“Logu i Bjeshkëve” më 11 gusht kurorëzon “të bukurën e Malësisë”
Nga Albert Vataj
Më 11 gusht 2024, ora 10:00, në Qafën e Predelecit, Kelmend, rikthehet “Logu i Bjeshkëve”. Kurorëzimi i së bukurës së dheut në “festën e traditës”, do të mrekullojë Lëpushën, Kelmendin e krejt magjinë e bjeshkës, me hiret e vajzave, me madhështinë e xhubletës me gazmendin e festës. Zgjohet nga përjetësia e vjen i hyjt këtu mes maleve shpirti i kremtes, përmbushja e amanetit të të parëve, vijimësia e traditës.
“Nën tingujt e instrumenteve shekullore, me zërin e mrekullueshëm të artistëve të mirënjohur, me valle tradicionale dhe me paraqitjen dinjitoze të vajzave konkurrente, ju ftoj të bëheni pjesë e këtij manifestimi të madh tradicional-kulturor.” shkruan kryebashkiaku i Malësisë së Madhe në rrjetet sociale, Tonin Marinaj, i cili fton të gjithë në këtë manifestim të madh të traditës, në këtë bashkëpjesmarrje dhe përjetim që vjen me vajzën malësore, për t’i treguar të sotmes dhe brezave, se sa i pasur ishte dhe ka mbetur shpirti ynë këtu mes maleve, se ç’farë bukurie të kristaltë sjell malësorja e stolisur me xhubletën, se pse ne meritojmë të jemi të përqafuar prej kësaj bujarie të mëkimit të traditës.
I rikthyer nga kohë e largët, ky event që zhvillohej çdo vit, që nga vitin 1998, të shtunën e dytë të muajit Gusht në fshatin Lepushë të Kelmendit, në vendin e quajtur Qafa e Predelecit.
Edhe këtë vit, kjo ngjarje bashkon malësorët nga gjithë bota në “Log”; për të kuvenduar, kërcyer, kënduar dhe për të gjetur më të bukurën zanë të e zanave të malësisë.
Kësisoj do të përcjellin atë magji unike të malësore, duke e shënjuar këtë përvojë si një privilegj të përjetimit dhe pasurimit të momenteve shpirtërore.
Malsia e Madhe përmes “Logut të Bjeshkëve”, u rrëfen të gjithëve atë që ka qenë dhe do të mbetet në shekuj e shtrenjtë dhe e çmuar, amanetin e ruajtur thellë në gjirin e këtyre maleve dhe në shpirtin e këtyre njerëzve të mrekullueshëm, të thesarit të traditës, të hirit hyjnor të malësores.
/ KultPlus.com