Hyrja e NATO-s në qershor të 1999-s ishte fuqi e solidaritetit ndërkombëtar
Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë solemne me rastin e 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës më 12 qershor 1999.
Në këtë seancë morën pjesë mysafirë të shumtë, përfshirë përfaqësuesin e familjes Jashari, Rifat Jashari, presidentin shqiptar Bajram Begaj, ish-presidenti kroat Stipe Mesiq, ish-përfaqësuesi i OSBE-së gjatë luftës në Kosovë, William Walker, kryeparlamentarja e Shqipërisë, Lindita Nikolla, përfaqësues fetarë dhe ambasadorë të vendeve mike.
Seanca filloi me intonimin e himnit shtetëror dhe atij kombëtar ndërsa më pas u mbajt edhe një minutë heshtje për të gjithë të rënët që kontribuuan në çlirimin e Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, para të pranishmëve tha se Kosova e meriton anëtarësimin në NATO, 25 vjet pas çlirimit me ndihmën e NATO-s. Ajo tha se çlirimi i Kosovës në vitin 1999 nuk ishte thjesht fitore ushtarake e NATO-s dhe kapitullim i Serbisë, por edhe triumf i shpirtit njerëzor mbi tiraninë dhe i të mirës mbi të keqen.
“Hyrja e NATO-s në qershor të 1999-s ishte fuqi e solidaritetit ndërkombëtar dhe besimit universal të një populli për të qenë i lirë. Liria është më shumë se sa fjalë. Është thelbi i qenies sonë. Ajri që e thithim, ëndrra që guxojmë ta ëndërrojmë. E ardhmja që aspiruam dhe për të cilën luftuan e dhanë jetën çlirimtarët tanë”, ka thënë Osmani.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj tha se në ditë si kjo e çlirimit, kujtohen familja Jashari dhe gjithë luftëtarët e ushtrisë çlirimtare, derisa shtoi se për lirinë e Kosovës luftuan edhe shumë shqiptarë nga Shqipëria.
Begaj tha se “ne kemi nevojë më shumë se kurrë që të jemi bashkë”.
“Në një kohë kur Serbia dhe aleatët e saj kanë mobilizuar kapacitet diplomatike, mediatike, një fushatë krejtësisht keqdashëse, për të njollosur luftën e drejtë dhe parimore të shqiptarëve për çlirimin e Kosovës, ne kemi nevojë më shumë se kurrë të jemi bashkë. Kemi nevojë më shumë se kurrë për një manifest krenarie kombëtare që nuk ka pse të na kompleksojë”, theksoi Begaj.
Kryeministrii Kosovës, Albin Kurti tha se më 12 qershor të vitit 1999, dhjetëra dhe mijëra trupa ushtarake të NATO-s filluan ta kalojnë kufirin dhe të futen si trupa këmbësorie në territorin e Kosovës, pas një fushate 78 ditore të bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavinë për të ndalur gjenocidin mbi shqiptarët.
Kurti tha se Kosova e ka synim Bashkimin Evropian si familje politike, e NATO-n si destinim ushtarak.
“Nga kjo histori duhet të nxirren mësime e kjo kuptohet nga rreshtimi gjeopolitik e gjeostrategjik. Serbia po rri e rreshtuar kah Rusia, si Rusia që qëndron prapa qëndrimeve të Serbisë. Populli ynë e Shqipëria në vazhdimësi i kanë forcuar lidhjet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) e me vendet e tjera evropiane. Bashkimi Evropian është familja e synuar politike, e NATO-ja destinimi ynë ushtarak”, ka deklaruar Kurti.
Kreu i ekzekutivit është shprehur para të pranishmëve se Kosova dëshiron marrëdhënie të mira e njohje reciproke me vendet fqinje “pa sulme e agresione”.
Sot, 25 vjet pas zbarkimit historik të NATO-s në Kosovë, rreth 5.000 trupa të tyre vazhdojnë të kontribuojnë në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt në Kosovë në kuadër të KFOR-it. Numri i tyre është zvogëluar vit pas viti, bazuar në vlerësimet e situatës së sigurisë. /AA