Ngrohja po ndryshon “moshën” e ujërave të Paqësorit

Ngrohja po ndryshon “moshën” e ujërave të Paqësorit

Një studim i ri tregon se ndryshimet klimatike mund të bëjnë që disa ujëra të Paqësorit të plaken më shpejt, ndërsa zona të tjera mund të bëhen relativisht më të reja.

Studiuesit nga Universiteti i Kalifornisë në San Diego përdorën një model të thjeshtuar të qarkullimit oqeanik për të parë se si ngrohja globale mund të ndikojë në temperaturën, oksigjenin dhe lëvizjen e ujërave gjatë 100 viteve të ardhshme. Rezultatet, të publikuara në revistën AGU Advances, nxjerrin në pah një ndryshim të pazakontë në shtresat e sipërme të thella të Paqësorit.

Në oqean, “mosha” e ujit lidhet me kohën që ai ka kaluar pa u rikthyer në sipërfaqe. Gjatë kësaj periudhe, oksigjeni i tretur konsumohet nga organizmat detarë, bakteret dhe reaksionet kimike. Meqë uji më i ngrohtë mban më pak oksigjen, ngrohja e oqeaneve mund të përshpejtojë këtë proces.

Efekti nuk është i njëjtë në të gjithë Paqësorin. Në pjesën subtropikale të Paqësorit Verior, përzierja me ujërat më të rinj dhe më të freskët nga sipër pritet të ngadalësohet. Si rezultat, këto ujëra mund të bëhen më të vjetra dhe më të varfra në oksigjen.

Në zonat tropikale ndodh e kundërta. Aty qarkullimi ndikohet më shumë nga ujërat më të vjetra që vijnë nga shtresat më të thella. Ngadalësimi i këtij qarkullimi mund të bëjë që ujërat tropikale të bëhen relativisht më të reja.

Sipas studiuesve, një pjesë e këtij ndryshimi lidhet edhe me ngrohjen e Oqeanit Jugor pranë Antarktidës, e cila mund të ndikojë në qarkullimin e ujërave në distanca të mëdha.

Studimi nuk analizon drejtpërdrejt pasojat për ekosistemet, por studiuesit paralajmërojnë se Paqësori Verior mund të përjetojë ndryshime të rëndësishme në kushtet e jetesës për organizmat detarë. Për një tablo më të plotë, kërkohen modele më të detajuara që të marrin parasysh edhe ndryshimet e erërave dhe faktorë të tjerë klimatikë.

Prev Post

Nga një ndalesë turistike në…

Next Post

Studimi 18-vjeçar: Kur nis menopauza…

post-bars

Leave a Comment