Furnizimi me ujë i Tiranës për 25 vitet e ardhshme, projektimi i rrjetit të ri
Arritja e objektivit të furnizimit me ujë 24 orë për Tiranën kërkon përmirësim të thelluar në infrastrukturë për t’iu përgjigjur zhvillimeve demografike që ka marrë dhe vijon të marrë kryeqyteti.
Shoqëria e Ujësjellës-Kanalizimeve në Tiranë së fundmi po kërkon një kompani që do të hartojë “Studim Projektim në rrjetin hidrik të Qytetit të Tiranës në Njësitë 1,2,3,4,5 dhe Drejtorit Rajonale” dhe që do të ketë në thelb kryeqytetin e 25 viteve të ardhshme, sipas një masterplani të hartuar më herët.
Referuar dokumenteve që shoqërojnë procedurën që ka një fond limit 310 milionë lekë, apo rreth 3 milionë euro, nënvizohet se bazë për projektimin do të jetë studimi afatmesëm i Zhvillimit Teknik dhe Strategjik i Materplanit të Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë UKT sh.a.
“Baza e strukturës së shërbimit të paraqitur dhe rekomanduar më poshtë është një rrjet i qytetit me presion të lartë, duke përfshirë një tubacion të ri me diametër të madh me gjatësi 41 km dhe tubacioneve ekzistuese të rinovuara me gjatësi 10 km” thuhet në dokumentin e UKT.
I njëjti përmbledh se si pjesë e strategjisë 25 vjeçare kompania planifikon të zgjerojë kapacitetin e saj të prodhimit në mënyrë që më në fund të heqë dorë nga ato të puseve të saj që konsiderohen të rrezikshme.
“Sipas llogaritjeve tona, megjithatë, investimet e planifikuara mezi sigurojnë ujë të mjaftueshëm për operimin 24 orësh me puset në fjalë të mbajtur në veprim. Rezervat e kapaciteteve duhet të vendosen në një mënyrë që edhe në një periudhë verore me konsum të lartë duhet të mbetet një rezervë prej 15-20%.
Nëse ky vëllim rezervë është zvogëluar, kapaciteti rezervë që duhet ndërtuar duhet të jetë në gjendje të mbuloje kërkesën për ujë në orët e pikut” thuhet në dokument.
Për të dalë në konstatime mbi modelet dhe investimet më të përshtatshme për kryeqytetin UKT nënvizon se janë kryer edhe simulime.
“Pas simulimit të modeleve 72 orëshe ne sugjerojmë që të ndërtohen 2 rezervuarë me kapacitet prej 15 000 m3 dhe një rezervuar me kapacitet 2 000 m3.
Kërkesa për këta rezervuarë nuk do të shfaqet menjëherë, megjithatë, me futjen e furnizimit me ujë 24 orësh dhe me eliminimin e rezervuarëve ekzistues me një kapacitet total prej përafërsisht 90 000 m3 në terma afatgjatë, bën që ndërtimi i tyre do të bëhet i pashmangshëm.
Njëkohësisht me ndërtimin e rrjetit të transmisionit janë 2 rezervuarë me kapacitet prej 7 500 m3 secili i sugjeruar në zonën e Partitar-it që së pari do të jete e nevojshme për të siguruar funksionimin e duhur të sistemit. Statusi aktual i modelit sugjeron që kapaciteti 400 m3 i rezervuarit të Brigadës është i pamjaftueshëm dhe do të duhet të zgjatet me të paktën 600 m3 shtesë në të ardhmen” thuhet në dokument.
Gjetja e një zgjidhje të përshtatshme për furnizim me ujë pa ndërprerje parashikon që të eliminojë në këtë formë vendosjen e depozitave që janë një masë që përdoret nga qytetarët për të siguruar ujë në çdo kohë.
“Shumica e qytetit aktualisht kanë furnizim me ujë me ndërprerje. Konsumatorët kompensojnë këtë orar operacional duke instaluar depozitat e tyre dhe pompat me shpejtësi të ndryshueshme në sistemin e tyre të brendshëm.
Meqenëse nuk garantohet që tubat të jenë nën presion gjatë gjithë kohës, rreziku i përkeqësimit të cilësisë së ujit dhe rreziku i kontaminimit është shumë i lartë” pranon UKT./N.Maho/Revista Monitor