Në Shqipëri do të testohet lidhja e telefonave drejtpërdrejtë me satelitët

Në Shqipëri do të testohet lidhja e telefonave drejtpërdrejtë me satelitët

AKEP i ka dhënë operatorit autorizim të përkohshëm 120-ditor për të provuar teknologjinë D2D në Shqipëri. Testet do të përdorin telefona të zakonshëm, pa pajisje shtesë satelitore, por shërbimi ende nuk është lançuar për përdorim të përgjithshëm.

One Albania do të testojë lidhjen e telefonave celularë drejtpërdrejt me satelitët e SpaceX, në kuadër të bashkëpunimit mes grupit hungarez 4iG dhe kompanisë amerikane. Për këtë qëllim, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) i dha operatorit autorizim të përkohshëm për përdorimin e një blloku prej 2×5 MHz në brezin 2600 MHz. Vendimi u miratua më 29 tetor dhe autorizimi vlen për 120 ditë.

Provat do të kontrollojnë nëse rrjeti celular i One Albania mund të integrohet teknikisht me sistemin satelitor Direct-to-Device (D2D) të SpaceX. Në këtë teknologji, telefoni lidhet drejtpërdrejt me satelitin në orbitë të ulët, pa pasur nevojë për antenë apo terminal satelitor të veçantë.

Sipas dokumentit të AKEP-it, testimi do të zhvillohet në të gjithë territorin e Shqipërisë me një numër të kufizuar pajisjesh dhe karta SIM të posaçme për provën. Në autorizim përmenden, ndër të tjera, iPhone 14 Pro dhe Samsung Galaxy S26 Ultra, të dy telefona të zakonshëm pa modifikime harduerike. Kjo nuk do të thotë se shërbimi është tashmë i disponueshëm për të gjithë pajtimtarët apo se çdo model telefoni do të mund të lidhet me satelitët.

Për përdoruesit, synimi i teknologjisë është të ofrojë lidhje në zona ku sinjali tokësor është i dobët ose mungon, si në terrene malore apo larg qendrave të banuara. Në fazën e parë, 4iG e përshkruan Starlink Mobile si shërbim për mesazhe dhe aplikacione bazë. Komercializimi në Shqipëri dhe Hungari do të varet nga kushtet rregullatore, teknike dhe tregtare.

Marrëveshja parashikon edhe një fazë të ardhshme me Starlink Mobile V2, që do të përdorë spektrin 2 GHz dhe synon të mundësojë kapacitete më të larta të komunikimit satelitor. Sipas planit të 4iG, kjo teknologji synohet të shtrihet në Shqipëri, Hungari, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut. Ende nuk është bërë e ditur një datë për nisjen e shërbimit komercial në Shqipëri.

Prev Post

Kalimet e parregullta bien në…

Next Post

Korrik-shtatori sjell më shumë lindje,…

post-bars

Leave a Comment