Hoxhë Hasan Tahsini, (1811 – 1881) rilindës, atdhetar, filozof dhe matematikan, shqiptar
Hoxhë Hasan Tahsini mendimtar, astronom, matematikan e filozof shqiptar, nga Ninati I Çamërisë u lind në 7 prill 1811.
Ka qenë rektori i parë i Universitetit të Stambollit dhe njëri nga themeluesit e Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare.
Hoxhë Tahsini mbahet si njëri nga mendimtarët më të mëdhenj të Perandorisë Osmane në shekullin e 19.
Më 1870 u emërua rektori i parë i të porsathemeluarit Universitet të Stambollit ku dha leksione fizike, astronomie dhe psikologjie. Qeveria e emëroi aty duke besuar se Tahsini do të barazpeshonte metodat dhe idetë e Evropës Perëndimore me botëkuptimin islam. Por në atë kohë, kërkimi shkencor, qëndrimet liberale dhe marrëdhëniet e pandehura të Tahsinit me masonerinë provokuan sulme të rretheve konservatore të ulemave ndaj tij. Sulmet kundër Tahsinit nisën kur ai filloi të bënte eksperimente për t’u ilustruar nxënësve nocionin e vakumit. Gjë për të cilën u shpall heretik me një fetva, i pushuar nga universiteti dhe iu pamundësua që të jipte mësim. Universiteti mbylli për një periudhë sepse Xhemal al-Din Afgani, një tjetër profesor, mbështeste idetë e Tahsinit.
Tahsini shkruajti të parin traktat psikologjie në osmanisht të titulluar Psikologjia ose Shkenca e Shpirtit, një vepër e frymëzuar nga modernizmi dhe i pari libër që përmbante fjalën psikologji. Shkruajti gjithashtu të parin libër për astronominë moderne, duke qenë edhe libri i parë i shkencës popullore në osmanisht. Tjetër vepër e Tahsinit në gjuhën osmane është përkthimi i librit Loi Naturelle (shq. Ligji Natyror) i François de Chassebœuf. Së bashku me Sami Frashërin, ai hartoi një alfabet të veçantë për gjuhën shqipe. Sipas Tahsinit, alfabeti ishte hartuar me qëllimin që secila gërmë të shkruhej me sa më pak lëvizje të dorës.
Ka lënë disa përkthime të veprave shkencore për fizikën dhe shkencat filozofike, dhe disa poezi, “por askush nuk është kujdesuar për mbledhjen dhe botimin e tyre” shkruan Samiu.
Pas largimit nga puna, për shkak të titullit shkencor që kishte, shteti i caktoi një pension. Më vonë u vendos në një medrese të vogël të braktisur përballë Portës së Lartë dhe e përdori si vend banimi dhe mësimi, duke zhvilluar kurse private. Ndërkaq, vazhdoi të thellohej në studimin dhe leximin e veprave dhe të librave shkencorë të shumtë që kish mbledhur. Nuk u martua dhe nuk u mor në jetë me tjetër gjë përveç shkencës.
Ndërroi jetë në moshën 70 vjeçare nga sëmundja e mushkërive në 3 Korrik 1881, u varros në varrezat e Erenkojit.
Jetëshkrimi dhe veprimtaria
I ati i tij, Osman efendi Rushiti, – njëri prej të diturve në sulltanatin osman, – ishte nga fshati Ninàt, ndërsa për vet të ndjerin h. Hasan Tahsini, në asnjë nga burimet e kohës, të gjetura deri më sot, nuk shënohen as vendlindja e as datëlindja e tij. Bashkëfshatarët: Faslli Nuri Cenia, Merso Birbil Xhafo Kasimi, Musa Shero Musa Sherifi dhe mësuesi Qemal Ismail efendi Mudêja më kanë thënë se Osman efendiu, familjen e mbante përherë pranë vetes, në vend-emërimet me detyrë dhe se të bijtë i mësonte vetë. Rrjedhimisht, mos-gjetja e shënuar në ndonjë dokument e vendlindjes dhe e datëlindjes. vjen nga mungesa e amëzës së shkollës fillore dhe asaj të mesme. Shemsuddin-Sami Frashëri, nxënësi i tij më i afërt shkroi, dijetari vdiq në moshën 70 vjeç, e dhënë kjo e rrumbullakosur, pa përmendur burimin ku e gjeti. Ndërsa Lemì Elbìri në “Ajllëk Ansiklopedisì”, (Nr. 51, Istambul, korrik 1948, fq. 1486), shkruan se Hasan Tahsini lindi në vitin 1813. Datëlindjen e tij s’ e përcakton me përpikëri as akademiku enciklopedist, Mahmut Kemal Inali, Ky, në veprën e vet “Son Âsër Tyrk Shairlerì”,(Vjershëtarë turq të qindvjeçarit të fundit), Cüz: X, Istambul 1970, fq. 1833, shkruan: “Tahminen 1813 (1228 H.) de Çamlëk dahilinde Filât kazasë köylerinden birinde dogdu”: (Hamendësisht lindi më 1813 (1228 H.) në njërin prej fshatrave të n/prefekturës së Filatit të Çamërisë). Deri kur ushtria osmane shembi shtetin gjysmë të pavarur të drejtuar nga Ali Pashë Tepelena (janar 1822), –pra, kur ai ishte rreth 10 vjeç, – qëndronte pranë të atit, me shërbim në Prévez. Nga ai vit e deri në vitin 1831 kur shembën edhe vilajetin shqiptar të Shkodrës, Tahsini qëndroi në Shkodër, ku i ati i tij qe marrë në shërbim nga Mustafa Pashë Bushati. Kjo gjë Osman Efendiun e detyroi të zbriste në Berat, ku e emëruan myfti të qarkut (Mytesarrëfllëkut). Në Ninat Hoxha Tahsini shkoi kur i vdiq i ati, ku doemos që iu desh të merrej me bujqësi, si tërë bashkëfshatarët e vet. Mirëpo, në kokën e tij vlonin gjykime të tjera. Pas rreth tre muajsh, i vëllai, hoxhë Malìqi, – që i dalloi synimet e tij, – një ditë nga ditët i tha: “Pa pse mo vllâ të ka ngënë sorra trùt e të ka marrë koka êr. Kërkon të marriç sît e tû e të veç prapa diellit. Ne kemi mâll e gjë më shumë nga të tërë. Pse do që t’u ktheç krehet e të humbeç në anë të dun-jâs?!”. Hasani iu përgjigj qetë-qetë: “U do vete për kërkim nëpër udhën e glatë për të gjetur diturì, atë që e bën njeriun njerì…Mallin e gjërin t’i kam falur, me bâr e me gjethe”. (I. D. Hoxha, “Hoxhë Hasan-Tahsin Efendiu”, T., 1998, fq. 13-14). M. K. I. thotë edhe: “Evvelâ babasëndan taallüm etdì. Sonra Istanbul’a geli”. (Së pari, u stërvit nga i àti, pastaj erdhi në Stamboll). Pra, meqë mësimet e para i pati marrë nga i ati, – kur qe drejtor arsimi në qarqe e kur ishte myfti, – vetëkuptohet se i ka munguar amëza shkollore.
Prof. Gostivàras, i ndjeri Hasan Kaleshi, në veprën e vet “Kontributi i Shqiptarëve në Dituritë Islamike” (Rijàd, 1412 H (1992, fq. 70) shkruan: “Lindi më 1812”. Pleqësia e Shoqatës Kulturore Shqiptaro-Turke “Hasan-Tahsini”, në një mbledhje të posaçme, pasi shqyrtoi çdo burim të shkruar dhe gojor, pranoi si të dhënën më bindëse atë të prof. H. Kaleshit. Në Stamboll ai shkoi në moshë të pjekur, ndoqi mësimet në medresenë “Fatih”. Ku, ngaqë shkëlqente, drejtori-dijetari me emër, hoxhë Mustafa ef. prej Vidìni¹– i dha edhe mësime të veçànta dhe cilësimin: “Tahsin” (I pëlqyeshëm, i lëvduar, shembullor). Andej e mbrapa u quajt me emrin e përngjitur: “Hasan-Tahsin”. Si mirënjohje dhe falënderim për mësuesin dhe vlerësuesin e vet, vdekjen e dije-dhënësit të tij, hoxhë Hasan-Tahsin efendiu e përjetësoi me këta vargje: U shkrua me lotët e Tahsìnit: vdiq dijetari filozof prej Vidìnit. Në përfundim të studimeve, Tahsinin e emëruan muderriz (mësimdhënës) të filozofisë dhe të matematikës në po atë medresé.