Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Çiftelia, instrumenti simbol dhe i përhapur në mesin e shqiptarëv

Çiftelia, instrumenti simbol dhe i përhapur në mesin e shqiptarëv

Mjeshtrit e prodhimit të çiftelisë sot janë të paktë në Shqipëri, ku në mesin e tyre është edhe 66-vjeçari Gjelosh Alia, i cili në punishten e tij në Tiranë merret me prodhimin e çiftelisë

Tiranë

Çiftelia është një instrument i njohur i traditës shqiptare që ka qenë ndër shekuj pjesë e ceremonive, riteve, festave dhe traditës së vendit, ndërkohë sot ajo është ende një instrument popullor i përhapur dhe i preferuar në mesin e shqiptarëve.

Çiftelia është një vegël muzikore popullore me dy tela, e përbërë nga një kasë druri me bisht i gjatë dhe së cilës i bien me pendë, ndërsa mbetet një instrument i preferuar i shqiptarëve qoftë në art, kulturë, përdorim vetjak apo edhe për ekspozime të ndryshme me fokus folklorin shqiptar.

Mjeshtrit e prodhimit të çiftelisë sot janë të paktë në Shqipëri, ku në mesin e tyre është edhe Gjelosh Alia nga Puka, i cili në punishten e tij në Tiranë është marrë me prodhimin e çiftelisë, zanat që vazhdon ta ushtrojë edhe në ditët e sotme. Ai përveç çiftelisë prodhon dhe përgatit edhe vegla të tjera muzikore tradicionale, si sharkinë, lahutën apo edhe të tjera.

Për Anadolu Agency (AA), 66-vjeçari Alia, i cili ka punuar për disa dekada si mësues i gjuhës shqipe dhe letërsisë, tregon se këtë zanat e ka filluar që në moshën 20-vjeçare, duke qenë se e kishte edhe pasion, ndërsa ai përveçse i prodhon, edhe i bie çiftelisë. /

“Çiftelia është instrumenti më i përdorur tek ne, prandaj edhe kërkesat janë të ndryshme dhe detyrimisht do të bësh çifteli të ndryshme. Ato variojnë nga më të voglat deri tek më të mëdha që janë në kufi me sharkinë”, shprehet ai.

Alia tregon se çiftelitë ndahen edhe sipas zonave. “Çdo krahinë, trevë ka karakteristikën e vet dhe mjeshtrit i përshtaten, i bëjnë sipas folkut të krahinës, që kanë veçoritë e veta dhe varijojnë, të Pukës ose Mirditës që nuk kanë dimensione të mëdha, pastaj më të mëdha që përdor Burreli, Mati, po kështu dhe Tropoja, ku anon pak nga Kosova, pak më të gjata”, tha Alia.

Alia teksa luan me një nga çiftelitë e prodhuara prej tij flet edhe rreh procesit të punimit të çiftelive, ku thekson se prodhimi i instrumenteve në përgjithësi ka shumë procese, shumë punë dhe që do shumë përkujdesje.

Sa i përket materialit që përdoret, ai tregon se drurët më të mirë për prodhimin e çiftelive janë mani, pastaj arra, qershia dhe gorrica e egër, duke i renditur më të mirët.

Alia thotë se kërkesat për të blerë çiftelitë që ai prodhon më shumë janë nga jashtë Shqipërisë, duke shtuar se “ndoshta ia dinë vlerën më shumë dhe i vlerësojnë”, por sipas tij, edhe në Shqipëri blejnë akoma.

“Është mrekulli të punosh me drurin, por ka edhe vështirësitë e veta. Gjithnjë mendoj tek tingulli. Jam duke punuar dhe mendoj si do të tingëllojë dhe mezi pres që të bëj temperimin, që t’i vendos notat tamam”, tregon ai.

Duke theksuar se për të janë shumë të rëndësishme folklori popullor dhe traditat shqiptare, ai shprehet se “Unë për 44-vjet me nxënësit në çdo festë nuk e kam hequr çiftelinë nga dora dhe sot ndiej kënaqësi dhe emocione, disa kam arritur t’i mësoj, t’i bëj instrumentistë”.

Alia në fund thotë që zanatin e tij nuk e ka ndërprerë asnjëherë dhe dëshiron edhe ta trashëgojë

/A.A

Prev Post

Në 150 vjetorin e lindjes së poetit kombëtar at Gjergj Fishta sjellim fjalimin e mbajtur në Konferencën e Paqes në Paris (1919)

Next Post

Ndërtohet muzeu ‘Albert Einstein’ në Jerusalem

post-bars

Leave a Comment