LOADING...

 Sot mësuesit festojnë ‘7 Marsin’/ Zanafilla e kësaj dite

Sot mësuesit festojnë ‘7 Marsin’/ Zanafilla e kësaj dite

Ditën e sotme mësuesit në gjithë Shqipërinë festojnë ‘7 Marsin’.

Data 7 mars është kthyer në një festë zyrtare për mësuesit, e cila festohet me aktivitete të shumta në shenjë falenderimi për dijet që arsimtarët përcjellin te brezi i ri.

Kjo festë e ka zanafillën te hapja e Mësonjëtores së Parë Shqipe, e cila u hap si sot 137 vite më parë në qytetin e Korçës. Kjo ishte një ngjarje me rëndësi të madhe në përpjekjet e popullit shqiptar për të krijuar shkollën e vet kombëtare. Mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për gati 20 vjet. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami, etj. Kontributi i madh që këta atdhetarë dhe veprimtarë të shquar dhanë për kombin, dëshmohet nga dëshira e zjarrtë që ata kishin për të përhapur dijen në popull.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka pritur në selinë e Presidencës së Shqipërisë mësues në pension.

Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se Presidenti Begaj u shprehu atyre vlerësimin dhe falënderimin në emër të shoqërisë shqiptare “për rolin që ata kanë luajtur në edukimin e brezave me dashuri për gjuhën, arsimin dhe atdheun”.

“Ju, me përkushtimin, pasionin dhe dashurinë tuaj ndaj mësimdhënies, keni ndezur shkëndijat e kureshtjes dhe njohurisë në zemrat e shumë brezave. Historitë tuaja, përvojat dhe mësimet që keni ndarë, janë trashëgimi e çmuar që vijon të frymëzojë breza të tërë”, ka theksuar Begaj, duke iu drejtuar mësuesve në pension.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ka uruar mësuesit me rastin e 7 Marsit, me anë të një mesazhi, publikuar nga zyra e shtypit e Kuvendit të Shqipërisë.

“Me rastin e 7 Marsit, Festës së Mësuesit, mirënjohjet dhe urimet e mia të përzemërta për koleget dhe kolegët mësuese e mësues, për dashurinë, dijet dhe vlerat që u japin vajzave dhe djemve të Shqipërisë. Talenti, përkushtimi dhe sakrifica e tyre janë investimi më i mirë për të ardhmen. Sepse progresi i arsimit është kusht dhe faktori kryesor i progresit të vendit”, shprehet kryetarja Nikolla në mesazhin e saj.

Kryeministri Edi Rama ka uruar 7 Marsin me një video të publikuar në rrjetet sociale, me “Himnin e Mësuesit”, kënduar nga nxënësit e shkollave të Tiranës dhe kori i Liceut Artistik në Tiranë, ku ndër të tjera shkruan “me mirënjohjen më të thellë dhe respekt për mësuesit e çdo krahine të Shqipërisë, të trojeve ku flitet shqip dhe diasporë”.

Me rastin e 7 Marsit në vend janë organizuar aktivitete dhe vizita nëpër shkolla të drejtuesve të institucioneve të ndryshme.

Prev Post

Muzeu Kombëtar mbyllet deri në…

Next Post

Suedia bëhet zyrtarisht anëtare e…

post-bars

Leave a Comment