Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 OKB: Afër 70 për qind e të vrarëve në Gaza janë gra dhe fëmijë

OKB: Afër 70 për qind e të vrarëve në Gaza janë gra dhe fëmijë

Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka bërë të ditur se pothuajse 70 për qind e të vrarëve në konfliktin e vazhdueshëm të Gazës janë gra dhe fëmijë, duke e quajtur këtë një “shkelje sistematike të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare humanitare”.

Zyra e OKB-së publikoi shifrat në një raport prej 32 faqesh, i cili mbulon periudhën 6-mujore nga nëntori i vitit 2023 deri në prill të vitit 2024.

Ajo tha se zyra ka verifikuar detajet personale të atyre që u vranë në Gaza nga sulmet, bombardimet dhe sjelljet e tjera armiqësore, nga të cilat “ka zbuluar se afër 70 për qind janë fëmijë dhe gra, që tregon shkelje sistematike të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare humanitare, duke përfshirë dallimin dhe proporcionalitetin”.

Sipas zyrës së OKB-së, vazhdimi i këtyre sulmeve, duke vrarë pa dallim gjithë popullsinë “demonstron një indiferencë të dukshme ndaj vdekjes së civilëve dhe ndikimit të mjeteve dhe metodave të zgjedhura të luftës”.

“Është thelbësore që të ketë llogari në mënyrën e duhur në lidhje me pretendimet për shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare përmes organeve gjyqësore të besueshme dhe të paanshme dhe që ndërkohë të mblidhen dhe ruhen të gjitha informacionet dhe provat përkatëse”, tha Volker Türk, shefi i OKB-së për të drejtat e njeriut.

Sipas analizës së detajuar, rreth 80 për qind e viktimave janë vrarë në ndërtesa banimi apo banesa të ngjashme, nga të cilat 44 për qind fëmijë dhe 26 për qind gra.

Viktima më e re, vdekja e së cilës u verifikua, ishte një djalë një ditësh dhe viktima më e moshuar ishte një grua 97-vjeçare.

“Monitorimi ynë tregon se ky nivel i paprecedentë i vrasjeve dhe plagosjeve të civilëve është pasojë e drejtpërdrejtë e dështimit për të respektuar parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare humanitare, përkatësisht parimet e dallimit, proporcionalitetit dhe masave paraprake në sulm”, tha Türk.

Ai kërkoi që dhuna duhet të ndalet menjëherë, pengjet dhe të arrestuarit arbitrarisht duhet të lirohen dhe që fokusi duhet të jetë vërshimi i Gazës me ndihma humanitare.

Izraeli ka vrarë të paktën 43 mijë njerëz në Gaza që nga 7 tetori i vitit 2023 nga grupi palestinez Hamas. Të gjitha përpjekjet për një armëpushim të përhershëm kanë dështuar deri më tani.

 

/aa

Prev Post

Vjosa Osmani, njëra nga presidentet e para në botë, që e uron Trumpin për fitoren

Next Post

Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshon urdhërarrest për kryeministrin izraelit dhe ish-shefin e mbrojtjes

post-bars

Leave a Comment