Mbi 400 milionë helmime nga pesticidet çdo vit, studimi ngre alarmin për shëndetin e fermerëve

Mbi 400 milionë helmime nga pesticidet çdo vit, studimi ngre alarmin për shëndetin e fermerëve

Rreth 46% e popullsisë bujqësore në botë përballet çdo vit me helmim akut nga pesticidet, ndërsa mijëra raste përfundojnë me vdekje. Studiuesit kërkojnë kontrolle më të forta dhe monitorim më të mirë.

Më shumë se 400 milionë njerëz në mbarë botën mund të pësojnë çdo vit helmim akut të paqëllimshëm nga pesticidet, ndërsa rreth 11 mijë raste rezultojnë fatale. Shifrat vijnë nga një studim i ri i publikuar në revistën Frontiers in Public Health, i cili ngre shqetësimin për pasojat e përdorimit të pesticideve, veçanërisht te fermerët dhe punëtorët e bujqësisë.

Sipas hulumtimit, numri vjetor i rasteve të helmimit akut llogaritet mes 402 dhe 433 milionë, që do të thotë se rreth 46 për qind e popullsisë globale të angazhuar në bujqësi mund të preket. Studiuesit e bazuan vlerësimin në një popullsi bujqësore dhe profesionale prej rreth 934 milionë personash.

Azia Jugore kryeson, me numrin më të lartë të rasteve jo-fatale të vlerësuara, e ndjekur nga Azia Juglindore dhe Afrika Lindore.

Studimi përditëson një analizë të mëparshme dhe shqyrton të dhëna nga literatura shkencore e publikuar gjatë periudhës 2006–2023, të kombinuara me të dhënat e vdekshmërisë së Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Në total, analiza përfshiu 139 vende.

Të dhënat e drejtpërdrejta nga publikimet shkencore dokumentuan rreth 369.600 raste helmimi në vit, mes tyre më shumë se 9.100 vdekje. Studiuesit më pas i përdorën këto të dhëna për të përllogaritur shtrirjen globale të problemit.

Përdorimi i pesticideve është rritur ndjeshëm

Pavarësisht përpjekjeve ndërkombëtare për të reduktuar rreziqet, përdorimi i pesticideve në botë ka vijuar të rritet. Sipas studimit, konsumi global shkoi nga rreth 1.8 milionë tonë në vitin 1990 në 3.8 milionë tonë në vitin 2023.

Rritja ka qenë veçanërisht e madhe në disa rajone. Në Amerikë përdorimi u rrit me rreth 210 për qind, ndërsa në Afrikë me 185 për qind. Në Evropë, në të kundërt, konsumi ra me rreth 5 për qind gjatë së njëjtës periudhë.

Studiuesit paralajmërojnë se problemi mund të jetë edhe më i madh nga sa tregojnë statistikat zyrtare. Shumë persona që përjetojnë simptoma pas ekspozimit ndaj pesticideve nuk kërkojnë ndihmë mjekësore, qoftë për shkak të kostove, mungesës së shërbimeve shëndetësore, frikës për të humbur punën apo sistemeve të dobëta të raportimit.

Sipas autorëve, vëmendja ndërkombëtare është përqendruar kryesisht te rastet fatale dhe vetë-helmimet e qëllimshme, ndërsa helmimet aksidentale dhe jo-fatale te punëtorët e bujqësisë kanë mbetur në hije.

Megjithatë, studiuesit pranojnë se shifrat duhet të interpretohen me kujdes. Dallimet në mënyrën se si përcaktohet helmimi, mungesa e të dhënave kombëtare, mostrat e vogla dhe fakti që disa vende përfaqësohen vetëm nga një studim mund të ndikojnë në rezultatet. Në disa raste, përdorimi i të dhënave nga zona me rrezik të lartë mund të çojë edhe në mbivlerësim të numrit real të rasteve.

Për të përballuar problemin, autorët kërkojnë sisteme më të forta kombëtare të monitorimit, raportim të standardizuar dhe masa më të rrepta për kontrollin e pesticideve. Ata rekomandojnë gjithashtu heqjen graduale të pesticideve shumë të rrezikshme në rastet kur rreziqet e tyre nuk mund të kontrollohen në mënyrë të përshtatshme.

Sipas studiuesve, masa të tilla mund të ndihmojnë në uljen e ndjeshme të barrës globale të helmimeve nga pesticidet.

Prev Post

Izolimi social në fëmijëri, sinjal…

Next Post

Mlladiq varroset me nderime ushtarake…

post-bars

Leave a Comment