Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Studimi: Zemra e Tokës po ftohet më shpejt se sa pritej

Studimi: Zemra e Tokës po ftohet më shpejt se sa pritej

‘Zemra’ e Tokës do ftohet më shpejt se sa pritej. Keshtu thotë studimi i përçueshmërisë termike të një minerali që ndodhet në kufirin midis bërthamës dhe mantelit.

Studimet, të cilat mund të kenë implikime për evolucionin e planetit tonë, janë publikuar në revistën Earth and Planetary Science Letters nga një ekip ndërkombëtar i udhëhequr nga Motohiko Murakami i Institutit Federal Zviceran të Teknologjisë në Zyrih.

Studiuesit matën në laborator përçueshmërinë termike të mineralit bridgmanit, i cili shtrihet në kufirin midis shkëmbinjve të mantelit dhe shtresës së nxehtë të hekurit të shkrirë dhe nikelit në bërthamën e jashtme.

Për të kryer matjet në të njëjtat kushte të temperaturës dhe presionit që gjenden brenda Tokës, ata përdorën një sistem të ri absorbimi optik brenda një njësie të bërë prej diamanti dhe të ngrohur me një lazer pulsues. Rezultatet tregojnë se përçueshmëria termike e mineralit është 1.5 herë më e lartë se sa pritej. Kjo do të thotë se fluksi i nxehtësisë midis bërthamës dhe mantelit mund të jetë më i lartë se sa supozohej deri më tani dhe rrjedhimisht edhe konveksioni në mantel. Kjo nënkupton një ftohje më të shpejtë të brendësisë së Tokës dhe një ngadalësim më të shpejtë të tektonikës së pllakave, të nxitur nga lëvizjet konvektive. Për më tepër, kur bridgmaniti ftohet, ai tenton të shndërrohet në post-perovskit, një mineral që përcjell nxehtësinë edhe më me efikasitet, prandaj ftohja e mantelit mund të përshpejtohet më tej.

“Rezultatet tona – shpjegon Murakami – tregojnë se Toka, si planetët e tjerë shkëmborë Mërkuri dhe Marsi, po ftohet dhe po bëhet joaktive më shpejt se sa pritej”. Më i kujdesshëm është Carlo Doglioni, president i Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (Ingv), i cili thekson se askush nuk e di saktësisht se sa bridgmanit është i pranishëm midis bërthamës dhe mantelit ose sa është temperatura në atë thellësi. “Nisja nga studimi i një minerali të vetëm për të nxjerrë përfundime mbi evolucionin e të gjithë planetit më duket i rrezikshëm, edhe sepse nuk merr parasysh provat që dolën ndër vite për kapacitetin real të konvekcionit të mantelit”.

(BalkanWeb)

Prev Post

Bizneset në stres nga çmimi i energjisë

Next Post

Europa s’bën dot pa Gazpromin

post-bars

Leave a Comment