Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar vijon sot me dhjetëra filma dhe aktivitete
Dita e pestë e edicionit të 14-të sjell filma artistikë, dokumentarë e produksione të shkurtra, ndërsa festivali do të vijojë në Tiranë deri më 12 shtator
Edicioni i 14-të i Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar vijon sot, më 7 shtator, me një program të pasur që përfshin filma artistikë, dokumentarë, produksione të shkurtra dhe aktivitete për industrinë e kinematografisë. Programi nis në orën 10:00 me “Streha Mes Reve” të Robert Budinës në Universitetin e Arteve, ndërsa në “Black Box” shfaqet “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” i Gentian Koçit dhe në kinema “Agimi” programi “Filma të Shkurtër I”. Gjatë ditës do të shfaqen edhe “Holy Boom”, premiera “Film i Shtetit” e Roland Sejkos, “Dita zë fill”, “Seks, Përralla dhe Celular”, “Luna Park” dhe “Krom”, krahas disa programeve me filma dokumentarë.
Në orën 19:30, në “Film Zone”, Tirana Moon, zhvillohet aktiviteti kushtuar shoqatave të kinematografisë dhe protagonistëve të industrisë së filmit. Dita mbyllet në orën 21:00 me shfaqje paralele, mes tyre “Love” i Dionis Papadhimitrit, “Amanet” i Namik Ajazit, jashtë konkurrimit, si dhe dokumentari “Përtej tolerancës” i Fabian Katit. I rikthyer pas shumë vitesh, festivali do të vijojë deri më 12 shtator dhe në konkurrim janë përfshirë produksione shqiptare të viteve të fundit, të cilat do të garojnë për disa çmime. Festivali e ka nisur rrugëtimin në vitin 1976 dhe, pas ndërprerjeve në periudha të ndryshme, këtë vit rikthehet me mbështetjen e institucioneve shqiptare të kulturës dhe Bashkisë së Tiranës.