Parku Kombëtar i Vjosës, eksperienca të paharrueshme nga soditjet në natyrë, deri tek rafting
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau momente nga lumi Vjosa, ku adhurues të sporteve ujore gjejnë oaz freskie dhe mundësi për rafting.
“Çdo ditë e më shumë vizitorë eksplorojnë Parkun Kombëtar të Vjosës për eksperienca të jashtëzakonshme nga soditjet në natyrë deri tek rafting dhe sportet e aventurës”, u shpreh Kumbaro.
Sipas saj, me përkujdesje ndaj turistëve dhe vizitorëve janë stafet e AdZM Gjirokastër për të siguruar informimin mbi këtë park, por edhe parqet e tjera përreth, si ai i Bredhit të Hotovës-Dangëlli dhe Zagorisë.
“Shqipëria është një zinxhir perlash që duhen zbuluar”, shprehet Kumbaro.
Vjosa fillon në Greqi si Aoos, përpara se të kalojë në Shqipëri, duke gjarpëruar nëpër male dhe në fund të arrijë në detin Adriatik.
Gjatë rrugës, ajo kalon nëpër fusha të blerta dhe përgjatë shpateve malore duke krijuar kanione mbresëlënëse, ishuj rëre dhe kthesa të mrekullueshme.
Bukuria dhe domethënia e lumit e kanë fituar emrin “Zemra Blu e Evropës”.
Në 13 mars 2023 lumi i Vjosës, i fundit i egër në Europë, u shpall nga qeveria shqiptare “Park Kombëtar”, kategoria e dytë e mbrojtjes, që është shumë më e lartë nga ajo që kishte deri një vit më parë, thjesht “Park Natyror”.
Në 13 qershor 2022 u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe organizatës amerikane “Patagonia” për nisjen e punës së përbashkët për ta shpallur Vjosën “Park Kombëtar”.
Ndërkohë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Fondacioni Patagonia, IUCN dhe UNESCO vijojnë turin e konsultimeve publike në qarqet Fier, Vlorë dhe Gjirokastër mbi miratimin e “Planit të Integruar të Menaxhimit për Parkun Kombëtar Lumi Vjosa”.
/atsh