Bazilika Paleokristiane e Elbasanit: Një monument i harruar pranë qendrës së qytetit
Në qytetin e Elbasanit që prej vitit 2007 dolën në dritë rrënoja të një objekti kulti, përcaktuar si “Bazilika Paleokristiane Extra-muros”. Pavarësisht gërmimeve arkeologjike të shpeshta, monumenti pret dokumentimin e plotë dhe kthimin në të vizitueshëm.
Pranë qendrës së qytetit të Elbasanit, përbri pedonales dhe fshehur pas një lulishte, duken rrënojat e një bazilike paleokristiane. Ajo doli për herë të parë në dritë në vitin 2007 dhe ngjalli interesin e studiuesve dhe vizitorëve të qytetit.
E njohur edhe si “Bazilika Paleokristiane Extra-muros në Elbasan”, në të janë gjetur shtresa të një mozaiku në sipërfaqen e godinës dhe fragmente mozaiku parietal (mural).
E gjendur nën hijen e “Rrapit të Bezistanit”, rrënojat e bazilikës përfshihen brenda Zonës Arkeologjike A të riskut arkeologjik. Ajo kategorizohet si Monument Kulture i Kategorisë së Parë.
Rasti i Bazilikës Paleokristiane u raportua në një thirrje të hapur nga Media Amfora për raste të dëmtimit të trashëgimisë kulturore. Heldi Kodra shkruajti se institucionet nuk po mbajnë premtimet për ta kthyer në një destinacion turistik, kaq shumë të dëshiruar.
“Bazilika është atraksion mjaft i favorshëm turistik, megjithatë i pa vizitueshëm, pasi është lënë në gjendje të mjerueshme nga ana e instancave vendore dhe qendrore”, shkruajti Kodra.
“Ndërkohë, pavarsisht premtimeve të bëra nga Ministria e Kulturës, prej vitesh nuk ka asnjë reagim”, shtoi i riu, duke dërguar edhe foto nga monumenti.
Sot institucionet e pushtetit vendor duket se përballen me sfida për kthimin e saj në të vizitueshëm.
“Projektet nga ana e bashkisë për ta kthyer në një destinacion turistik janë një diskutim i vazhdueshëm, pasi mozaikët e zbuluar janë mjaft delikatë dhe mund të rrezikohen nëse hapen për publikun e gjerë”, u shpreh për Median Amfora Edlira Krraba, specialiste e trashëgimisë kulturore në Bashkinë e Elbasanit.
Bashkia është një nga administruesit e monumentit arkeologjik dhe për mirëmbajtjen e saj deklaron se bashkëpunon me autoritete të tjera, si Ministria e Kulturës, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Korçë dhe strukturat e tjera vendore.
Ndër investimet për monumentin në vitin 2018 nga ana e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Durrës u restaurua tabela informuese e tij, që u dëmtua në vitin 2020.
“Sot nuk ka tabelë informuese të monumentit, por është në proces një projekt për sinjalistikën e trashëgimisë kulturore dhe turistike, i cili përfundon në qershor të vitit 2022 për qytetin Elbasan, duke përfshirë edhe bazilikën”, tha Gjergji Koki, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Korçë.
“Për mirëmbajtjen dhe ndërhyrjet e pastrimit ka patur bashkëpunim të ngushtë edhe me bashkinë Elbasan, kryesisht për sistemimin dhe pastrimin e territorit përreth”, shtoi Koki për Median Amfora.
Sipas tij gërmimet arkeologjike kanë nisur në vitin 2010 dhe kanë vijuar pothuajse çdo vit, teksa institucionet e kulturës kanë realizuar punime mirëmbajtjeje, pastrimi të mozaikëve dhe ndërhyrje studimore.
Bazilika Paleokristiane e Elbasanit është përfshirë në guidat turistike të bashkisë dhe vizitohet nga nxënësit e shkollave në qytet, ndërkohë që për pushtetin vendor shihet si një mundësi mjaft e mirë për tu kthyer në një destinacion turistik.
“Në mars të vitit 2018-të nga ana e IKTK [Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore] është realizuar dhe prezantuar një projekt për kthimin e monumentit në një destinacion turistik”, përfundoi Gjergji Koki, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Korçë.
Projektet e restaurimit për monumentet e kulturës janë të shumta, por shumica e tyre duket se kanë mbetur në sirtarët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.
________
Media Amfora fton herë pas here të apasionuarit dhe të gjithë qytetarët që të raportojnë mbi raste konkrete që lidhen me trashëgiminë kulturore dhe arkeologjinë, duke dhënë informacione apo plotësuar pyetësorët që publikohen në faqe. Klikoni KËTU dhe ndiqni lajmet tona rreth raportimeve tuaja apo plotësoni pyetësorët që ne publikojmë për “Raportimin e Qytetarëve të Angazhuar”.
Foto në krye: Një ekip specialistësh të trashëgimisë kulturore duke vijuar dokumentimin e monumentit në tetor 2018. Foto: Media Amfora.
/https://www.amfora.al/bazilika-paleokristiane-e-elbasanit-nje-monument-i-harruar-prane-qendres-se-qytetit/