LOADING...

Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Restaurimi i Muzeut Etnografik të Krujës, përmirësohet muzealizimi i pikturave murale

Restaurimi i Muzeut Etnografik të Krujës, përmirësohet muzealizimi i pikturave murale

Muzeu Etnografik i Krujës është një tjetër destinacion i trashëgimisë sonë kulturore që po restaurohet dhe muzealizohet, për t’u kthyer shumë shpejt në një qendër të vizitueshme nga turistët.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga puna për restaurimin e këtij muzeu, i cili pritet të përfundojë së shpejti.

Rama tha se “një punë e jashtëzakonshme po bëhet për rilindjen e Muzeut Etnografik Krujë, i cili po i nënshtrohet ndërhyrjeve restauruese, procesit të muzealizimit dhe konservimit të pikturave murale dekoruar me elementë të drurit”.

Specialistët dhe studentët po punojnë së bashku për të pastruar dhe konsoliduar artefakte që do të shfaqen më vonë në muzeun e restauruar.

Muzeu është një nga disa objekte të trashëgimisë kulturore që po restaurohen në kuadër të projektit EU4Culture, financuar nga BE dhe zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Kulturës.

Muzeu Etnografik i Krujës ndodhet brenda kalasë së Krujës. Ky muzeum është ngritur në shtëpinë e familjes së Toptanëve, e cila është një ndërtesë e tipit “çardak” e vitit 1764.

Banesa është Monument Kulture i Kategorisë I. Në mjediset e brendshme, si edhe objektet e paraqitura në mjediset e jashtme, jepet një pamje e plotë i zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe i mënyrës së jetesës duke filluar që 300 vjet përpara.

Plot 90% e objekteve të këtij muzeu janë origjinale dhe 100 % janë funksionale. Në të gjejmë objekte prej qeramike, druri, guri, hekuri, pambuku, mëndafshi, leshi, qëndisma të ndryshme të ekspozuara me finesë. Mosha e këtyre objekteve varion nga 60-70, deri në 500-vjeçare. Muzeu Kombëtar Etnografik i Krujës u përurua më 20 nëntor 1989. /atsh /KultPlus.com

 

Prev Post

Shifrat e Eurostat, Shqipëria po plaket shumë më shpejt se Europa

Next Post

Hapet shkolla shqipe në Bex, të Kantonit Waadt, në Zvicër

post-bars

Leave a Comment