Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Historia e ish-kreut të Komunitetit Mysliman/ ‘Si e ‘ndihmoi’ Hafiz Sabri Koçi në Spaç, komandantin e burgut, pas demaskimit që ai bëri të dënuarit nga Shkodra’

Historia e ish-kreut të Komunitetit Mysliman/ ‘Si e ‘ndihmoi’ Hafiz Sabri Koçi në Spaç, komandantin e burgut, pas demaskimit që ai bëri të dënuarit nga Shkodra’

 

Në daç ta quaje burg, e në daç ta quaje kamp, Spaçi për të dënuarit, s`ishte tjetër, veçse vetë Ferri. Ta kërkoje me qiri, vend më të përshatshëm për ta vuajtur deri në palcë ndëshkimin nga ai sistem, nuk kishe se ku të gjeje. Këtë, si për të kënaqur synimet e komunistëve, e kishte favorizuar edhe natyra, duke fshehur rezerva të mëdha minerali.

Aty qenë rrasur e plasur si të burgosurit politikë, ashtu dhe ata ordinerët. Mes tyre, i dënuar me shumë vite burg, ishte dhe Hafëz Sabri Koçi nga Orenja e Librazhdit, por që kishte banuar së fundi në Shkodër. Një klerik i ulët musliman kishte qenë ai, por shumë i përkushtuar dhe i ndershëm, ndaj e kishin dënuar aq rëndë. Kishin frikë nga influenca e tij, mes besimtarëve dhe as që donin t`ia dinin se ai, do e shkonte jetën si mos më keq.

Nga familja, rrallë i vinin për njëmijë e një arsye, se dhe të varfër ishin, ndaj shokët e përkrahnin sa dhe si mundnin atë. Kishte mësuar këtu në Spaç, zanatin e hidraulikut dhe “Sabri këtu, Sabri atje” e urdhëronte kush të mundej. Këta klerikët janë të çuditshëm; sido që ta kenë hallin dhe sado që të jenë në kushte të vështira, përsëri nuk heqin kollaj dorë nga ritet fetare. Kështu edhe Hafizi i rrëgjuar nga mundimi e të pangrënët.

Por ja që ka ca tipa, akoma më të çuditshëm që edhe në burg, kërkojnë t`i bëjnë tjetrit gropën. Spiunojnë në komandë me shpresën se, duke groposur dikë, do kenë besimin e komandës dhe do mund të fitojnë ndonjë favor, a privilegj të vogël. I mbushet mendja një hajduti dhe shkruan një letër për komandantin e burgut, ku i thotë se; Hafiz Sabri Koçi, nuk ka nxënë mend dhe vazhdon të predikojë e të falet edhe këtu.

E merr letrën komandanti i ri i kampit të Spaçit, të cilit i dhimbsej disi hoxha – hidraulik, që i kishte treguar një herë sesi e kishin arrestuar dhe trajtuar atje, në birucat e Degës së Punëve të Brendshme, ku duke kaluar nëpër ato korridore të

zymta, kishte parë diçka jeshile dhe nga uria e tmerrshme, qe ulur dhe e kishte marrë. Qe gëzuar që ajo kishte qenë një copë buke e mykur, e kishte fshirë shtresën e sipërme dhe e kishte ngrënë me shumë kënaqësi.

Edhe këtu ai më shumë rrinte pa ngrënë, pasi mishin e derrit nuk e fuste në gojë. Po aty vetëm derra rrisnin. Prandaj, komandanti i ri vendosi që të shkonte drejt e dhomën e edukimit, ku mblodhi Këshillin e Riedukimit, i cili përbëhej nga të burgosur të shkolluar dhe me sjellje të mira. Ishte aty Ali Çeno, Halit Maçi, etj. I dërgoi një ushtar edhe Hajdarit nga Shkodra, i cili nuk po kuptonte përse e kishin thirrur. I pranishëm ishte dhe vetë Hafëzi.

– Hajdar! e mori fjalën komandanti. Ti më ke dërguar një letër mua, por unë dhashë e mora dhe nuk e lexoja dot se nuk e kuptoja shkrimin. Ku dreqin e ke bërë filloren ti? Tani merre letrën dhe lexoje të shohim shqetësimet që ke. E humbi fillin Hajdari dhe u skuq në fytyrë.

– Fol! A e ke shkruar ti këtë letër? Ashtu si nëpër dhëmbë Hajdari u përgjigj “Po”, por nuk mori përsipër t’a lexonte.

– Mirë – vazhdoi komandanti. – Do ta lexojë dikush nga ju.

Dhe ia zgjati një inxhinieri që ndodhej aty për agjitacion e propagandë, kurse në të vërtetë, ngaqë e kishte gruan të huaj. Ky, pasi u kollit si për të rregulluar zërin dhe tha se; “Nuk e paska dhe aq të keq shkrimin Hajdari”, filloi ta lexonte atë letër që e rëndonte Hafëzin.

Të gjithë heshtën dhe shihnin se ç’qëndrim do mbante Hajdari, ndërkohë që pohuan të kundërtën për Hafëzin, duke thënë se ai nuk bënte gjë, por shihte punën e tij. Hajdari nga ana e vet, s`u ndie fare. Vetëm kur e pyeti komandanti se “Ç’ke për të thënë?” u përgjigj: – Po u dërgova më informacione unë, mos më thënçin…!

Por informacione nuk dërguan më as të tjerët. Ata që nuk rrinin pa bërë ndonjë spiunllëk të vogël. Se kishin frikë se mos lexoheshin para shokëve dhe nofka spiun aty, ishte barrë e rëndë për ta mbajtur në kurriz. Ndodhte që për nevoja të punës, disa të burgosur të shoqëruar me masa të rrepta sigurie, dilnin nga rrethimi i burgut dhe punonin diku tjetër. Kur distanca qe e largët, i hipnin në një kamion dhe nën vëzhgim të rreptë i çonin te vendi i caktuar dhe si mbaronin punë i kthenin përsëri.

Një herë, me ata që punoni diku larg, ishte dhe Hafëzi. Me të mbërritur atje, morën lopatat dhe filluan nga puna. Si kaluan disa orë dhe vajti koha e drekës, oficeri që i shoqëronte, urdhëroi të mblidheshin të burgosurit dhe të hipnin me gjithë

vegla në kamion. I bindur se të gjithë qenë aty, ai i tha shoferit të nisej. Mirëpo, kishte ndodhur ajo që s’pritej. Kishte mbetur atje, Hafëz Sabri Koçi.

Fillimisht, mungesën e tij askush nuk e vuri re. Ca të lodhur nga puna e ca të pamësuar me praninë e tij në punët që kryheshin jashtë telave, atë nuk e kuptuan as shokët e tij. Kur Hafëzi vjen te vendi ku priste makina, habitet që nuk sheh askënd aty. S’po u zinte besë syve. Kujtoi një paragraf të Kur`annit dhe u bind akoma më shumë se Zoti nuk e kishte harruar.

Për t’u siguruar thirri dikë nga shokët në emër, por përgjigje nuk mori.

Si mbetej tjetër, veçse të besonte se ata e kishin harruar. Aty për aty, mendoi të merrte malet. Të ikte nga të mundej dhe sa më tutje. Derisa të kalonte kufirin se helbete kishte edhe shumë vite për të bërë. Nga i erdhi ky fat, mendoi. Pa andej, pa këndej dhe syri veç rripa të thikta dhe të frikshme i zuri. Vetja sepse iu duk fare i vogël për t’i kaptuar. Po çfarë do mendonin për njeriun e perëndisë, atë që predikonte ligj e bindje.

I erdhi ndër mend Sokrati i lashtësisë. Edhe ai kishte refuzuar të ikte nga burgu edhe pse e kishin mbyllur atje kot dhe e kishin dënuar me vdekje. Dhe kështu ishte bërë i pavdekshëm dhe kujtohej si filozof edhe sot e kësaj dite. Pastaj do t’i bëj keq, shumë keq, atij oficerit që më harroi, mendoi. Vendin e tij në burg, do e zinte ai. Do e zinte për t’u thënë të tjerëve, se kështu do e pësojë kushdo që humbet vigjilencën.

Por edhe shokët do kishin pasoja. Jo pse nuk i treguat oficerit dhe rojave, jo po me kë ishte lidhur Hafëzi…! Por dhe masat shtrënguese ndaj tyre, do shtoheshin. Shkarazi, i erdhi ndër mend edhe Komandanti i burgut, që kish vepruar me aq takt me atë që dërgonte letra, gjë që nuk para ngjiste shpesh. Ndaj si e peshoi mirë situatën, vendosi të nisej pa humbur kohë dhe të paraqitej në kamp – burgun e Spaçit, atje ku ai prej vitesh kishte “shtëpinë”.

Eci dhe eci, sa djersët e mbytën dhe fryma po i merrej. Edhe uria po e mundonte. Pas gjashtë orësh rrugë e pa rrugë, dhe i çjerrë për gazep nga ferrat e shumta, u duk zymtësia e atij vendi të llahtarshëm, që s’kishte rëndësi në e quaje kamp apo burg. Në fillim dalloi tymin e bardhë. Kështu ka qenë edhe tymi i krematorëve, tha me vete. Po ziehet nëpër kazanë mishi i derrit. Dhe i erdhi për të vjellë. Mos e kam gabim që shkoj me këmbët e mia tek ata xhahilë? Jo, jo, Zoti do të ma dijë këtë që po bëj.

Ata që urdhërojnë këto llahtarë, do mallkohen prej tij.

U paraqit te dera prej hekuri e lyer me bojë jeshile dhe ushtari që rrinte atje me pushkë në dorë, i çuditur, i thirri me zë të lartë e të prerë, oficerit të rojës. Ky erdhi menjëherë dhe pyeti: – Sabri, po ti këtu? Nga dole? – Lëre, lëre, ç’më gjeti. – nisi hoxha justifikimin që e kishte menduar me kohë.

– Më kishte zënë gjumi atje ku na shpunë për të punuar dhe e pësova; kam gjashtë orë që udhëtoj i vetëm, në vende të panjohura. Po shyqyr… – desh të thosh: Allahut, por e mbajti gojën. E futën brenda dhe e çuan te komandanti i kampit. Ky, pasi dëgjoi ato që i tha dhe kuptoi se ai nuk donte të ngatërronte njeri, e pa butë drejt e në sy, si për t’i dhënë të kuptonte se i ishte mirënjohës dhe ia kishte larë atë qëndrimin, ndaj atij hajdutit./Memorie.al

Prev Post

Betimet, pse ishin të detyrueshme për burrat shqiptarë?

Next Post

Eksperti Bonnet: Inteligjenca Artificiale do të rrisë standardin e sportit

post-bars

Leave a Comment