Rrok Zojzi – Etnografi dhe Etnologu Shqiptar i nivelit ndërkombëtar
Rrok Zojzi – Etnografi dhe Etnologu Shqiptar i nivelit ndërkombëtar, edhe në ditët e sotme lihet në heshtje nga pinjollët komunistë.
U lind në Shkodër (16 nëntor 1910) , pasi mori arsimin e mesëm në qytetin e lindjes, duke bërë detyrën e arsimtarit, u mor edhe me alpinizëm, me kërkime, gjeografi e sidomos në fushën e etnokulturës. Gjatë viteve ‘30-’40 ai bëhet i njohur me shkrimet në revistat “Hylli i Dritës”, “Drini”, “Vatra shqiptare”, etj.
Në vitin 1942 Zojzi përgatiti 34 ligjërata gjeografiko-etnologjike, për Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, që u shfrytëzuan nga radio “Tirana”, radio “Korça” e radio “Kosova”. Në vitin ‘46 e motra, Maria dhe burri i saj u pushkatuan gjatë rezistencës antikomuniste të Postribës dhe kjo do ndikonte në jetën e Rrokut.
Rrok Zojzi filloi punë në Institutin e Shkencave në vitin 1947, duke u bërë themeluesi i sektorit të studimeve etnologjike shqiptare. Që në fillim i kushtoi kujdes të veçantë krijimit e zgjerimit të bazës materiale për studime shkencore, krijoi arkivin e objekteve muzeale që nën drejtimin e tij arriti deri në 22 mijë njësi.
Bëri eksplorime në vise të ndryshme të virgjëra të Shqipërisë, për të mbledhur të dhëna studimi dhe për të gjurmuar e fotografuar objektet muzeore që shërbenin për arkiv, duke shtuar se krahas arkivit të objekteve muzeore, Zojzi krijoi fototekën, skicotekën, arkivin e dorëshkrimeve, të përkthimeve e të dokumentacionit të burimeve të ndryshme të shkruara. Madje në vitin 1948, nën drejtimin e tij u ngrit Muzeu Etnologjik Kombëtar. Duke qenë njohës i mirë i disa gjuhëve i gjermanishtes, frëngjishtes e italishtes, ai voli traditën më të mirë bashkëkohore, për të ndërtuar strukturat e etnologjisë shqiptare.
Sipas profesor Tirtës, Zojzi shquhej për praktikën e veçantë të punës. Pak a shumë ndoqi metodën që dikur kishte praktikuar Franc Nopça në eksplorime: në çdo vend ku kalonte vërente, merrte shënime e jepte gjykime për gjithçka, e studionte etnokulturën në kompleks. Rrok Zojzi është i pari në historinë e etnologjisë shqiptare që hartoi anketa e pyetësorë për probleme të veçanta të etnokulturës e i shpërndau në tërë viset e Shqipërisë, sidomos ndër arsimtarë, e janë marrë përgjigje sipas fakteve të terrenit. Por pavarësisht punës së pakrahasueshme, Zojzi ka qenë përherë i përndjekur prej biografisë, e cila regjimit diktatorial i linte shumë për të dëshiruar. Në biografinë e familjes numëroheshin pushkatime, arratisje e burgosje, megjithatë ai i kishte vënë për fund të gjitha këto vetëm me punë.
Pati intelektualë të nivelit të dijes bashkëkohore që e përkrahën dhe e vlerësuan punën e tij shkencore, po pati jo pak partiakë që e nëpërkëmbën, e keqtrajtuan, e penguan në punë, e ulën moralisht e nuk e lanë të ecte përpara. Kontaktet e diskutimet me të huajt, në shumicën e rasteve, kanë qenë për të, mollë e ndaluar. Ka pasur ftesa për veprimtari shkencore nga Italia, Franca, Gjermania e Rumania, gjithnjë me shpenzime të palës pritëse, por asnjëherë nuk u lejua të shkojë, si njeri me cene biografike. , duke shtuar se gjatë viteve 70- 80 ka pasur 30 ftesa për në Prishtinë, po as atje nuk u lejua.
Sipas Mark Tirtës, edhe një herë që u lejua të shkonte në Suedi, vetëm falë ndërhyrjes së Nexhmije Hoxhës. Megjithatë shkencëtarët e huaj e kanë vlerësuar shumë punën e Zojzit, të cilët jo rrallë herë e kanë cituar në studimet e tyre. Ai ka lënë një pasuri të tërë studimesh e materialesh burimore. Shumë syresh janë të botuara në formën e studimeve e në revista të ndryshme, të cilat nuk janë përbledhur në ndonjë botim të vetëm, ndërsa të tjera janë të pabotuara e ruhen në arkivat e Institutit të Kulturës Popullore dikur. Duke u bërë pre jo rrallë herë edhe e vjedhjeve prej pseudostudiuesve, që i kanë paraqitur ato si studimet e tyre.
Zojzi është i pari që ka mbledhur në mënyrën më të gjerë të drejtën kanunore të Labërisë, që deri sot mbeti pa u sitemuar e pa u botuar e për më keq, duke u shfrytëzuar nga njëri e nga tjetri me kriter e pa kriter – thotë Tirta, duke shtuar se e njëjta gjë ka ndodhur edhe me monografinë e tij të pabotuar për Gjeçovin, materialet e së cilës janë përdoruar pa iu referuar emrit të Zojzit. Përndjekje, shfrytëzim, e harrim.