Samiti arab në Bahrein: Armëpushim në Gaza dhe një konferencë ndërkombëtare për paqe
Samiti vjetor arab në Bahrein ka bërë thirrje për një armëpushim në Rripin e Gazës dhe për një konferencë ndërkombëtare të paqes në Lindjen e Mesme.
Kjo erdhi në një konferencë për media të mbajtur nga sekretari i përgjithshëm i Ligës Arabe, Ahmed Aboul-Gheit, të mbajtur në Manama pas samitit njëditor.
Aboul-Gheit tha se Deklarata e Manama-s përfshin një “thirrje për një armëpushim në Gaza dhe një konferencë ndërkombëtare të paqes në Lindjen e Mesme”.
Lufta e Izraelit në Rripin e Gazës dominoi agjendën e samitit, që u hap në kryeqytetin Manama të Bahreinit sot herët.
Izraeli vazhdon ofensivën e tij brutale në Rripin e Gazës pavarësisht rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkonte një armëpushim të menjëhershëm në enklavën palestineze.
Të paktën 35.200 palestinezë janë vrarë që nga fillimi i sulmit izraelit në Gaza në tetor të vitit të kaluar, shumica dërrmuese të cilëve kanë qenë gra dhe fëmijë, si dhe mbi 79.200 të tjerë janë plagosur.
Më shumë se shtatë muaj pas luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë në rrënoja mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për “gjenocid” në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të sigurojë që forcat e tij të mos kryejnë gjenocid dhe të marrin masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.
/AA