Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 UNICEF: Askund nuk është e sigurt për të shkuar 600 mijë fëmijët e qytetit Rafah

UNICEF: Askund nuk është e sigurt për të shkuar 600 mijë fëmijët e qytetit Rafah

Fondi Ndërkombëtar i Emergjencës për Fëmijë i OKB-së (UNICEF) ka deklaruar se 600 mijë fëmijë në qytetin Rafah nuk kanë “vend të sigurt për të shkuar”, duke paralajmëruar kundër zhvendosjeve të detyruara dhe sulmeve izraelite.

Agjencia e OKB-së lëshoi një deklaratë pas njoftimit të ushtrisë izraelite që bënte thirrje për evakuimin e disa lagjeve në pjesën lindore të qytetit Rafah, ku palestinezët e zhvendosur kanë kërkuar strehim.

“UNICEF bën thirrje për mbrojtjen e civilëve dhe infrastrukturës që mbështet nevojat e tyre themelore, si spitalet dhe strehimoret, nga sulmet dhe përdorimi ushtarak”, tha UNICEF, duke theksuar se qindra mijëra fëmijë jetojnë në Rafah.

Derisa situata humanitare po përkeqësohet në Gaza, UNICEF paralajmëroi për pasoja “katastrofike” të një sulmi ushtarak në Rafah për 600 mijë fëmijë, duke theksuar dendësinë e lartë të fëmijëve në rajon.

“Rafah është tani një qytet i fëmijëve, të cilët nuk kanë vend të sigurt ku të shkojnë në Gaza”, tha Catherine Russell, drejtoreshë ekzekutive e UNICEF-it.

Duke theksuar se “tani janë rreth 1.2 milionë njerëz të strehuar në Rafah”, Russell tha se, “Nëse fillojnë operacionet ushtarake në shkallë të gjerë, jo vetëm që fëmijët do të rrezikohen nga dhuna, por edhe nga kaosi dhe paniku në një kohë kur gjendja fizike dhe mendore tashmë është dobësuar”.

Duke cituar të dhënat e fundit, Russell tha se ka 78 mijë fëmijë nën moshën 2-vjeçare dhe 175 mijë fëmijë nën moshën 5-vjeçare, me 8 mijë fëmijë nën moshën 2-vjeçare që përballen me kequshqyerje akut dhe 65 mijë fëmijë me aftësi të kufizuara.

Sulmi tokësor në Rafah

Ushtria izraelite njoftoi se ka filluar sulmin tokësor ndaj rajonit Rafah dhe se ka marrë nën kontroll pjesën palestineze të pikës kufitare të Gazës drejt Egjiptit.

Në një deklaratë nga ushtria izraelite thuhet se në sulme njësitë e ushtrisë në lindje të Rafah u mbështetën nga divizioni 162 dhe brigada 401 e blinduar dhe se u mor nën kontroll pika kufitare Rafah e Gazës drejt Egjiptit.

Në anën palestineze të pikës kufitare që është rreth 3.5 kilometra larg Egjiptit është arritur kontroll i plotë, thuhet në deklaratën ku bëhet e ditur se në sulm u vranë 20 palestinezë.

Është transmetuar se ushtria izraelite shënjestroi me raketa disa ndërtesa në afërsi të pikës kufitare Rafah në jug të Rripit të Gazës dhe se ka kryer goditje me artileri në zonat pranë pikës kufitare Rafah dhe Kerem Abu Salem.

Al-Aqsa TV e cila njihet për afërsinë me Hamasin tha se ushtria izraelite ka kryer goditje intensive në anën palestineze të pikës kufitare Rafah.

Dëshmitarët që kanë folur për gazetarin e AA-së kanë thënë se avionët luftarakë izraelitë kanë kryer sulme në zonat pranë pikës kufitare Rafah.

– Hamasi miratoi propozimin për armëpushim

Shefi i Byrosë Politike të Lëvizjes Hamas, Ismail Haniyeh informoi Katarin dhe Egjiptin se miratoi propozimet e tyre në lidhje me marrëveshjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.

Pasi Hamasi tha se ka miratuar “propozimet e armëpushimit” që u përcollën nga Katari dhe Egjipti, Kabineti izraelit i luftës vendosi të vazhdojë sulmet në Rafah.

Ushtria izraelite në një deklaratë më 6 maj, kërkoi evakuimin e disa lagjeve në lindje të qytetit Rafah në të cilin janë strehuar palestinezët e zhvendosur me forcë.

Sipas lajmeve të Radios së Ushtrisë Izraelite, në zonën në lindje të Rafahut për të cilën kërkohet që të evakuohet, banojnë rreth 100 mijë palestinezë.

Migrimi i detyruar në lindje të rajonit filloi për shkak të shqetësimeve se ushtria izraelite do të nisë sulm tokësor në Rafah, në të cilin janë strehuar rreth 1.5 milionë palestinezë të zhvendosur.

Pika kufitare Rafah e Gazës është pika kryesore e kalimit për hyrjen e ndihmave humanitare dhe e vetmja pikë kalimi që përdoret nga palestinezët në Rripin e Gazës për të udhëtuar jashtë vendit.

Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 e deri më tani, 34.735 palestinezë, përfshirë të paktën 14.944 fëmijë dhe 9.849 gra janë vrarë ndërsa 78.108 të tjerë janë plagosur.

Ndërsa raportohet se nën rrënoja ka ende mijëra të vdekur, po shkatërrohet infrastruktura civile duke shënjestruar spitalet dhe institucionet arsimore ku është strehuar popullata.

BE thirrje për ndalimin e shitjes së armëve për Izraelin

Ministrja belge e Bashkëpunimit për Zhvillim, Caroline Gennez u bëri thirrje vendeve të Bashkimit Evropian (BE) që të ndalojnë shitjen e armëve për Izraelin, transmeton Anadolu.

Gennez para takimit të ministrave të Zhvillimit të BE-së tha se ndihma humanitare për Gazën duhet të rritet. “I bëj thirrje Komisionit Evropian të vazhdojë angazhimet dhe pagesat për Agjencinë e OKB-së për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA). Raporti i Grupit të Pavarur të Shqyrtimit ofron siguri të mjaftueshme për ta bërë këtë”, tha Gennez.

Ajo u bëri thirrje vendeve të BE-së të ndalojnë shitjen e armëve për Izraelin. “Mendoj se është koha për të ndaluar eksportimin e armëve në Lindjen e Mesme, Izrael dhe vendet në luftë”, tha ministrja belge.

 

/AA

Prev Post

Në shenjë kujtese 1992 – 1995| Bosnjë dhe Hercegovinë sot festohet Dita e Xhamive

Next Post

BE miratoi Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor

post-bars

Leave a Comment