LOADING...

Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 “Abdyl Frashëri quhej Abdullah…”, disa detaje interesante për një nga patriotët më të mëdhenj të Shqipërisë

“Abdyl Frashëri quhej Abdullah…”, disa detaje interesante për një nga patriotët më të mëdhenj të Shqipërisë

Rilindasi politikan, me emrin e së cilit lidhet Lidhja e famshme e Prizrenit, e kishte emrin e vërtetë Abdullah.

“Më 11 tetor 1892, ndërroi jetë Abdyl Frashëri, i biri i Halid beut.

Emrin e vërtetë e pati Abdullah Hysni. Ishte një nga personalitetet më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare. Në Parlamentin e Parë Osman të vitit 1877 hyri si deputet i Janinës, u zgjodh kryetar i Komitetit të Janinës dhe në dhjetor të po këtij viti, u zgjodh kryetar i Komitetit të Stambollit, që u formua për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Perandorinë Osmane.

Frashëri ishte një nga aktivistët kryesorë të Kuvendit të Prizrenit të krijuar për të mbrojtur trevat shqiptare, si pasojë e firmosjes së Traktatit të Shën Stefanit (1878). Mbrojti idenë e bashkimit të trevave shqiptare në një vilajet, në kuadër të Perandorisë Osmane. Gjatë Kongresit të Berlinit, në emër të Lidhjes, së bashku me Mehmet Ali Vrionin, kreu takime me përfaqësues të Fuqive të Mëdha për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve.

Në qeverinë e drejtuar nga Ymer Prizreni (1881), Abdyl Frashëri mori përgjegjësinë e ministrit të Punëve të Jashtme. Në prill të këtij viti u arrestua. Në gjyqin që u bë në Prizren u dënua me vdekje, por më pas ky vendim u kthye në burgim të përjetshëm. Pasi kreu tre vjet dënim në burgun e kalasë së Prizrenit, u dërgua me qëndrim të detyruar në Ballëkesir dhe në Bandërma. Në vitin 1886 lirohet me kushtëzimin që të mos merrej me politikë dhe u caktua anëtar i këshillit të qytetit të Stambollit.

Në foton e parë bashkëngjitur paraqitet portreti i Abdyl Frashërit, fotografuar nga Vëllezërit Romaidhi (fotografë të njohur në Athinë), ndërsa materiali pasues është vendimi i Këshillit të Ministrave i vitit 1978, për kthimin e eshtrave të atdhetarit në vendorigjinë, me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit”, shkruhet në përshkrimin që i bën Drejtoria e Arkivave kësaj figure epokale të historisë shqiptare.

Gjatë viteve të komunizmit, Abdyl Frashërit i është kushtuar një dramë e vënë nga Teatri Popullor i asaj kohe(sot Teatri Kombëtar) – “Epoka para gjyqit”.

 

/gazetatema

Prev Post

Dorëshkrimet e lashta në manastiret në Greqi hedhin dritë mbi epokën osmane

Next Post

Përpjekjet e Institutit të Gjuhësisë për mbrojtjen e kulturës arbëreshe

post-bars

Leave a Comment