LOADING...

Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Më 28 Nëntor, Kosova e Shqipëria me Kuvend të përbashkët

Më 28 Nëntor, Kosova e Shqipëria me Kuvend të përbashkët

Ashtu siç ishte paralajmëruar nga Edi Rama, në mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive, ashtu edhe pritet të ndodhë. Kosova dhe Shqipëria do të mbajnë mbledhje të përbashkët kuvendare në kuadër të 110-vjetorit të Pavarësisë.

Me rastin e 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, do të mbledhin kuvendet e përbashkëta Kosovë-Shqipëri.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka treguar se kjo mbledhje do të mbahet për nder të shënimit të 28 nëntorit.

“Po, për nder dhe në shënim të 28 Nëntorit do të mbahet mbledhja e përbashkët e kuvendeve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë”.

Në qershor të këtij viti, në mbledhjen e dy qeverive, kryeministri shqiptar Edi Rama, propozoi që 28 nëntori t’i bëjë bashkë dy shtetet njëkombëshe, Kosovën dhe Shqipërinë, me një kuvend të përbashkët.

“Unë do t’ju propozoja që, duke qenë se jemi në 110-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe të ngritjes së flamurin të pavarur të Shqipërisë, ne të kishim në nëntor, të parin Kuvend të përbashkët, me të dyja Parlamentet e mbledhura në një dhomë”, u shpreh Rama.

Rama kishe deklaruar se bashkërisht me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, do të duhej t’i bindnin dy kryesitë e Kuvendeve, Kosovë e Shqipëri, për të arritur diçka të tillë.

Ditë më parë edhe kryetarja e legjislativit shqiptar, Lindita Nikolla, ka treguar se Kosova dhe Shqipëria do të mbajnë mbledhje të përbashkët kuvendare.

“Po punojmë për organizimin e mbledhjes së përbashkët të dy Kuvendeve në muajin nëntor në kuadër të 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë”.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë arritur pajtueshmëri për 19 pika në sektorë të ndryshëm,  gjatë muajit qershor, në kuadër të mbledhjeve të përbashkëta tradicionale që mbahen ndërmjet dy shteteve.

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë që nga viti 2014 mbajnë mbledhjet e përbashkëta ku premtohet në vazhdimësi për bashkëpunim të ndërsjellë dhe nënshkruhen marrëveshje në fusha të ndryshme.

Këto marrëveshje kanë për qëllim një qeverisje të përbashkët strategjike, në veçanti eliminimin e barrierave tregtare mes dy shteteve.

 

 

/Monitor

Prev Post

Stacioni i radhës në Formula 1, Emiratet e Bashkuara Arabe

Next Post

INSTAT: Bien aksidentet rrugore në tetor; të rinjtë janë më të pakujdesshmit

post-bars

Leave a Comment