Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 “Biznesi” i humbjes së peshës

“Biznesi” i humbjes së peshës

Si këshillat në rrjete sociale për humbje peshe kanë nxitur kërkesën për medikamentin e diabetit Ozempic. Bota tani po përballet me mungesën e tij dhe po preken pacientët që vërtet e kanë jetësore. Në Shqipëri nuk është i regjistruar zyrtarisht, por përdoret duke u blerë në vendet e rajonit ose përmes hyrjes kontrabandë. Paralel me këtë situatë, po lulëzon gjithmonë e më shumë biznesi i humbjes së peshës…

Nga Deada Hyka për Revistën Monitor

Termi “post-Ozempic” është në trend dhe po përdoret gjithnjë e më shumë në mediat sociale, pasi po përdoret edhe nga VIP-at kudo në botë. Kilogramë të tërë të humbur falë këtij medikamenti për diabetin dhe kërshëria për ta përdorur, është e lartë.

Me dhjetëra personazhe të njohur folën hapur për trendin e rënies në peshë nga Ozempic, duke e shndërruar ilaçin në “trendin e momentit”. Kështu, disa muaj përdorimi të “kursejnë” para dhe kohë me dieta dhe palestër.

Në dhjetor të vitit 2017, FDA (Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave) miratoi përdorimin e këtij medikamenti për trajtimin e diabetit të tipit 2. Pra, Ozempic është një bar relativisht i ri, i cili doli në treg në vitin 2018.

Megi Gj., 34 vjeçe, është një nga të shumtat vajza që ka arritur të humbasë peshën që kërkonte falë këtij medikamenti. Ajo peshonte rreth 85 kg kur nisi përdorimin e tij në fillim të vitit 2023.

Duke e kombinuar këtë medikament me aktivitet të rregullt fizik, arriti rezultatin e dëshiruar brenda 6 muajve, në një kohë ku po humbiste vullnetin përballë shumë kilogramëve pas dy lindjeve.

“Lexova që Ozempic funksiononte për të rënë nga pesha. Arrita ta merrja nga jashtë vendit, në Greqi, nëpërmjet të afërmve të mi dhe nisa ta përdorja rregullisht, një herë në javë ose katër herë në muaj, për rreth 6 muaj.

Ilaçi të jep ndjesinë e ngopjes, sikur shuan ato zërat në kokë që të thonë të hash vazhdimisht.

Për më pak se 6 muaj, humba 20 kg në peshë”, – tregon Megi, e cila pohon që e ka ndalur përdorimin por po ushtrohet më shumë fizikisht në këtë periudhë.

Nga të dhëna të marra nga përdorues në vendin tonë, si dhe konstatimit në terren, ilaçi Ozempic shitet në klinika estetike, ku çmimi i këtij medikamenti varion nga 120 – 250 euro në muaj, në varësi të dozave dhe mund të merret edhe pa përshkrimin e mjekut për t’u dobësuar.

“Monitor” mësoi se ka 3 lloje dozash, 0.25 mg, 0.5 mg dhe 1 mg dhe secila ka kosto të ndryshme, duke pasur parasysh fortësinë e veprimit.

Ndërsa në një deklaratë të Agjencisë së Barnave bëhet e ditur se nuk është i regjistruar si medikament në Shqipëri.

Efekt zinxhir

Kërkimet në Google për Ozempic janë në rritje, duke sinjalizuar një dëshirë të pangopur për të mësuar më shumë rreth efekteve të tij të papritura dobësuese.

Fakti që shumë njerëz janë të gatshëm t’u nënshtrohen injeksioneve të rregullta dhe efekteve anësore potencialisht të pakëndshme, në emër të përshtatjes në një standard të ngushtë të trupit është shqetësues.

Mjekët japin alarmin

Mjeku endokrinolog, Florian Toti, thekson se është e domosdoshme të kryhen studime të mëtejshme për Ozempic.

“Është një medikament i ri, që ende nuk i dihen efektet negative dhe pozitive. Kohët e fundit në botë është folur për një tendencë në rritje te një pjesë e pacientëve, të cilët kanë përdorur Ozempic, për tentativë vetëvrasjeje, ose të paktën për mendime në lidhje me vetëvrasjen.

A është kjo një gjë e lidhur me Ozempic, që ky ndryshim i ndjenjës së urisë bën te këta persona, kjo kërkon studime më të hollësishme”, argumenton mjeku.

“Duke qenë se po përdoret pa kriter për rënie në peshë, por nga persona që nuk kanë çrregullime të karbohidrateve, që nuk kanë prediabet apo diabet, ndodh që ky medikament dhe të ngjashmit e tij të mos jenë disponibël për persona që e kanë trajtim të detyrueshëm, ose të vazhdueshëm” – thotë mjeku.

Ai shton se medikamenti ka ndikim negativ te njerëzit me prevalencë kanceri të tiroides, apo që kanë historik familjar në këtë drejtim.

“Në Shqipëri, Ozempic nuk është i regjistruar, nuk është në përdorim, nuk ka hyrë, pikërisht për shkakun që ju thashë. Ishte llogaritur që në fillim të vitit 2023 do të hynte në Shqipëri.

Por për shkak të mungesave që u krijuan në tregje të tjera, ku ai mund të gjendej deri në atë moment, kompania u detyrua që ta vazhdojë fokusin në ato vende që e kanë tashmë dhe këto vende që nuk e kanë përfshirë ende në përdorim.

Por gjendet, duke u blerë në tregje rajonale si Greqia dhe Serbia, ku farmacitë mund ta japin pa recetë”, shpjegon mjeku Toti.

Mjeku Florian Toti, njëherësh edhe kreu i Shoqatës së Diabetit konfirmon se ilaçi po josh edhe të mitur, që bien pre e rrjeteve sociale, sidomos TikTok.

Mjeku njëkohësisht bën thirrje të tregohet kujdes edhe nga qendrat estetike apo të dobësimit, që e rekomandojnë duke mos pasur në konsideratë efektet dhe tipologjitë.

Agjencia e Barnave: Nuk është në listë

Agjencia e Barnave thotë se Ozempic përdoret vetëm për pacientët me diabet dhe jo për të trajtuar rënien nga pesha.

“Indikimet terapeutike të barit Ozempic janë ato të miratuara nga Agjencia Europiane e Barnave (EMA) dhe paraqiten në Përmbledhjen e Karakteristikave të Produktit si më poshtë: Ozempic këshillohet për trajtimin e pacientëve të rritur kur diabeti melitus i tipit 2 nuk është mjaftueshëm i kontrolluar nga dieta dhe ushtrimet fizike.

Si monoterapi kur metformina konsiderohet e papërshtatshme për t’u përdorur si pasojë e papajtueshmërisë dhe kundërindikimeve me barna të tjera për trajtimin e diabetit”, thotë AKBPM.

“Nga të dhënat që disponon AKBPM, ky bar nuk është importuar ndonjëherë në vendin tonë, nuk është pajisur me pullën e kontrollit nga AKBPM dhe si rrjedhojë nuk mund të gjendet në farmaci.

Ky bar nuk është importuar gjatë viteve 2022 dhe 2023, si dhe nuk është evidentuar në asnjë nga subjektet farmaceutike, nga të dhënat që zotëron Agjencia”.

Shkëlqimi i biznesit të humbjes së peshës

Jeta moderne, rritja e punësimit, ndryshimi i balancave dhe angazhimet e shumta ka ndikuar në jetën e individit, duke i ndryshuar mënyrën e të ushqyerit.

Ndryshimi i stilit të jetës “ushqeu” lulëzimin e qendrave të dobësimit, të cilat po shohin ditë të mira dhe fitimprurëse.

Të dëgjosh për qendra dobësimi, qoftë me dieta apo metoda të tjera, nuk përbën më habi në vitin 2024. Ashtu sikurse nuk përbën më habi shtimi i numrit të dietologëve apo nutricionistëve në Tiranë, që më parë, konsiderohej një profesion i padëgjuar dhe i nënvlerësuar.

Enkeleida Ferrollari, dietologe prej shumë vitesh në Tiranë, pohon për “Monitor” se shqiptarët kërkojnë dy shërbime kryesore: kategoria e konsultës dietologjike, e cila përfshin vizitën, si dhe rekomandimet e shkruara për humbje apo marrje peshe.

“Ky është një shërbim më pak impenjativ, por më ekonomik, dhe u jep mundësi edhe atyre që kanë të ardhura ulëta”, – thotë znj. Ferrollari.

Ajo pohon se kërkesat për shërbimin janë rritur. “Jo vetëm për shërbimin e rënies nga pesha, por edhe për të marrë peshë dhe thjesht për ta ruajtur atë.

Është rritur numri i klientëve që kërkojnë shërbim për t’u ushqyer në mënyrë të shëndetshme dhe për të ruajtur parametrat e peshës dhe të shëndetit. Shfaqja e patologjive të ndryshme që lidhen me mënyrën e të ushqyerit i ka ndërgjegjësuar njerëzit, të cilët ndiejnë nevojën e një diete të shëndetshme”, – pohon znj. Ferrollari.

Sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i vdekjeve në Shqipëri. Prevalenca që një shqiptar të vdesë prej sëmundjeve kardiovaskulare është dyfishi i mesatares botërore të vdekjeve.

Sipas të dhënave më të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për çdo 100 vdekje në Shqipëri, 58 shkaktohen nga sëmundjet kardiovaskulare, 19 prej tumoreve, 4 prej diabetit, 3 prej sëmundjeve mendore, 1 prej infeksioneve në rrugët e frymëmarrjes, 1 prej aksidenteve rrugore dhe 10 prej shkaqeve të tjera.

Sipas dietologëve, një kategori që kërkon shërbimet e dobësimit janë njerëzit që vuajnë nga sëmundjet metabolike kronike: diabeti, sëmundjet kardiovaskulare.

Dr. Ferrollari thotë se personat që vuajnë nga këto dy sëmundje janë të prirë që të kërkojnë ndihmën e dietologut për një dietë strikte, për të përmirësuar shëndetin e tyre.

Forma alternative

Një tjetër zgjedhje që bëjnë shqiptarët, po në kontekstin e humbjes së peshës shpejt pa shumë sforco, është ajo e një palestre jo shumë aktive.

Me fjalë të tjera, kërkojnë rezultat me pak kohë, por me më shumë para. Ledia, një nga instruktoret në Body Code, tregon se është një ndër metodat më të preferuara për të humbur peshë.

“Fillimisht, ishin skeptikë, por pas seancës së parë të provës, nisnin të ndryshonin mendim. Një tjetër gjë që po ndryshon është edhe tendenca për të humbur peshë shpejt dhe kjo, më parë, kërkohej përpara sezonit veror”, -thotë ajo.

E pyetur për çmimet, Ledia tregon se seanca e parë e provës dhe e matjeve metabolike kushton 2500 lekë, ndërsa seancat e mëtejshme të stërvitjes janë me paketa 3-4-mujore (të pandashme) që fillojnë nga 300 euro.

Ata që e frekuentojnë janë mosha nga më të ndryshmet dhe sipas arsyeve të ndryshme. Për shembull, rasti i një vajze mbi 100 kg, e cila e kishte të pamundur të kryente stërvitje aktive.

Apo edhe persona të cilët kanë probleme me shtyllën kurrizore, probleme me legenin apo këmbët, që u ndalohet stërvitja intensive apo vrapi.

Metodat që ofron kjo qendër janë ndër më të kushtueshmet në treg, por që po shohin rritje të klientelës me kalimin e kohës. Ata pohojnë se periudha mars-qershor është piku i prenotimeve, ku dhe qendra është plot në të gjithë degët e saj.

Çfarë është Ozempic që po konkurron dietat e palestrat?

Një semaglutide, e cila është përbërësi aktiv në Ozempic, i përket një klase medikamentesh të quajtur agonistë GLP-1.

Këto komponime përsërisin një hormon që ne të gjithë e prodhojmë në zorrët tona, i cili lirohet pasi fillojmë të hamë. Semaglutide rrit çlirimin e insulinës në përgjigje të marrjes së glukozës dhe shkakton një vonesë të vogël në zbrazjen e stomakut.

Ai gjithashtu vepron në zonat e trurit të përfshira në rregullimin e oreksit dhe marrjes së ushqimit. Mjekimi gjithashtu e bën trupin tuaj më të ndjeshëm ndaj insulinës që prodhoni vetë.

Me fjalë të thjeshta ajo frenon oreksin dhe “mashtron” trupin që të ndihet i ngopur.

Kur prodhohet natyrshëm, hormoni që Ozempic imiton, na mban të ngopur vetëm për disa orë, ndërsa në formën e ilaçeve, ngopja vlerësohet për 24 orë

Biznesi i dobësimit do të lulëzojë për sa kohë obeziteti është sfidë

Në të dhënat më të fundit të publikuara, prevalenca e obezitetit në Shqipëri ka qenë në rritje. Sipas një studimi të publikuar në vitin 2020, në revistën shkencore “Global Health Action”, prevalenca e obezitetit ishte rreth 21.7% për burrat dhe 25.5% për gratë në Shqipëri.

Këto të dhëna tregojnë një nivel të lartë të prevalencës së obezitetit në popullatën shqiptare. Në Shqipëri, sipas vlerësimeve kombëtare që i takojnë një ankete të zhvilluar në popullatë në vitin 2018 nga INSTAT, gati 21.3% e popullsisë së rritur janë obezë (BMI më e madhe se 30 kg për metër katror).

Mirëpo një studim i fundit me të dhëna nga Harta Globale e Obezitetit tregon se Shqipëria do të ketë një prevalencë shumë më të lartë në vitin 2035, ku rreth 37% e të rriturve do të jenë mbipeshë e një rritje gati 16 pikë për qind në krahasim me vitin 2023.

Ky është një nivel i lartë, i konsideruar nga studimi alarmant dhe sidomos për fëmijët, ku rritja do të jetë më e lartë. Studimi tregon se obeziteti në Shqipëri deri në vitin 2035 te fëmijët do të rritet me 6.7% dhe te të rriturit me 2.6%.

Ukraina, Shqipëria dhe Bosnja kanë nivelet më të larta të obezitetit në Europë. Studimi global evidenton se çdo vend është i prekur nga obeziteti, por vendet me të ardhura më të ulëta kanë shfaqur rritjet më të larta në dekadën e fundit.

Studimi tregon se obeziteti në Shqipëri deri në vitin 2035 tek fëmijët do të rritet me 6.7% dhe tek të rriturit me 2.6%.

Ukraina, Shqipëria dhe Bosnja kanë nivelet më të larta të obezitetit në Europë.

Studimi global evidenton se çdo vend është i prekur nga obeziteti, por vendet më të ardhura më të ulëta kanë shfaqur rritjet më të larta në dekadën e fundit.

Asnjë vend nuk ka raportuar rënie të prevalencës së obezitetit dhe asnjë nuk po përmbush objektivin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për “mos rritje në nivelet e vitit 2010 deri në vitin 2025”.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka miratuar disa rregulla të reja me 2022 për të parandaluar menaxhuar dhe trajtuar obezitetin gjatë gjithë jetës.

Parandalimi dhe trajtimi i obezitetit kërkon investime financiare, por ndërkohë kostot e mostrajtimit janë edhe më të larta. Mbipesha dhe obeziteti do i kushtojë ekonomisë globale mbi 4 trilion dollarë të ardhura deri më 2035, gati 3% e PBB globale aktuale.

Vlerësimet për rritjen e vazhdueshme të prevalencës së obezitetit bazohen në tendencat e publikuara nga viti 1975 deri në vitin 2016.

Periudha nga viti 2020 deri në vitin 2022 ka rritur rrezikun e shtimit të peshës, pasi u kufizuan lëvizjet jashtë shtëpisë, duke përkeqësuar dietën dhe qëndrimin e ulur etj. Përveç kësaj, shumë sondazhe kombëtare dhe programet e matjes se peshës u ndërprenë.

Rritja e prevalencës së obezitetit, e cila duket se ka ndodhur veçanërisht te fëmijët, mund të jetë e vështirë për t’u kthyer, ndërkohë që pandemia e ka përkeqësuar më tej.

 

 

/monitor.al

Prev Post

Parku Arkeologjik i Amantias, qyteti antik në pritje të vizitorëve

Next Post

FMN: Inteligjenca Artificiale rrezikon 26-40% të vendeve të punës në vendet në zhvillim si Shqipëria

post-bars

Leave a Comment