Kryeministri Rama viziton Emiratet e Bashkuara Arabe
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka realizuar një vizitë në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), ku është takuar me zyrtarë të lartë të vendit.
Kryeministri Rama është takuar me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed Al Nahyan.
“Në Pallatin Mbretëror me mikun e çmuar, presidentin e Emirateve të Bashkuara, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, për ecurinë e projekteve të bashkëpunimit në fushën e energjisë, turizmit, sigurisë dhe mbrojtjes kibernetike”, ka shkruar Rama në rrjetet sociale në lidhje me takimin me presidentin e EBA-së.
Rama shoqërohej në këtë takim nga ministrja e Financave Delina Ibrahimaj dhe këshilltari i tij, Endri Fuga.
Vizita e kryeministrit Rama në EBA erdhi pas vizitës zyrtare që realizoi në Izrael.
Nga fotot e shpërndara nga kreu i Qeverisë shqiptare shihet teksa Rama i ka dhuruar presidentit të Emirateve të Bashkuara librin e tij me piktura.