Shqipëria ndër vendet europiane me rënien më të madhe të numrit të fëmijëve
Një raport i fundit i Bashkimit Europian mbi zhvillimet arsimore në Europë tregon se Shqipëria renditet ndër katër vendet me rënien më të madhe të numrit të fëmijëve të moshës 0-5 vjeç. Kjo rënie është mbi 20% gjatë periudhës 2013-2023 dhe vihet re edhe në Estoni, Finlandë dhe Itali.
Sipas analizës së BE-së, kjo tendencë nuk kufizohet vetëm në këto vende, por është një dukuri e gjerë në të gjithë Europën, e cila po përballet me një plakje të popullsisë. Ndërkohë që jetëgjatësia është rritur ndjeshëm, numri i lindjeve ka rënë në mënyrë të ndjeshme. Në fillim të vitit 2023, në Bashkimin Europian jetonin rreth 25 milionë fëmijë nën moshën 6 vjeç, një rënie prej 2 milionësh krahasuar me një dekadë më parë. Sipas parashikimeve, kjo prirje do të vazhdojë, me një reduktim të mëtejshëm prej rreth 1 milion fëmijësh deri në vitin 2030.
Pavarësisht rënies së numrit të fëmijëve, popullsia e përgjithshme e BE-së ka qenë në rritje. Kjo situatë mund të ndikojë në mënyra të ndryshme: nga njëra anë, nevojat e fëmijëve mund të marrin më pak vëmendje, por nga ana tjetër, disa vende po e përdorin këtë trend si një sinjal për të ndërmarrë politika që synojnë rritjen e lindshmërisë.
Të dhënat e BE-së tregojnë se financimi për arsimin parashkollor si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) ka pasur një rritje të lehtë në shumicën e vendeve. Në vitin 2014, mesatarja e shpenzimeve publike për fëmijët nën 6 vjeç në BE ishte 0,67% e PBB-së, ndërsa në vitin 2021 kjo shifër u rrit në 0,71%.
Rritja më e ndjeshme e investimeve për fëmijët është regjistruar në Gjermani, Estoni, Letoni, Lituani, Zvicër dhe Islandë. Suedia dhe Islanda janë vendet që investojnë më shumë në këtë sektor, duke shpenzuar mbi 1.6% të PBB-së së tyre për fëmijët. Në kontrast, Shqipëria, Irlanda, Greqia, Qiproja dhe Turqia janë ndër vendet që shpenzojnë më pak, me më pak se 0.3% të PBB-së.
Në lidhje me rënien e numrit të fëmijëve, Italia dhe Spanja kanë përjetuar uljen më të madhe, me mbi 700,000 fëmijë më pak krahasuar me vitin 2013. Ndërkohë, Franca dhe Turqia kanë shënuar një rënie prej 550,000 dhe 515,000 fëmijësh për të njëjtën periudhë.
Megjithatë, jo të gjitha vendet kanë përjetuar këtë tendencë. Në disa vende, numri i fëmijëve ka mbetur i qëndrueshëm gjatë dekadës së fundit, si në Danimarkë, Qipro, Hungari, Sllovaki dhe Suedi.
Ndërkohë, disa shtete kanë parë një rritje të ndjeshme të numrit të fëmijëve. Në Gjermani, për shembull, popullsia e fëmijëve të moshës 0-5 vjeç është rritur me 18% midis 2013 dhe 2024. Luksemburgu dhe Malta kanë regjistruar një rritje prej 13.3% dhe 10.5%, ndërsa në Austri dhe Zvicër numri i fëmijëve është rritur përkatësisht me 9.9% dhe 8.4%.
/monitor.al