Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Të parat e Anadollit – Ujësjellësi i Ferhatit për të dashurën Shirine: Një histori dashurie

Të parat e Anadollit – Ujësjellësi i Ferhatit për të dashurën Shirine: Një histori dashurie

?ur i hedhim një sy letërsisë botërore, shohim që ka vepra me tema shumë të ndryshme. Karakteristikat e periudhës në të cilën autorët jetojnë, ndikojnë si në zhanrin e letërsisë ashtu edhe në subjektet e saj. Sidoqoftë, një temë letrare nuk e humb kurrë popullaritetin e saj: dashuria… Dashuri të ndaluara, dashuri me fund tragjik, dashuri hyjnore… Dashuri të njëanshme, shkatërruese ose të pasionuara… Disa entuziaste, disa të dhimbshme, disa platonike e disa të pamundura… Dashuria është një nga lëndët më të rëndësishme jo vetëm të letërsisë së shkruar, por edhe të asaj gojore. Në shumë hapësira gjeografike të botës tregohen histori për dashuri të pavdekshme që shndërrohen në legjenda duke u përcjellë brez pas brezi. Shembujt e këtyre tregimeve janë të shumta në mitologji, por edhe në folklorin gojor që transmetohet nga njëra gjeneratë në tjetrën përmes përrallave dhe epikës… Si heronj të këtyre historive, të dashuruarit jetojnë përtej kohës, në kujtimet dhe zemrat e njerëzve…

Miti i mrekullueshëm i Erosit dhe Psikës, një histori dashurie në lëvizje që vjen nga mitologjia e pasur e Greqisë antike, ka frymëzuar artistë të panumërt në të gjithë botën përgjatë shekujve. Ndjenja e fuqishme, e thellë dhe e qëndrueshme ndërmjet Erosit dhe Psikës dëshmon se dashuria dhe shpirti janë të pandashëm… 

Dashuria e Paridit për Helenën e bukur u bë shkak për Luftën e Trojës… Perandori mogul, Shah Xhahan, urdhëroi ndërtimin e Taxh Mahalit, varri monumental më madhështor i botës, në bregun jugor të lumit Jamuna në qytetin indian të Agrës, për nder të dashurisë së tij unike, Mumtaz Mahal… Romeo dhe Zhulieta, një prej kryeveprave të dramaturgut të famshëm anglez, Uiliam Shekspir, e ruan ende vendin e saj në listën e historive më të njohura të dashurisë prej shekujsh me radhë. Ndërsa në krye të historive të dashurisë që tregohen prej vitesh në Anadoll, renditet ajo e Ferhatit me Shirinen.

Ferhati ishte një piktor/skulptor shumë i talentuar që dekoronte pallatet e sulltanëve dhe xhamitë. Sulltanesha e asokohshme e Amasies kishte urdhëruar ndërtimin e një vile për motrën e saj, dekorimi i interierit të së cilët do të bëhej pikërisht nga Ferhati. Kur Ferhati ia nis punës së tij artistike për zbukurimin e mureve dhe tavaneve të vilës, ai sheh Shirinen dhe dy të rinjtë bien në dashuri me njëri-tjetrin që me shikim të parë. Mirëpo Ferhati ishte një qytetar i thjeshtë, jo fisnik sikurse motra e sulltaneshës. Kjo e fundit nuk e pranon marrëdhënien dhe aq më pak kurorëzimin e tyre, por njëherësh nuk dëshiron që ta mërzisë të motrën; prandaj i thotë asaj se do ta lejojë martesën e tyre vetëm një kusht: Amasia ishte një qytet shumë i zhvilluar dhe i bukur, por i mungonte uji i pijshëm. Ky problem mund të zgjidhej vetëm nëpërmjet një ujësjellësi që do të kapërcente malet. Martesa e Ferhatit me Shirinen do të ishte e mundur vetëm nëse ai shponte malet për të sjellë ujin e pijshëm në qytet. Ferhatit nuk i shkon ndër mend për asnjë çast se kjo ishte një kërkesë e parealizueshme. Ai i përvishet menjëherë punës dhe përpiqet me mish e shpirt, pa pushim, për të shpuar malet e mëdha dhe për t’u bashkuar përfundimisht me dashurinë e tij. Muajt e stinët pasojnë njëra-tjetrën dhe më në fund Ferhati arrin ta shpojë malin falë pasionit të zjarrtë që motra e sulltaneshës i kishte ndezur në zemër. Sapo merr lajmin që Ferhati do të sillte ujin e pijshëm në qytet përmes një tuneli tejpërtej maleve, sulltanesha thur një plan për ta parandaluar dhe menjëherë i dërgon Ferhatit një plakë, e cila fillimisht e lavdëron për punën e tij të pabesueshme e më pas i thotë se e bukura Shirine kishte vdekur teksa ai punonte ditë e natë për të përmbushur kushtin e sulltaneshës. Me të dëgjuar këtë lajm ogurzi, Ferhati humbet jo vetëm arsyen, por edhe dëshirën për të jetuar. Ai vetëvritet me mjetin që kishte përdorur për të shpuar malet. Sulltanesha ia arrin qëllimit, por anashkalon një pasojë fatale. Sapo dëgjon këtë lajm pikëllues, bukuroshja Shirine brof në mal dhe hidhet nga maja e shkëmbit pranë të cilit kishte vdekur Ferhati.

Historia e Ferhatit dhe Shirines, një dashuri me fund tragjik që besohet se ka ndodhur në Amasie, provincë veriore e Turqisë moderne, tregon fare qartë se dashuria është një ndjenjë e fuqishme që nuk njeh pengesa e kufij. Duke u nisur nga kjo histori, Bashkia Amasie ka themeluar një muze për të dashuruarit duke realizuar një risi botërore. Muzeu i të Dashuruarve Ferhat dhe Shirin, i pari dhe i vetmi muze i këtij lloji në botë, ndodhet pranë Ujësjellësit të Ferhatit, në km 3. të aksit rrugor Amasie-Tokat. Në të ekspozohen historitë e dashurisë së Ferhatit dhe Shirines, Leilasë dhe Mexhnunit, Keremit dhe Aslisë, Romeos dhe Zhulietës, Arkitekt Sinanit dhe Sulltaneshës Mihrimah, si dhe dashuria hyjnore sipas Mevlana Xhelaledin Rumiut e Haxhi Bektash Veliut.

Dashuria e Ferhatit për Shirinen është një nga dashuritë legjendare. Vështirë ta dimë nëse është e vërtetë apo një histori që tregon se dashuria nuk njeh barriera, se nuk ka asgjë të pamundur për dashurinë. Por është e vërtetë që në Amasie, qytet i ndërtuar mbi Lumin e Gjelbër (Yeşilırmak në turqisht apo Iris në antikitet), ekziston një kanal i njohur si Ujësjellësi i Ferhatit, i cili sjell ujë në qytet nga malet.

Natyra e mbrojtur e Amasies ka qenë arsyeja pse ajo është preferuar si vendbanim prej qindra vitesh. Ajo është gjithashtu një qendër tregtare ku kryqëzohen rrugë të rëndësishme të lashtësisë. Historia e qytetit daton që nga hititët. Më pas qyteti sundohet respektivisht nga frigjianët, lidianët, persët, pontikët, romakët, selxhukët dhe osmanët. Ajo është shtëpi e shumë qytetërimeve dhe mban gjurmët e tyre. Njëra prej këtyre gjurmëve është edhe Ujësjellësi i Ferhatit. Ky ujësjellës i periudhës së hershme romake konsiderohet sot një mrekulli inxhinierike! Sepse ai është gdhendur në shkëmbinj qindra vjet më parë, vende-vende është mbuluar me qemerë dhe është ndërtuar me një pjerrësi të veçantë për të siguruar rrjedhjen e pandërprerë të ujit.

Varret Shkëmbore të Mbretërve Pontikë, të cilat janë po kaq interesante sa edhe Ujësjellësi i Ferhatit në Amasie, rezultojnë një tjetër gjurmë mahnitëse e qytetërimeve të dikurshme. Të konsideruara si një prej shembujve më të shquar të traditës së varreve shkëmbore në botë, Varret Shkëmbore të Mbretërve Pontikë janë sot në fokusin e turistëve vendas e të huaj. Këto varre monumentale të gdhendura në shkëmbinj, në shpatin e pjerrët të malit Harshena, kanë një pamje shumë mbresëlënëse. Kur mbërrihet tek këto varre përmes shtigjeve e shkallëve po ashtu të gdhendura në shkëmbinj, galeritë që lidhin shpellat me njëra-tjetrën, i çojnë vizitorët në një tjetër periudhë kohore. Varret Shkëmbore të Mbretërve Pontikë dhe mali Harshena janë sot në Listën e Përkohshme të Trashëgimisë së Turqisë në UNESCO.

Amasia është gjithashtu vendlindja e Strabonit, historian dhe gjeograf i famshëm i lashtësisë. Straboni është autori i veprës së parë të plotë antike, “Geographica” (Gjeografia), e cila mbledh në 17 vëllime vëzhgimet e tij personale nga udhëtimet dhe njohuritë gjeografike të botës së asokohshme. Ajo na ndihmon të kemi njohuri për botën antike dhe njëherësh kontribuon në pranimin e gjeografisë si shkencë. Edhe pse jo kaq i njohur sa Straboni, banor i Amasies në shekullin XIV ishte edhe një kirurg turk me emër. Sherafedin Sabuncuoglu është personi që shkroi librin e parë të ilustruar të kirurgjisë në turqisht. Ai i shpjegon metodat e trajtimit deri në detajet më të imta duke ilustruar rrjedhën e procedurave kirurgjike, teknikat dhe instrumentet e përdorura në kirurgji. Kështu, ai krijon një udhëzues që lexuesit mund ta kuptojnë lehtësisht. Sabuncuoglu citon me përpikëri maksimale burimet, të cilave u referohet në veprën e tij dhe kjo metodë përputhet plotësisht me bibliografinë e botimeve shkencore të sotme.

Çdo skaj i Anadollit është plot me surpriza dhe dëshmi për studiues të mëdhenj, komandantë të pamposhtur apo dashuri legjendare. Sot folëm për historinë e dashurisë së Ferhatit dhe Shirines si një prej shembujve më të njohur të krijimtarisë gojore popullore në Anadoll dhe për muzeun e parë e të vetëm në botë me temë dashurinë, në Amasie. Në këtë kontekst, ju prezantuam Ujësjellësin e Ferhatit si një mrekulli inxhinierike që ka mbijetuar qindra vjet, Amasien si një muze i hapur në natyrë me Varret Shkëmbore të Mbretërve Pontikë, si dhe përkujtuam gjeografin Strabon e mjekun Sherafedin Sabuncuoglu si kontribuues të mëdhenj në shkencë.

Autore: Neslihan Degirmencioglu – Producente, TRT, Ankara

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti – Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara

Prev Post

A mund të mbijetojë bota pa naftën dhe gazin rus

Next Post

Kryediplomatja gjermane viziton Kosovën, takon Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin

post-bars

Leave a Comment