LOADING...

Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Rafineria e naftës në Ballsh mund të zëvendësohet me një park fotovoltaik

Rafineria e naftës në Ballsh mund të zëvendësohet me një park fotovoltaik

Rafineria e naftës në Ballsh pritet të zëvendësohet me një impiant fotovoltaik për prodhimin e energjisë elektrike.

Kompania që e bleu rafinerinë nga një bankë tregtare vitin e kaluar ka ngritur një shoqëri tregtare me qëllim posaçërisht ndërtimin e impianteve të energjisë së rinovueshme. Kompania GreeNNat Solar Park Ballsh ka si objekt “implementimin dhe menaxhimin e projekteve gjeneruese (fotovoltaike, eolike, hidrike) të energjisë elektrike, të cilat shfrytëzojnë burimet e rinovueshme të energjisë elektrike, si dielli, era, uji si dhe i veprave të tyre ndihmëse”.

Rafineria e Ballshit u ble vitin e kaluar nga kompania Shijaku prej një banke tregtare në Shqipëri, që e kishte riposeduar në formën e kolateralit për kredinë e pakthyer nga subjekti i fundit që e mbajti në pronësi rafinerinë në formë funksionale, kompania Allum Enterprises.

Kjo kompani, megjithatë, nuk e pati operuar asnjëherë direkt vetë rafinerinë, por e pati lënë me qira te një shoqëri me aksionerë të regjistruar në Zvicër, Tosk Energji. Pas dështimit edhe të kësaj të fundit, në vitin 2019, Rafineria e Ballshit u mbyll përfundimisht dhe nuk u arrit të gjendej një investitor tjetër i gatshëm për ta rivendosur në punë. Përllogaritjet e investitorëve të interesuar treguan se rivendosja në punë e raferinerisë kërkonte një investim shumë të madh dhe kjo nuk u vlerësua me leverdi ekonomike. Rafineria e Ballshit ishte ndërtuar në fund të viteve ‘70 me një teknologji të prodhimit kinez dhe prej asaj epoke investimet në të kishin qenë minimale. Përfundimisht, rafineria u çmontua dhe u shit për skrap, ndërsa në tokën ku ishte vendosur, subjekti blerës pritet të ndërtojë një impiant fotovoltaik. Shtrenjtimi i energjisë elektrike vitin e kaluar ka rritur ndjeshëm interesin për investime në impiante të prodhimit të energjisë nga dielli, si për nevoja vetjake të bzineseve, ashtu edhe për qëllime tregtimi.

Rafineria e Ballshit ishte aseti kryesor i ish-kompanisë publike të përpunimit të naftës, ARMO, që u privatizua në vitin 2009 për 128 milionë euro nga një konsorcium i udhëhequr prej biznesmenit Rezart Taçi. Por, ky privatizim nuk solli rimëkëmbjen dhe modernizimin e rafinerisë, por fillimin e tatëpjetës dhe rrënimit përfundimtar të saj. Kompania që fitoi garën e privatizimit dhe disa kompani që e shfrytëzuan rafinerinë në seri dështuan, duke lënë pas shuma të mëdha borxhesh ndaj kreditorëve, furnitorëve, punonjësve dhe tatimeve. Ish-punonjësit e rafinerisë do të vazhdojnë të paguhen me një pagë minimale nga buxheti i shtetit edhe për vitin 2022.

Rafineria e Ballshit ishte i vetmi impiant i përpunimit të naftës bruto me qëllim prodhimin e karburanteve në Shqipëri. Për shkak të mungesës së investimeve, karburanti diesel i prodhuar në të ishte i një cilësie të dobët, por rezultonte me një çmim më të ulët se karburanti që importohet nga rafineritë e huaja. Prodhimi i karburanteve në vend mund të ndihmonte për të zbutur pjesërisht pasojat e shtrenjtimit të tyre në tregjet ndërkombëtare, duke pasur parasysh edhe faktin se Shqipëria është një vend prodhues i naftës bruto. Prej mbylljes së Rafinerisë së Ballshit, shumica dërrmuese e naftës bruto që nxirret në Shqipëri eksportohet, me përjashtim të një sasie të vogël që përpunohet për prodhim bitumi në Rafinerinë e Fierit./E.Shehu

Prev Post

‘Populli po vdes për bukë’, qytetarët zgjedhin protestën në vend të koncertit të Malumas, reperi: Bojkotojeni!

Next Post

Pushtuesit rus nuk i tremben Zotit, rrëmbejnë priftin e Kishës Ortodokse në Ukrainë

post-bars

Leave a Comment