Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Tava e kosit, tradita që vazhdon të ruhet në Elbasan

Tava e kosit, tradita që vazhdon të ruhet në Elbasan

Një nga mjeshtrit e përgatitjes së tavës së kosit është edhe 59-vjeçari nga Elbasani Musa Kurmaku, i cili për Anadolu Agency (AA) tregon traditën në familjen e tij për këtë gatim dhe interesin e vizitorëve

Elbasan

Tava e kosit, ose siç njihet ndryshe edhe si tavë Elbasani, vazhdon të mbetet një nga gatimet tradicionale shqiptare që është trashëguar ndër shekuj, sidomos në qytetin e Elbasanit.

Tava e kosit që sot mbetet tradicionale dhe një gatim karakteristik në Shqipëri vazhdon të konsiderohet si një nga gatimet e shijshme që është pjesë e artit të gatimit shqiptar.

Një nga mjeshtrit e përgatitjes së tavës së kosit është edhe 59-vjeçari nga Elbasani Musa Kurmaku, i cili për Anadolu Agency (AA) tregon traditën në familjen e tij për këtë gatim dhe interesin e vizitorëve.

Tava në fjalë përgatitet me mish qengji ose keci, ku pasi i hidhet kripa dhe vaji, vendoset në tavë dheu e më pas futet në furrë për pjekje. Pasi të përfundojë procesi i zierjes apo skuqjes së mishit dhe pasi ftohet, i hidhet lëngu që përgatitet me vezë, miell dhe kos. Futet përsëri në furrë dhe pasi skuqet, nxirret nga furra, ku pasi të qëndrojë disa minuta të mpikset është gati të shërbehet. Ndërkohë, mund të përdoret dhe oriz.

Kurmaku shprehet se merret me përgatitjen e tavës së kosit që prej 30 vitesh, por edhe me gatime të tjera tradicionale, si qulli me arra, tava me pestil dhe se kjo traditë është e trashëguar në familjen e tij që nga stërgjyshi, gjyshi, babai dhe duke vazhduar në fund me djalin e tij.

I rrethuar në një ambient me sende të vjetra të trashëguara nga familja e tij, apo edhe të koleksionuara, ai përgatit tavën e kosit në lokalin e tij të vendosur brenda ambienteve të Kalasë së Elbasanit.

“Një tavë zgjat minimalja që nga mishi që zien deri në përfundim një orë e gjysmë. Unë dal që në orën 03:30 të mëngjesit që filloj dhe i përgatis të gjitha”, tregon Kurmaku.

Ajo që e bën karakteristike sipas tij është se çdo gjë është vetëm bio, si gjalpi, mielli, veza, kosi, mishi dhe çdo gjë tjetër, duke mos i ndarë edhe disa sekrete rreth përgatitjes së saj.

“Unë punoj me dinjitet dhe ia kam trashëguar edhe djalit”, shprehet Kurmaku.

“Këtu tek unë të huajt janë turqit në radhë të parë që kërkojnë Elbasan tava. Ne i themi tavë kosi, turqit i thonë Elbasan tava. Deri më sot nuk ka ikur asnjë pa ngelur i kënaqur, pastaj nga Kosova, pastaj janë nga vendet perëndimore, nga komplet Evropa, nga Amerika, Azia, që kanë shkruar tek libri i përshtypjeve, që kanë lënë përshtypjet e veta që janë të kënaqur”, shprehet ai, duke theksuar se kanë shijuar tavën e përgatitur prej tij persona nga 138 shtete.

Kurmaku mban edhe librat e shënimeve, ku vizitorët vendas dhe të huaj lënë përshtypjet e tyre për gatimet tradicionale të Musait, por edhe të ambientit ku ai punon, ku spikasin me shënimet e tyre edhe vizitorët nga Turqia.

Prev Post

Skandal/ Serbia ndalon flamurin e Kosovës në finalet botërore të atletikës

Next Post

33 vjet nga rrënimi i autonomisë së Kosovës

post-bars

Leave a Comment