111 vjet më parë, Traktati i Londrës përcaktoi kufijtë e Shqipërisë
Më 29 korrik 1913 u nënshkrua Traktati i Londrës, pjesë e Konferencës së Amabasadorëve të zhvilluar gjatë viteve 1912-1913.
Në Konferencën e Ambasadorëve nuk u njoh vetëm pavarësia e Shqipërisë por u zyrtarizua edhe ndarja përfundimtare e kufijve shqiptarë. Vendimet e Konferencës së Ambasadorëve, ndonëse vulosnin dështimin e planeve shoviniste të shteteve dhe qeverive fqinje për copëtimin e plotë të Shqipërisë, gjithsesi vendosën që fillimisht të shkëpusnin nga trungu shqiptar, Kosovën dhe tokat e Shqipërisë Lindore, që sot quhen Maqedonia Perëndimore. Më pas u diskutua dhe fati i trojeve në jug, si Çamëria.
Kjo konferencë erdhi si nevojë e zhvillimeve të ndodhura gjatë ndryshimeve të ekuilibrit të forcave, të dalë nga luftrat ballkanike. Kufijtë e Shqipërisë dhe të gjitha çështjet e tjera lidhur me të, do të zgjidheshin nga Fuqitë e Mëdha sipas marrëveshjeve midis palëve. Ku më të fituar dolën shtetet fqinje që ishin më “afër” Evropës, dhe Shqipëria u copëtua gjeografikisht, dhe populli shqiptar që mbeti jashtë kufijve do të vuante në dorën e armikut.
Perandoria Osmane, e cila deri atëherë kishte mbrojtur kufijtë e Shqipërisë dhe kishte ruajtur traditat dhe integritetin shqiptar, ishte dobësuar për shkak të frymave shekullariste perëndimore që po e sulmonin nga brenda. Shqipëria dhe fati i qytetarëve të saj do të bëhej pjesë e kësaj rrokopuje dhe produkt i një harte që do të prodhonte ndër vite veç tensione, duke lënë rreth 40 për qind të territorit të saj jashtë këtij ridimensionimi të Ballkanit.