LOADING...

Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Fondet shtetërore ruse promovojnë mohimin e gjenocidit në Bosnje

Fondet shtetërore ruse promovojnë mohimin e gjenocidit në Bosnje

Fondacionet e mbështetura nga qeveria ruse kanë mbajtur evente për të promovuar raporte që mohojnë gjenocidin e Srebrenicës në 1995, ndërsa Moska kërkon të shfrytëzojë përçarjet në Bosnje dhe Hercegovinë dhe të rrisë ndikimin e saj mes serbëve të vendit.

Duke iu drejtuar përfaqësuesve të instituteve dhe fondacioneve ruse në një event të mbajtur në Moskë në mes të shtatorit, kreu i një komisioni për Srebrenicën, i ngritur nga entiteti i mbizotëruar nga serbët në Bosnje, Republika Srpska, deklaroi se nuk kishte pasur gjenocid ndaj boshnjakëve në korrik 1995.

Duke folur nëpërmjet një lidhjeje me video me Moskën, historiani izraelit Gideon Greif – komisioni i të cilit hartoi një raport mbi Srebrenicën për autoritetet e Republikës Srpska në fillim të këtij viti, i cili shfajësoi forcat serbe të Bosnjës nga gjenocidi – hodhi poshtë vendimet e dhëna nga gjykatat ndërkombëtare.

“Gjetjet e Gjykatës së Hagës për gjenocidin nuk do t’i qëndrojnë provës së kohës, sepse komisioni i Republikës Srpska është i bindur se krimet në Srebrenicë nuk mund të konsiderohen gjenocid”, pohoi Greif në fjalimin e tij, i cili u transmetua në internet. Ai argumentoi se termi gjenocid “do të humbiste kuptimin e tij” nëse do të zbatohej në Srebrenicë.

Disa javë pas takimit, një konferencë tjetër u mbajt në Moskë në fillim të tetorit, duke u fokusuar në punën e komisionit të Srebrenicës të kryesuar nga Greif dhe një komisioni tjetër që u krijua nga qeveria e Republikës Srpska për të shqyrtuar krimet e luftës kundër serbëve në Sarajevë.

Të dy eventet u organizuan nga Instituti Ndërkombëtar i Zhvillimit të Bashkëpunimit Shkencor, MIRNaS, një organizatë e themeluar nga universitete të ndryshme ruse, duke përfshirë Universitetin prestigjioz Shtetëror të Moskës, i cili përfshin studiues dhe profesorë të shumtë në institucionet ruse të arsimit të lartë.

Leonid Drachevsky, drejtor ekzekutiv i Fondit Gorchakov, i cili mbështeti eventin, tha në fjalimin e tij hyrës se diskutimi ishte “me rëndësi të madhe” në kuptimin e historisë së tre dekadave të fundit.

Drachevsky shtoi se ishte e vështirë të zhvillohej një dialog rreth ngjarjeve nga historia moderne duke qenë se pjesëmarrësit janë ende gjallë dhe secili ka pikëpamjen e vet për atë që ndodhi. Por disa pikëpamje nuk u përfaqësuan – familjet e viktimave boshnjake të luftës as nuk u ftuan në këto konferenca dhe as nuk iu kërkua të merrnin pjesë në komisionet e Republikës Srpska, raportet e të cilëve u diskutuan në Moskë.

“Ata shkuan deri në atë pikë sa fshinë çdo gjurmë të ekzistencës sonë dhe tani po diskutojnë nëse ishte gjenocid apo jo”, tha Nura Begovic, nënkryetare e shoqatës “Gratë e Srebrenicës”. “Këta njerëz nuk kanë shpirt. Është e turpshme të shohësh se kush po mbështet komisione, takime dhe lobime të tilla.”

Shteti rus po mbështet financiarisht takime si ato në Moskë së fundmi përmes organizatave si Fondi Gorchakov.

Kryetari i bordit të administrimit të Fondit Gorchakov është Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov dhe analistët thonë se eventet që ai mbështet janë një shembull i përpjekjeve të “fuqisë së butë” ruse, pasi Moska kërkon të avancojë interesat e saj strategjike në Ballkan.

Fondi u themelua në vitin 2010 me një dekret të lëshuar nga presidenti rus, sipas faqes së tij në internet, dhe misioni i tij është “të mbështesë krijimin e një klime publike, politike dhe biznesi jashtë vendit, të favorshme për Rusinë”.

Faqja e tij e internetit shpjegon se ai ofron mbështetje financiare dhe organizative për “organizatat e interesuara kombëtare që paraqesin propozime iniciative, të cilat përputhen me qëllimet statutore të Fondit”. Ai gjithashtu “siguron ndihmë në krijimin e një opinioni publik të favorshëm për Rusinë jashtë vendit”.

Përpjekje për të rishikuar historinë


Diskutimi i mbështetur nga Fondi Gorchakov rreth Srebrenicës në Moskë në shtator. Foto: Screenshot/BIRN.

Sead Turcalo, një profesor në Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit të Sarajevës, tha se Rusia ka ngritur një sërë institucionesh qeveritare gjatë dekadës së fundit ose më shumë, të cilat synojnë të projektojnë objektivat e pushtetit të butë të Moskës.

“Duke pasur parasysh që Fondi Gorchakov është pjesë zyrtare e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, këto janë qëndrimet zyrtare të shtetit”, tha Turcalo.

Fondi Gorchakov u themelua si një instrument për zbatimin e qëllimeve të Këshillit të Çështjeve Ndërkombëtare Ruse, një institut kërkimor i krijuar me një dekret presidencial rus në vitin 2010, i cili mori pjesë në organizimin e eventit të Srebrenicës.

“Dekreti presidencial thoshte se themeluesja ishte Ministria e Punëve të Jashtme Ruse dhe buxheti i organizatës do të vinte nga buxheti i shtetit, kontributet vullnetare dhe donacionet, si dhe nga burime të tjera në përputhje me legjislacionin rus”, thuhet në një raport të publikuar nga Qendra për Studime Evropiane Wilfried Martens, një institut kërkimor i krijuar nga Partia Popullore Evropiane, një grupim politik i qendrës së djathtë në Parlamentin Evropian.

As Këshilli i Çështjeve Ndërkombëtare Ruse dhe as Instituti Ndërkombëtar i Zhvillimit të Bashkëpunimit Shkencor nuk iu përgjigjën pyetjeve të BIRN.

Një deklaratë e lëshuar nga Fondi Gorkachov pas eventit në shtator tha se krimet e kryera në Srebrenicë gjatë kohës së luftës janë keqinterpretuar në mënyrë që të fajësohen vetëm serbët e Bosnjës.

“Ngjarjet në ato vite u shtrembëruan nga mediat dhe organizatat joqeveritare, të cilat u fokusuan ekskluzivisht në humbjet e popullatës myslimane, duke neglizhuar qëndrimin e palës serbe”, thuhet në deklaratë.

Ai shtoi se komisioni i Republikës Srpska i kryesuar nga Gideon Grief “arriti në përfundimin se nismëtarët e këtyre krimeve të tmerrshme nuk duhej të kërkoheshin në palën serbe”.

Një nga folësit në diskutimin e Moskës ishte ish-ministri i jashtëm jugosllav Vladislav Jovanoviç, i cili po merrte pjesë në emër të Shtëpisë Ruse në Beograd, e cila promovon kulturën dhe gjuhën ruse në Serbi.

Jovanoviç mbrojti gjithashtu raportin e Republikës Srpska, duke thënë se ai ishte realizuar nga një komision “i përbërë nga njerëzit më të zgjuar nga një duzinë vendesh” dhe se “arriti në përfundimin se një krim i tmerrshëm lufte ishte kryer në Srebrenicë, por se nuk ishte kryer gjenocid”.

Megjithatë, avokatët dhe ekspertët e drejtësisë tranzicionale i kanë kritikuar komisionet e Republikës Srpska për Srebrenicën dhe Sarajevën si përpjekje për të rishikuar historinë dhe për të minimizuar krimet.

Srebrenica si mjet politik


Ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov me liderin serb të Bosnjes Milorad Dodik në Banja Luka në shtator 2018. Foto: EPA-EFE/VLADIMIR STOJAKOVIC.

“Prezantimi i raporteve për Srebrenicën dhe Sarajevën, duke qenë se ato janë raporte revizioniste, mund të shihet si pjesë e një politike më të gjerë revizioniste të Rusisë dhe aleatëve të saj në rajon dhe brenda Bosnjës dhe Hercegovinës”, argumentoi Turcalo.

Mbështetja e Rusisë për raportet e Republikës Srpska, të cilat kanë kontribuar në vazhdimin e ndasive etnike të pasluftës në Bosnje dhe Hercegovinë, vjen ndërsa Moska kërkon të rrisë ndikimin e saj mbi serbët e Bosnjës.

Rusia po përpiqet të përdorë mosmarrëveshjet nga luftërat e viteve 1990 për të përjetësuar grindjet dhe për të minuar BE-në dhe NATO-n në Ballkanin Perëndimor, argumentoi analisti Dimitar Bechev në një raport të botuar nga Strategic Communication Centre of Excelence e NATO-s në vitin 2019.

“Objektivi kryesor i Rusisë në Ballkanin Perëndimor nuk është të rishikojë status quo-në, por ta ngrijë atë. Ajo do të donte të parandalonte zgjerimin e NATO-s dhe të ngadalësonte zgjerimin e BE-së”, ka shkruar Bechev.

Tensionet janë përshkallëzuar që nga korriku, kur Përfaqësuesi i Lartë Valentin Inzko, zyrtari ndërkombëtar që mbikëqyr zbatimin e marrëveshjes së paqes që i dha fund luftës në Bosnje, vendosi ndryshime ligjore që kriminalizojnë mohimin e gjenocidit dhe krimeve të luftës.

Në reagim të kësaj, lideri politik serb i Bosnjës Milorad Dodik po kërcënon ta tërheqë Republikën Srpska nga sistemi gjyqësor, ushtria dhe taksat në nivel shtetëror – lëvizje që janë parë si pararendëse të shkëputjes.

Analistët Paul Stronski dhe Annie Himes shkruan në një raport për Carnegie Endowment for International Peace në vitin 2019 se qëllimi i operacioneve të ndikimit rus është krijimi i “elektorateve lokale miqësore me Rusinë dhe mekanizma ndikimi që mund të lejojnë Moskën të pengojë integrimin e mëtejshëm në ekonominë perëndimore, strukturat politike apo të sigurisë”.

“Për të mbështetur këto përpjekje, Rusia gjithashtu kërkon të përkeqësojë përçarjet politike dhe sociale në disa vende të Ballkanit”, argumentuan ata.

Nathalie Vogel, një studiuese në Qendrën Evropiane të Vlerave për Politikat e Sigurisë, një organizatë çeke që ndjek aktivitetet e Rusisë në Evropë përmes platformës së saj Kremlin Ëatch, tha për BIRN se ajo mendon se Fondi Gorchakov po përdor aktualisht krizën në Ballkan.

“Po shoh që ata po kopjojnë pikërisht atë që kanë bërë në Gjermani, disa vite më parë, në Ballkan. Në Gjermani, ata u bashkuan me forumin ruso-gjerman dhe patën këtë tubim të madh ku njerëz nga media, ish-diplomatë, politikanë, njerëz nga zona të ndryshme u mblodhën për të diskutuar se si, për shembull, ata mund të normalizonin marrëdhëniet midis Gjermanisë dhe Federatës Ruse pas asaj që ndodhi në Ukrainë”, tha Vogel.

Rusia e aneksoi gadishullin e Krimesë të Ukrainës në vitin 2014 dhe mbështeti një kryengritje separatiste në rajonin lindor të Donbasit, gjë që çoi në vendosjen e sanksioneve të BE-së ndaj Moskës dhe shkaktoi dëmtime serioze në marrëdhëniet e saj me Berlinin.

Turcalo argumentoi se Fondi Gorchakov është pjesë e “një rrjeti të tërë organizatash joqeveritare” të cilat e identifikojnë veten si grupe të shoqërisë civile, por janë të lidhura me qeverinë ruse dhe promovojnë të njëjtat ide në mbarë Evropën.

“Pra, ajo që diskutohet në forumet e organizuara nga Fondi Gorchakov bëhet narrativa zyrtare e të gjithë rrjetit të OJQ-ve dhe kështu ndikimi shumëfishohet”, tha ai.

Moska po investon në destabilizimin e rajonit, shkruan Turcalo dhe Edina Becirevic në një raport mbi ndikimin rus në Bosnje dhe Hercegovinë të botuar në vitin 2020.

Ata vunë në dukje se prioritetet e financimit të Fondit Gorchakov përcaktohen nga Ministria e Jashtme ruse dhe manjatë rus të biznesit, dhe një nga qëllimet e tij është përhapja e ideve të tij tek të rinjtë.

“Në këtë mënyrë, ndërsa Rusia vazhdon të mbështesë objektivat e secesionistëve në Republikën Srpska, ajo gjithashtu duket të angazhohet me një audiencë më të gjerë individësh që mund të jenë dashamirës ndaj përpjekjeve të saj për të minuar sovranitetin shtetëror boshnjak”, paralajmëruan ata./balkaninsight.com

Prev Post

Muzeu më i madh i artit në Ukrainë tërheq veprat për shkak të pushtimit rus

Next Post

Google blen një kompani të sigurisë kibernetike për $5.4 miliardë

post-bars

Leave a Comment