Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Festa “Tava e krapit” në Shkodër, ndërthurje e traditës me turizmin

Festa “Tava e krapit” në Shkodër, ndërthurje e traditës me turizmin

Shkodra përjetoi atmosferë festive ndërsa u zhvillua festa e “Tavës së krapit”.

Kjo festë përbën risi në Shkodër dhe solli një ndërthurje të traditës me turizmin dhe artizanatin, mjeshtrisë e kulturës qytetare në përgjithësi, me gatimin tipik shkodran, të “Tavës së krapit”.

Ministri për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin postoi në rrjetet sociale momente nga kjo festë:

“Një festë e re me theks traditat, e cila solli në vëmendje gatimin lokal Shkodran, duke sjellë së bashku aktorët e komunitetit, që nga ambientalistët e liqenit të Shkodrës, varkapunuesit, peshkatarët, fermerët e zonës, që ofrojnë e prodhojnë ushqimet e këtij gatimi, të rinjtë e përfshirë në arsimin profesional të kuzhinës dhe të turizmit, si dhe shumë vizitorë turistë”, shkroi Gonxhja.

Shkodra këtë sezon turistik ofron paketë të plotë si me vizitat historike dhe kulturore ashtu edhe në argëtim.

Shumë vetë kanë dëgjuar për Tavën Shkodrane të Krapit. Shumë të tjerë sapo u ka rënë rruga në Shkodër kanë patur dëshirë ta provojnë atë. Ka nga ata që kanë ngelur të kënaqur ka nga ata që edhe jo. Madje  edhe në qytete të tjera, përveç Shkodrës është eksperimentuar të gatuhet një tavë e tillë, por mjeshtrit e vërtetë të gatimit të saj nga Shkodra thonë se ajo çdo gjë mund të jetë, vetëm jo një tavë shkodrane e krapit.

Por çfarë ka të veçantë kjo gjellë dhe pse shkodranët e kanë mbajtur dhe e mbajnë atë për  një  lloj krenarie?!

Shkodra njihet si pjesë e Ballkanit dhe si e tillë edhe në artin e kulinarinë ka dominuar kuzhina orientale. Kjo kuzhinë ka si të veçantë të asaj kohe se dominojnë yndyrnat dhe salcat e ndryshme. Në këtë familje gjellësh futen edhe tava e krapit shkodrane. Thuhet shkodrane sepse ajo ka të veçantat e veta me shumë gatime të ndryshme që bëhen si në Shkodër ashtu edhe në disa qytete të tjera. Ajo ka një recetë krejt të veçantë si në sasinë ashtu edhe në llojet e asortimentëve të saj që kanë lidhje direkt me zonën e Shkodrës.

Kjo tavë e ka zanafillën e saj që me lindjen dhe zhvillimin e pazarit të Shkodrës, ku akshijtë (guzhinierët siç quheshin në atë kohë) e zhvilluan përpunimin e peshkut në përgjithësi dhe të krapit në veçanti. Një ndër pionerët dhe gatuesi më i mirë i Tavës Shkodrane të Krapit njihet Cuk Marku, i cili në lokalin e tij gatuante vetëm Tavë Krapi dhe asgjë tjetër. Njerëzit vinin nga të gjitha lagjet e qytetit për të ngrënë Tavën e tij në pazarin e vjetër, pranë Urës së Bunës. Për shkodranët Tava e Krapi ishte një lloj mburrje pasi vetë Krapi është ndër peshqit i veçantë që kultivohet në liqenin e Shkodrës.

Në tryezat dhe gostitë e ndryshme familjare në Shkodër tryeza nuk ishte e plotë në rast se nuk kishte të servirur Taven e Krapit. Për madhështinë dhe historinë e saj ka shumë ndodhi nga jeta e gatimit dhe e servirjes së tij. Koka e krapit zakonisht i servirej njeriut më të rëndësishëm të tavolinës, në shenjë dallimi si dhe mikut më të rëndësishëm në shenjë respekti. Kaq shumë është  respektuar një traditë e tillë sa që në vitet ’30, shkodranët mbajnë mend se në një tavolinë burrash si ishte zakoni, serviret tava e Krapit, por të zotët e shtëpisë ishin në siklet se kujt t’ia jepnin krytin e Krapit. Kur e kanë parë se asnjë nga të ftuarit  si dhe i zoti i shtëpisë nuk po vendosnin dot atëherë njëri nga personat e kamur të qytetit të Shkodrës u drejtohet burrave në tavolinë: “I fali dy ditar tokë atij që ma jep mua krytin e krapit”, – dhe i zoti i shtëpisë nuk hezitoi për t’ia dhënë, duke fituar kështu tokën e premtuar në sy të burrave të sofrës.

Prev Post

“Save the Children”: Afro 21 mijë fëmijë janë të zhdukur në Gaza

Next Post

Indeksi Gallup: Shqiptarët janë më të stresuarit në rajon

post-bars

Leave a Comment