Kosovë, mbahet tryeza “Pakicat në Kosovën e pavarur”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Zyra e Kryeminsitrit përmes Zyrës për Çështje të Komuniteteve që nga fillimi i qeverisjes ka punuar në mbështetjen e komuniteteve pakicë në vend
Me rastin e 15-vjetorit të ditës së shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka organizuar tryezë me temë “Pakicat në Kosovën e pavarur”, raporton Anadolu.
Në këtë aktivitet morën pjesë, ndër të tjerë, kryeministri Albin Kurti, ministra dhe deputetë të komuniteteve, ambasadorë, si dhe mysafirë nga Bosnja dhe Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Zyra e Kryeministrit përmes Zyrës për Çështje të Komuniteteve që nga fillimi i qeverisjes ka punuar në mbështetjen e komuniteteve pakicë në vend.
Kurti tha se tha se Qeveria ka lansuar platformën kombëtare për raportimin e rasteve të diskriminimit ndaj komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, ndërsa ka mbështetur organizata dhe media për aktivitete të ndryshme që lidhen me pakicat.
Ai tha se Zyra e Kryeministrit ka përkrahur 123 projekte për biznese të vogla dhe start up-e për komunitetet joshumicë në vend, “mes tyre 48 për komunitetin serb, 27 për komunitetin boshnjak, 21 për komunitetin egjiptian, 10 për komunitetin ashkali, 5 për komunitetin goran dhe 4 për komunitetin rom”.
“Kemi ndarë 96 grante për organizata dhe projekte nga të cilat përfitojnë komunitetet joshumicë”, theksoi Kurti.
Tutje ai tha se universiteti është bërë falas për të gjithë në nivelin baçelor dhe master, ndërsa programet mësimore lëndore janë përkthyer në turqisht dhe boshnjakisht derisa në proces përkthimi janë edhe në serbisht dhe anglisht.
Zëvendëskryeministrja Emilja Rexhepi theksoi se Kuvendi i Kosovës, me vetë aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ka vendosur që të garantojë të gjitha të drejtat dhe mbrojtjen e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.
Ajo tha se Kushtetuta e Kosovës, e miratuar pas shpalljes së pavarësisë, njeh komunitetin shqiptar, serb, boshnjak, turk, rom, egjiptian, ashkali dhe goran dhe në Kosovë jetojnë edhe pjesëtarë të komunitetit malazez dhe kroat.
Rexhepi rikujtoi se në nivelin qendror në Kosovë, gjuhët zyrtare janë shqipja dhe serbishtja, ndërsa boshnjakishtja, turqishtja dhe gjuha rome janë zyrtare në nivelin lokal. Megjithatë, siç tha ajo, zbatimi i ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe shkronjave në praktikë është shumë i dobët dhe ende nuk ka hapësirë të mjaftueshme në media për komunitetet joshumicë.
“Punësimi në nivel qendror dhe lokal, si dhe pjesëmarrja e personave profesionistë dhe ekspertë në menaxhimin e sektorëve të rëndësishëm në shtetin dhe diplomacinë tonë, ky ka qenë problemi ynë i përgjithshëm për 23 vjet, por të gjitha këto çështje shpesh janë në agjendën e qeverisë sonë, gjë që më jep shumë shpresë se qeveria po i afrohet seriozisht zgjidhjes së disa problemeve tona të akumuluara prej dekadash”, tha Rexhepi.
Duke folur për punën e kësaj qeverie, ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, theksoi se janë duke punuar në organizimin e kthimit të parë urban të serbëve të dëbuar.
“Kjo nuk është diçka ad-hoc, është një proces afatgjatë dhe është mënyra e vetme, e justifikuar dhe e mundshme për të bërë një ndryshim nëpërmjet përpjekjeve të përbashkëta”, tha Rashiq.
Ai shtoi se një nga projektet e planifikuara është themelimi i Këshillit të Miqësisë Shqiptaro-Serbe.
Ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, theksoi se komuniteti turk ka kulturë dhe histori të përbashkët me komunitetet e tjera në Kosovë, është i integruar mirë në shoqërinë kosovare dhe kontribuon në zhvillimin e shoqërisë.
/AA