Dorëshkrimet e lashta në manastiret në Greqi hedhin dritë mbi epokën osmane
Në bibliotekat e ruajtura brenda manastireve të Malit Atos, studiuesit po shqyrtojnë mijëra dokumenta osmane. Disa prej tyre janë nga më të lashtat e zbuluara ndonjëherë, duke i paraprirë edhe pushtimit të Konstandinopojës. Nga këto dokumenta origjinale të ruajtura nga murgjit ndër shekuj mësohet se si sulltanët osmanë ruajtën autonominë e këtij komuniteti të krishterë, duke nxjerrë madje edhe fermanë për mbrojtjen e tij.
Në brendësitë e manastirit të lashtë Pantokrator në komunitetin e murgjëve në Malin Atos, studiuesit po hulumtojnë për herë të parë një thesar të panjohur deri më tani – mijëra dorëshkrime të epokës osmane, disa prej të cilave më të vjetrat e zbuluara ndonjëherë.
Bilbioteka e këtij komuniteti të vetëqeverisur të themeluar mbi 1 mijë vite më parë në gadishullin Atos të Greqisë veriore, është një arkiv i rrallë i dokumenteve të hartuara shekuj më parë, në gjuhë si greqishtja, rusishtja dhe rumanishtja.
Shumë prej tyre janë studiuar gjerësisht, por jo dokumentat e osmanëve që qeverisën Greqinë veriore që nga fundi i shekullit të 14-të dhe deri në fillimet e shekullit të 20-të.
“Janë rreth 1300 dokumenta origjinale bizantine, më shumë se kudo tjetër. Kemi këtu dokumentat më të lashta osmane, që përpara rënies së Konstadinopojës, të cilat mbahen në manastiret e Malit Atos që nga fundi i shekullit të 14-të, fillimet e shekullit të 15-të. Dokumentat më të lashta osmane gjenden këtu”, thotë At Theophilos, murg në manastirin Pantokrator.
Studiuesi i epokës bizantine Yiannis Niehoff-Panagiotidis thotë se është e pamundur të kuptohet ekonomia dhe shoqëria e Malit Atos nën regjimin osman, pa u konsultuar me këto dokumenta që përcaktonin raportin e murgjëve me autoritetet laike.
“Ajo që është e çuditshme është se sulltanët e ruajtën Malin Atos si pjesa e mbetur e Bizantit, gjysëm i pavarur dhe nuk e prekën atë. As nuk mbanin forca ushtarake këtu”, thotë profesor Niehoff-Panagiotidis.
Këtu gjenden fermanë të nënshkruar nga sulltanët, tapitë dhe vendimet e gjykatave. Anastasios Nikopoulos, bashkëpunëtor shkencor në Universitetin e Lirë të Berlinit, thotë se dokumentat kundërshtojnë botëkuptimin tradicional të grekëve për plaçkitjet nga osmanët në zonat që pushtonin. Përkundrazi, duket se pushtuesit e morën këtë komunitet nën mbrojtje, ruajtën autonominë e tij dhe e mbrojtën nga ndërhyrjet e jashtme.
“Fermanët e sulltanit që pamë në kullë, vendimet e gjykatave të perandorisë osmane, tregojnë se kjo demokraci e vogël e murgjëve arriti të fitojë respektin e të gjitha fuqive pushtuese në rajon. Kjo pasi Mali Atos shihej si një djep i paqes, kulturës, kultivimit të vlerave universale të civilizimit, ku popujt dhe qytetërimet kanë bashkëjetuar në paqe”, thotë zoti Nikopoulos.
Madje ndër fermanët e parë të lëshuar nga sulltanët kishte të bënte me mbrojtjen e Malit Atos.
“Murati II, sapo pushtoi Selanikun, pati përparësi hartimin e një harte kushtetuese për Malin Atos në vitin 1430. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe tregon gjithçka. Vetë sulltani osman donte të sigurohej se sistemi administrativ i Malit Atos do të ruhej dhe do të mbrohej”, thotë zoti Nikopoulos.
Profesor Niehoff-Panagiotidis madje thotë se për dy shekujt e parë të regjimit osman nuk u bënë përpjekje për të vendosur ligjin islamik në Malin Atos apo pjesët përreth tij të Greqisë veriore. Këtij komuniteti iu dha për herë të parë statusi vetëqeverisës me një dekret të Perandorit bizantin Basili II, në vitin 883. Që nga ajo periudhë, grave u është ndaluar hyrja, në kuadrin e një rregulli të quajtur “avaton”, për të cilin studiuesit mendojnë se u hartua për të shmangur çdo lloj trazimi të komunitetit në Malin Atos.
/gazetatema