Viti i ri akademik, pedagogët në protestë, bojkotojnë mësimin
Sot nis viti i ri akademik 2022-2023, ku janë rreth 20 mijë studentë që ulen për herë të parë në auditore.
Ndryshe nga vitet e tjera, këtë herë pedagogët në Tiranë kanë parlajmëruar se do të bojkotojnë mësimin dhe do të zhvillojnë një protestë nga ora 10:00 deri në 12:00.
Ndërkohë pedagogët kërkojnë edhe mbështetjen e studentëve për protestën. Këta të fundit aktualisht ndodhen në klasat e mësimit.
Kërkesat e pedagogëve
-Rritja e pagave për pedagogët dhe stafin ndihmës
-Rritja e financimit për kërkimin shkencor
-Rivendosja e shtesave mbi pagë për ‘Dëshmi shëndeti në punë’
-Rritja e shtesës mbi pagën për vjetërsinë në punë
-Rritja e pagesës së orëve të ngarkesës suplementare
-Rivlerësimi i orës mësimore pasi ka zbritje prej 50% të pagesës së orës mësimore si rezultat i mosfinancimit të orës mësimore të leksionit.
-Rishikimin e tatimit prej 23% mbi pagesën e ngarkesës suplementare
-Të pezullohet deri më 2026 zbatimi i pikës c) të paragrafit të 3, i Kreut III të VKM Nr.112, datë 23.2.2018 për kriteret e marrjes së titullit “Profesor”.
-Të bëhet transparencë mbi buxhetin dhe të ardhurat e universitetet publike.
Kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Sandër Kovaçi tha për mediat se bojkoti do të vijojë deri në plotësimin e kërkesave.
Ai theksoi se protestat do të jenë të përditshme përballë Politeknikut për t’u zhvendosur përballë qeverisë.
Kovaçi u shpreh se kanë të gjithë mbështetjen e studentëve pasi interesat në këtë protestë janë të përbashkëta.
Më 5 tetor, ministrja e Arsimit, Evis Kushi tha se qeveria ka vendosur që pagat e pedagogëve të rriten me 15 për qind, nga të cilat 7 për qind do të mbulohen nga buxheti i shtetit.
“Universitetet me autonominë që gëzojnë mund të propozojnë rritje mbi kufirin minimal, të cilën mund ta mbulojnë me të ardhurat e tyre”, u shpreh ministrja.
/euronews.al