Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Xhamia e Beqarëve në Berat

Xhamia e Beqarëve në Berat

Xhamia e Beqarëve ose Xhamia e Sulejman Pashës është një monument i trashëgimisë kulturore. Ky monument është i llojit “Arkitekturë”, i miratuar në vitin 1961. Xhamia e Beqarëve është një monument i kategorisë së parë me vlera të shumta arkitekturore dhe përfaqëson një arritje të lartë në nivelin e ndërtimit të objekteve të kultit në Berat.

Ajo ngrihet në pjesën e poshtme të lagjes Mangalem në terren të pjerrët prandaj rezulton me gjysmëkat. Ajo përbëhet prej dy vëllimesh nën të njëjtën çati, vëllimi kryesor në anën jugore, që ka një portik tri arkadash, tri galeri në pjesën e poshtme dhe hajati me arkada në anën veriore. Kati përbëhet nga salla e lutjeve dhe hajati apo portiku i hapur. Në sallën e lutjeve hyhet nëpër portik nga një rruginë në nivel më të ulët se dyshemeja e vetë portikut. Kjo ndodhet brenda një portali me gurë të gdhendur që ka mbi portë një dritare drejtkëndëshe. Në planimetri salla e lutjeve është drejtkëndëshe, me përmasa 114-11,25 x 9,63-s10,0m. Salla, pas ndërhyrjeve restauruese, është mbuluar me tavan të riformuar. Salla ndahej në dy pjesë nëpërmjet një arkade treshe mbi dy shtylla druri. Në faqen jugore gjendet mihrabi si nike me prerje gjysmërrethi.

Salla e lutjeve është e shtruar me rrasa guri. Ajo ndriçohet me dritare të vendosura në dy radhë, në të katër faqet anësore. Të gjitha dritaret e radhës së poshtme janë drejtkëndëshe dhe të mbuluara me arkitrarë druri, ndërsa dritaret e sipërme, janë të mbuluara me hark gjysmërrethi në anën e jashtme dhe me arkitra të rrafshët në brendësi. Dy çifte dritaresh ka në krahun jugor në të dy anët e mihrabit, nga tre çifte në faqet lindore dhe perëndimore dhe katër dritare ajo veriore, në të dy anët e portës së hyrjes për në sallën e hitjeve.

Portiku në anën veriore shtrihet më tepër se sa muri verior i sallës së lutjeve, dukuri që e kemi parë dhe në xhaminë Mbret po në Berat, ku krijohet një mjedis shtesë për faljen e besimtarëve. Po për këtë arsye një mihrab i dytë është krijuar në faqen e murit verior të sallës së lutjeve. Kështu, hajati qarkohet me arkada të plota nga anët veriore, lindore dhe perëndimore, dhe me harqe të veçantë në anën jugore, në pjesët ku lidhet vëllimi i sallës së lutjeve me arkadat. Në anën veriore arkada përbëhet prej 6 harqesh që mbështeten në dy pilastra, të cilat kanë formën e shkronjës “L” dhe pesë kolona. Në këtë anë ndodhet dhe hyrja për në portik. Arkada lindore përbëhet nga dy harqe, që mbështeten në dy pilastra dhe një kolonë, ndërsa arkada perëndimore ka tre harqe, duke përfshirë hajatin dhe një dritare të sallës së lutjeve e duke arritur deri tek bazamenti i minares.

Kolonat, të përbëra prej rrotullash guri, mbështeten mbi bazamente guri në formën e trungut të piramidës. Kapitelet mbi to, janë në forma pak më të zhvilluara. Harku, që mbështetet drejt e në kolonat, është në formë gjysmërrethi, i ndërtuar me gurë të skuadruar, të vendosur sipas rrezeve, pak më brenda faqes së murit mbi të. Ai qarkohet nga një hark tjetër më i ngushtë me gurë të vendosur sipas perimetrit.

Minarja ngrihet mbi bazamentin prizmatik dhe trupi i saj i ulët është shumëfaqësh e me kanelyra. Mbi të kemi kazanin e nxjerrë konsol ndaj trupit, nëpërmjet tullash dhëmbësharre që dalin ndaj njëra-tjetrës.

Pjesa nën kat e xhamisë në anën jugore është në formën e një portiku tre pjesësh, ndërsa në anët e tjera, e mbyllur dhe sipas terrenit. Faqja jugore dhe pjesa mbi harqet e vegjël anësore të portikut është ndërtuar me gurë të gdhendur e me fuga të holla ndërmjet tyre. Muret e tjerë janë ndërtuar me gurë të papunuar, të nxjerrë në formacione shtresore. Pjesa me gurë të gdhendur ndahet nga pjesa mbi të, që i takon sallës së lutjeve, nëpërmjet një kornize guri. Të gjitha muret e tjerë (me përjashtim të portikut) janë të suvatuar dhe pikturuar me motive blloqesh kuadratik të rregullt. Kiel me të drejt mendon se kjo mënyrë zbukurimi që imiton muraturën, e njëjtë me atë të xhamisë së sulltan Bajazitit II-të, ndihmon për të gjetur dhe datën e rindërtimit të saj. Me interes është zbukurimi i pjesës së sipërme, nën strehë, i mureve të sallës së lutjeve me pikturë murale. Ky brez është i ndarë në panele të veçantë të zbukuruara me motive bimorë dhe peizazhe me pamje qyteti.

Piktura murale është aplikuar dhe në brendësi të sallës së lutjeve, e organizuar në dy breza horizontalë në pjesën e sipërme të mureve. Piktura, që paraqet pamje të sajuara qytetesh, ndërtesa e xhami si dhe zbukurime me motive bimore, me panele të veçantë e rrallë ndërtesa. Me përsëritjen e motiveve të përafërta, piktura luan një rol jo të vogël në njësimin e brendësisë dhe perceptimin më të lehtë të saj.

Xhamia e Beqarëve është një ndërtim me vlera arkitekturore dhe me një vendosje interesante në ansamblin e lagjes dhe në terrenin e pjerrët. Në pamjen e jashtme ajo shquhet për vëllimin masiv dhe minaren e ulët, arkadën e përparme që, së bashku me pjesën mbi të, me gurë të gdhendur, është në rolin e një bazamenti për vetë xhaminë. Interesante është dhe vendosja e brezit të pikturuar nën strehët, që kurorëzon vëllimin e ndërtesës, duke vlerësuar më tepër dekorin. E parë në tërësinë e zgjidhjes arkitektonike ajo afrohet së tepërmi me arkitekturën popullore, duke u bërë pjesë e ansamblit. Gjithashtu me vlerë është dhe portiku me arkadat e tij, që fut një notë interesante në tërësinë e rrugicave dhe shtëpive pranë.

 

Prev Post

Instituti i Gjeoshkencave: Cilat janë qytetet më të prekura nga tërmetet në Shqipëri?

Next Post

Studim: Kriza klimatike po i bën ditët më të gjata

post-bars

Leave a Comment