme me nivelet e pesticideve.

Në Kroaci, autoritetet kanë asgjësuar 14.7 tonë speca të kuq të ardhur nga Shqipëria. Analizat laboratorike zbuluan praninë e fungicidit prokvinazid në një përqendrim prej 0.050 miligramësh për kilogram, ndërsa përdorimi i këtij pesticidi nuk lejohet për specat.

Rasti është bërë publik pasi ngarkesa iu nënshtrua kontrolleve në Kroaci. Sipas raportimeve, më 7 shtator një tjetër ngarkesë kishte kaluar përmes një tregtari në Maqedoninë e Veriut, i cili i kishte blerë specat nga një fermer shqiptar me synim rieksportimin drejt Kroacisë. Tregtari raportohet se nuk kishte qenë në dijeni të nivelit të pesticidit në produkt.

Dy ngarkesa të ndaluara në Bullgari

Probleme të ngjashme janë evidentuar edhe në Bullgari, ku gjatë një muaji janë ndaluar dy ngarkesa me gjithsej më shumë se 21 tonë speca me origjinë nga Maqedonia e Veriut.

Në rastin më të fundit, autoritetet bullgare ndaluan 9.5 tonë speca pas analizave laboratorike dhe ngarkesa pritet të asgjësohet.

Një tjetër ngarkesë, prej 11.6 tonësh, ishte bllokuar gjatë muajit gusht dhe më pas ishte kthyer në Maqedoninë e Veriut.

Të dyja rastet u zbuluan gjatë kontrolleve zyrtare të sigurisë ushqimore, ku analizat identifikuan nivele pesticidesh që nuk përmbushnin kërkesat përkatëse.

Rastet kanë rikthyer vëmendjen te kontrollet që u bëhen produkteve bujqësore shqiptare dhe të rajonit përpara se të hyjnë në tregjet europiane, veçanërisht për respektimin e niveleve të lejuara të pesticideve.

Për Shqipërinë, bllokimi i ngarkesës në Kroaci përbën një tjetër sinjal për rëndësinë e kontrolleve dhe monitorimit të produkteve bujqësore që destinacion kanë tregjet e huaja.

Prev Post

3 mijë apartamente për të…

Next Post

Siguria kibernetike hyn në shkolla:…

post-bars

Leave a Comment