Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti u pritën nga presidenti francez Macron

Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti u pritën nga presidenti francez Macron

Osmani ka thënë se presidenti Macron potencoi përkrahjen e tij për paqe, siguri dhe stabilitet në Kosovë dhe rajon

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bashkë me kryeministrin Albin Kurti janë pritur në Pallatin Élysée në Paris nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, për të diskutuar partneritetin në mes të dy shteteve, dinamizimin e dialogut me Serbinë, si dhe zhvillimet e fundit në Kosovë.

Siç njofton presidentja Osmani në rrjetet sociale, në këtë takim me presidentin Macron bashkë me kryeministrin Kurti kanë shprehur përkushtimin e plotë të institucioneve të Kosovës për procesin e dialogut, të bazuar në ruajtjen e sovranitetit, rendit kushtetues, integritetit territorial dhe funksionalitetit të Kosovës “të cilat janë të paprekshme”.

“Diskutuam edhe veprimet destabilizuese të Serbisë, përmes fuqizimit të strukturave ilegale të saj në Kosovë, frikësimit të qytetarëve serbë dhe nxitjes së grupeve kriminale për ta cenuar rendin dhe ligjin në veri. Kosova mbetet e angazhuar, në koordinim me partnerët ndërkombëtar, për paqe, stabilitet dhe për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e vendit”, theksoi Osmani.

Osmani tha se presidenti Macron potencoi përkrahjen e tij për paqe, siguri dhe stabilitet në Kosovë dhe rajon.

Tutje, presidentja kosovare tha se po ashtu kanë ritheksuar rëndësinë e përfundimit të procesit të liberalizimit të vizave përgjatë presidencës çeke të Këshillit të BE-së, si dhe kanë kërkuar vazhdimin e mbështetjes së Francës për integrimin euroatlantik të Kosovës dhe anëtarësimin në organizata tjera ndërkombëtare.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, po merr pjesë në Forumin e Paqes në Paris krahas liderëve të tjerë botërorë e udhëheqësve të organizatave ndërkombëtare.

Përgjatë këtij forumi, Osmani do t’i drejtohet panelit të diskutimit mbi bashkëpunimin në kohë kritike për kontinentin evropian bashkë me presidenten e Hungarisë, Katlin Novák, si dhe ish-diplomatin francez Jean-Marie Guéhenno. Krahas aktiviteteve të forumit, presidentja Osmani do të zhvillojë takime bilaterale me liderë tjerë për të diskutuar thellimin e bashkëpunimit për tejkalimin e sfidave aktuale të paqes dhe sigurisë.

Edicioni i pestë i Forumit të Paqes në Paris do të mbledhë liderë nga mbarë bota, si dhe përfaqësues të lartë të organizatave ndërkombëtare, bizneseve, bankave zhvillimore, për të diskutuar eliminimin e krizave të shumëfishta globale, duke promovuar forcimin e bashkëpunimit dhe multilateralizmit.

 

 

/AA

Prev Post

127 vjet nga lindja e Shote Galicës, gruaja që nuk e hoqi pushkën nga dora

Next Post

Bjeshkët e Nemuna, destinacioni më emocionues i skijimit për këtë dimër

post-bars

Leave a Comment