Lufta ua merr fëmijëve fëmijërinë, loja po u rikthen një pjesë të saj
Organizatat humanitare po përdorin lojën, terapinë dhe hapësirat krijuese për të ndihmuar fëmijët e prekur nga luftërat dhe zhvendosjet të përballojnë traumën
Për miliona fëmijë të prekur nga konfliktet, lufta nuk sjell vetëm humbjen e shtëpisë dhe sigurisë, por edhe të rutinës, miqësive dhe mundësisë për të luajtur. Sipas UNICEF, rreth 50 milionë fëmijë ishin zhvendosur për shkak të konflikteve dhe dhunës deri në fund të vitit 2024.
Në këtë realitet, organizata të ndryshme humanitare po përdorin lojën si pjesë të mbështetjes psikologjike dhe edukimit. Përmes vizatimit, tregimeve, roleve, lojërave në grup dhe krijimit të hapësirave të sigurta, fëmijët ndihmohen të shprehin emocionet dhe të rifitojnë gradualisht vetëbesimin.
Një prej tyre është Hamza, një djalë palestinez 10-vjeçar në një kamp refugjatësh në Liban. Dikur i tërhequr dhe pa aftësi bazë në lexim e shkrim, ai nisi të përfshihej në aktivitete loje dhe terapi. Brenda pak vitesh, jo vetëm që përparoi në mësime, por u bë më i hapur dhe aktiv në klasë, duke ëndërruar të bëhej dentist.
Ekspertët theksojnë se loja u jep fëmijëve një ndjesi kontrolli dhe normaliteti në një periudhë kur jeta e tyre është e pasigurt. Ajo mund të ndihmojë edhe në përpunimin e kujtimeve traumatike, veçanërisht kur kombinohet me programe të specializuara psikologjike dhe mbrojtje të fëmijëve.
Në kampe refugjatësh në Lindjen e Mesme dhe zona të tjera të prekura nga konfliktet, po krijohen si kënde të përhershme lojërash, ashtu edhe struktura të lëvizshme që mund të përshtaten sipas nevojave të komuniteteve.
Loja nuk mund t’i mbrojë fëmijët nga lufta, por mund t’u japë diçka që konflikti ua ka marrë: një hapësirë ku të ndihen sërish fëmijë.
/positivenews