22 nëntori, dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Me 22 nëntor 1908 i përfundoi punimet Kongresi i Manastirit, duke miratuar alfabetin latin të gjuhës shqipe, të propozuar nga Shoqëria “Bashkimi”. Ky Kongres, përbën njëra nga ngjarjet më madhore të historisë së kulturës shqiptare.
Nga data 14 deri mё 22 nёntor 1908, në Manastir, mbahet takimi, që hyri në histori me emrin Kongresi i Alfabetit. Mblidheshin dijetarët shqiptarë, për të përcaktuar alfabetin e gjuhës shqipe. Ishte kurorëzim fatlum i një morie përpjekjesh shumëvjeçare për të hartuar alfabetin e përbashkët, duke u nisur nga alfabetet e pushtuesve të ndryshëm, që shkelën trojet shqiptare, ai latin, grek, turko-arab dhe alfabete të veçanta origjinale. Deri tek arritja e parë e madhe: Alfabeti i Stambollit, me të cilin u shkruan dhe u shtypën veprat e para të Rilindjes Kombëtare.
Kongresi i Monastirit e filloi punën më 12 nëntor 1908 dhe vijoi deri më 22 nëntor të të njëjtit vit, nën kryesinë e Midat Frasherit, me nënkryetar Gjerasim Qiriasin e me sekretar Luigj Gurakuqin. U organizua nga shoqëria Bashkimi dhe u propagandua nga Mid’hat bej Frashëri në revistën e tij Lirija:”… ardhi një ditë e pëlqyerë për istorinë tonë, që të nisim liruar’ e papengim të punojmë për mbrodhësin’ e lumtërin’ e kombit tonë, jo me barut edhe me armë, po me kartë e pëndë, andaj kjo çështje e Abecesë lipsetë të jetë fillim, që pa atë nuku do mundim të harijmë qëllimetë tona të lartëra për mbrodhësi të gjuhësë”. Kështu shkruante Mid’hat bej Frashëri, që e drejtoi këtë mbledhje, ku morën pjesë delegatë të të gjitha besimeve nga mbarë Shqipëria dhe kolonitë shqiptare jashtë.
Ndër pjesëmarrësit e shquar qenë Atë Gjergj Fishta, imzot Prengë Doçin, dom Ndre Mjeda, Mati Logoreci, Luigj Gurakuqi dhe Hilë Mosi nga Shkodra; Shahin bej Kolonja e Petro Nini Luarasi nga Kolonja; Thoma Abrami nga Korça; Sotir Peci nga Bostoni, dhe Bajo Topulli e familja Qiriazi nga Manastiri. Kongresi zgjodhi një komision prej njëmbëdhjetë anëtaresh nën kryesinë e Atë Gjergj Fishtës për të studiuar problemin e alfabetit e për të dalë me propozime.
U arrit menjëherë në mendimin e përbashkët që alfabeti t’i shërbente kryesisht forcimit të unitetit kombëtar. Nismëtar i kësaj fryme qe Atë Gjergj Fishta i cili shpjegoi se sido që i dërguar prej shoqërisë Bashkimi, s’ ishte aty thjeshtë për të mbrojtur abece-në, por për të gjetur një rrugë që çonte në bashkimin e përgjithshëm.
Tre alfabetet kryesorë që u morën në shqyrtim qenë: alfabeti i shoqërisë letrare Agimi të Shkodrës i propozuar nga dom Ndre Mjeda; alfabeti i shoqërisë letrare Bashkimi të Shkodrës, i hartuar nga Imzot Prenkë Doçi dhe alfabeti i Stambollit, i hartuar nga Sami bej Frashëri. Toskët ishin më fort për alfabetin tradicional të Stambollit, kurse gegët zakonisht pëlqenin alfabetin e Bashkimit, i cili ishte më praktik për botimet, sepse nuk kishte shkronja jolatine.
U shqyrtuan gjithashtu edhe dy alfabete të tjerë, alfabeti grek i përdorur nga Kostandin Kristoforidhi, dhe alfabeti arab, të cilin shumë myslimanë të devotshëm, sidomos në Maqedoni e Kosovë, vazhduan ta shohin si të vetmen zgjidhje edhe për shumë kohë pas Kongresit. Komisioni vendosi të pranojë variantet e modifikuara të alfabeteve të Bashkimit e të Stambollit.
Të dy mund të përdoreshin në shkolla e në botime. Pranimi nga të gjithë i vendimit të komisionit do të donte ende shumë kohë, por, me vendimin për të mbështetur një zgjidhje kompromisi, kongresi shtroi rrugën për kalimin shkallë-shkallë nga alfabeti i respektuar i Stambollit, te alfabeti i tanishëm i shqipes i bazuar në shkronja latine, duke mënjanuar kështu polemika e kundërshtime e duke hedhur bazat për formimin e gjuhës letrare shqipe.