Filmi “Quo Vadis, Aida?” fiton Çmimin Evropian të Filmit të Audiencës LUX 2022
Këtë vit filmi “Quo Vadis, Aida?” i regjisores boshnjake, Jasmila Zhbaniq, për masakrën e Srebrenicës, fitoi çmimin tradicional të kinemasë, i cili jepet nga Parlamenti Evropian dhe Akademia Evropiane e Filmit
Këtë vit filmi “Quo Vadis, Aida?” i regjisores boshnjake, Jasmila Zhbaniq, për masakrën e Srebrenicës, fitoi çmimin tradicional të kinemasë, i cili jepet nga Parlamenti Evropian (PE) dhe Akademia Evropiane e Filmit.
Çmimi i Filmit Evropian LUX u prezantua gjatë Asamblesë së Përgjithshme të PE-së në Strasburg të Francës.
Regjisorja boshnjake Zhbaniq, e cila mori çmimin nga presidentja e PE-së, Roberta Metsola, tha se gjatë përgatitjes së filmit të saj për masakrën e Srebrenicës, ajo e pa luftën në Bosnjë e Hercegovinë si luftën e fundit në Evropë.
Duke iu drejtuar eurodeputetëve, Zhbaniq tha: “Unë nuk e kuptoj se si evropianët lejojnë luftën në Ukrainë. Unë ju bëj thirrje të gjithëve që të gjeni një mënyrë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë”.
Presidentja e PE-së, Metsola tha se filmi është një thirrje e fortë për drejtësi për gratë dhe nënat në Srebrenicë. Ajo theksoi se “Një krim i tillë kundër njerëzimit nuk duhet harruar kurrë”.
Gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve, një fjalim para deputetëve mbajti edhe Munira Subashiq, kryetare e Shoqatës së Nënave të Srebrenicës dhe Zhepës. “Nënat në Ukrainë po qajnë, duke kërkuar eshtrat e fëmijëve të tyre. Ju lutem të ndaloni luftën në Ukrainë, në mënyrë që të paktën disa nëna të vuajnë më pak”, tha Subashiq.
“Quo Vadis, Aida?”, është një bashkëprodhim i Bosnjë e Hercegovinës, Austrisë, Holandës, Francës, Polonisë, Norvegjisë, Gjermanisë, Rumanisë dhe Turqisë. Filmi tregon historinë e Aidës, e cila ishte përkthyese për paqeruajtësit në Srebrenicë në verën e vitit 1995.
Ngjarjet në Srebrenicë tregohen përmes syve të mësueses Aida, familja e së cilës ndodhet në kampin e OKB-së.
/AA