Vdes Sidney Poitier, aktori i parë me ngjyrë që fitoi çmimin Oscar
Sidney Poitier, i cili kapërceu barrierat racore si fituesi i parë me ngjyrë i Oskarit për aktorin më të mire, ka vdekur në moshën 94-vjeçare.
Aktori i rolit në “Zambakët e fushës”, me të cilin frymëzoi një brez gjatë lëvizjes për të drejtat civile, krijoi një trashëgimi të shquar filmike. Madje, në një vit të vetëm, më 1967, ai xhiroi tre filma në një kohë kur segregacioni mbizotëronte në pjesën më të madhe të Shteteve të Bashkuara.
Poitier kishte fituar Oscarin e tij për aktorin më të mirë që bëri histori për “Zambakët e fushës” në vitin 1963, duke luajtur rolin e një mjeshtri që ndihmon murgeshat gjermane të ndërtojnë një kishëz në shkretëtirë. Pesë vjet më herët, Poitier ishte i pari zezak i nominuar për Oscar për aktorin kryesor për rolin e tij në “The Defiant Ones”.
Në vitin 2002, një Oscar nderi njohu “arritjet e tij të jashtëzakonshme si artist dhe si qenie njerëzore”. Në vitin 2009, Poitierit iu dha nderimi më i lartë civil amerikan, Medalja Presidenciale e Lirisë, nga Presidenti Barack Obama.
Poitier lindi në Miami më 20 shkurt 1927 dhe u rrit në një fermë domatesh në Bahamas dhe kishte vetëm një vit shkollim zyrtar. Ai luftoi kundër varfërisë, analfabetizmit dhe paragjykimeve për t’u bërë një nga aktorët e parë me ngjyrë që u njoh dhe u pranua në rolet kryesore nga audienca. /KultPlus.com