Tirana do të ketë një shesh “Nënë Tereza” nën tokë: parking, muze dhe një hapësirë e re publike

Tirana do të ketë një shesh “Nënë Tereza” nën tokë: parking, muze dhe një hapësirë e re publike

Projekti rreth 22 milionë euro parashikon që automjetet të zhvendosen poshtë sheshit, ndërsa sipërfaqja të fitojë funksion më të madh për këmbësorët. Në -4 metra do të krijohet një tjetër hapësirë publike, me muze, kapelë dhe shërbime.

Sheshi “Nënë Tereza” pritet të ndryshojë rrënjësisht pamjen dhe mënyrën se si përdoret sot.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur tenderin për një ndërhyrje me vlerë rreth 2.1 miliardë lekë, ose afërsisht 22 milionë euro, që nuk kufizohet vetëm te rikualifikimi i sipërfaqes. Pjesa më interesante e projektit ndodh pikërisht poshtë këmbëve të qytetarëve: një pjesë e konsiderueshme e funksioneve të reja do të ndërtohet nën tokë.

Sipas projektit, sheshi do të ketë një nivel të ri publik rreth 4 metra nën kuotën ekzistuese. Kjo hapësirë do të lidhet me sipërfaqen përmes rampave dhe shkallëve të mëdha dhe do të shërbejë si një pikë shpërndarjeje për vizitorët.

Nëntoka nuk do të jetë vetëm parking.

Projekti parashikon një muze arkeologjik, një kapelë kushtuar Nënë Terezës, ambiente shërbimi dhe një bar-restorant. Vetë kapela do të zërë rreth 700 metra katrorë, ndërsa për shërbimet gastronomike është parashikuar një sipërfaqe rreth 340 metra katrorë.

Parkimi nëntokësor është një tjetër element qendror. Ideja është që një pjesë e trafikut dhe automjeteve që sot ndikojnë në përdorimin e hapësirës të zhvendosen poshtë, duke i lënë sipërfaqen më të lirë për këmbësorët dhe aktivitetet publike.

Kontrata parashikohet të zbatohet për 26 muaj, ndërsa ofertat për tenderin pritet të hapen më 9 tetor.

Nëse projekti zbatohet sipas konceptit të paraqitur, “Nënë Tereza” nuk do të jetë thjesht një shesh i rikonstruktuar. Do të jetë një hapësirë me dy nivele: një sipërfaqe urbane e hapur mbi tokë dhe një qendër e re funksionale nën të.

Prev Post

Kush prodhon më shumë fruta…

Next Post

85 milionë euro për ujërat…

post-bars

Leave a Comment