“Dinjitet për punëtorët!”, protesta për 1 Maj para Kryeministrisë
Unioni i Sindikatave të Shqipërisë dhe Koalicioni Shqiptar për të Drejtat në Punë organizoi sot një tubim paqësor në mbrojtje të të drejtave të punëtorëve para Kryeministrisë në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.
Me pankartë në duar “Dinjitet për punëtorët”, të pranishmit në protestë ishin punëtorë të sektorëve të ndryshëm, përfaqësues të grupeve të ndryshme dhe organizatave në mbrojtje të punëtorëve.
“Flasim sot për drejtat e punëtorëve në fabrikat e këpucëve dhe veshjeve, a keni shkuar ndonjëherë aty? A i keni pyetur ato gra, a i keni pyetur nëse e marrin pagën minimale? Flasim për pagë minimale kur Evropa, madje edhe Ballkani flet për pagë cilësore, që të mundëson të paguash mjekun në fund të muajit, shportën me ushqime cilësore, jo ushqime të skaduara me ofertë nëpër markete. Për gratë të mos flasim më për pagën minimale, por të flasim për pagën e drejtë”, tha një nga pjesëmarrëset në protestë.
Më herët, Konfederata e sindikatave të Shqipërisë doli në protestë kundër largimit të të rinjve nga Shqipëria.
Me pankarta në duar dhe me valixhe si simboli i largimit, protestuesit kanë marshuar drejt Rinasit, vendi nga ku shumë të rinj largohen për të siguruar jetesën e tyre jashtë Shqipërisë.
Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve i ka gjetur dhe disa prej arsimtarëve në protestë për të kërkuar paga më të mira dhe përmirësim të kushteve të punës. Me pankartën “Nuk ka arsim cilësor pa mësues të mirëpaguar”, arsimtarët marshuan nga Muzeu Kombëtar në drejtim të Ministrisë së Arsimit.
Me megafon në dorë përfaqësuesit e Sindikatave ngritën zërin për mësuesit.”Zbatoni kontratën kolektive. Financoni arsimin publik. Pa financim të arsimit publik nuk kemi arsim cilësor. Do të përshkallëzojmë lëvizjen me protesta deri në greva të pjeshme dhe të përgjithshme” thanë ata.
Sindikata e Pavarur e Arsimit dhe Federata e Sindikatave të Arsimit ka zgjedhur që në Ditën e Punëtorëve të dalin në protestë për pakënaqësitë e mësuesve ndërsa njëzëri kërkojnë dyfishim të pagave me argumentin që ky profesion të zgjidhet nga maturantët, pasi degët e mësuesisë janë në rrezik.
“Duhet dyfishim i pagave që profesioni i mësuesit të bëhet profesion i kërkuar nga maturantët. Në degët e mësuesisë, në Elbasan, Gjirokastër, Shkodër, Korçë janë mbyllur fare. Degët e Matematikës, Fizikës, Kimisë, Biologjisë është një numër i vogël i studentëve që është i pamjaftueshëm për të zëvendësuar mësuesit që dalin në pension. E ardhmja e mësimdhënësve lë shumë për të dëshiruar”, tha një përfaqësues.
Arsimtarët kërkojnë rritje të buxhetit për arsimin, duke thënë se nuk mund të ketë kushte të mira pa një rritje të buxhetit.
“Ne kemi kërkuar që kryeministri të mbajë premtimin që buxheti për arsimin do jetë 5% e PBB. Kjo duhet zbatuar sa më shpejt të jetë e mundur, s’mund të ketë infrastrukturë, s’mund të ketë SMIP pa trajnuar mësuesit, s’mund të ketë laboratorë pa rritur buxhetin. Nëse s’do jetë 5% e PBB s’mund të ketë rritje pagash. Ne kërkojmë që profesioni i mësuesit të jetë i dëshiruar nga të rinjtë. Pa arsim cilësor s’mund të ketë të ardhme ky vend”, tha një përfaqësues i Sindikatës.
Mësuesit ngritën shqetësimin edhe për mbulimin e transportit, ndërsa kërkojnë edhe shpërblim në fund të vitit shkollor.
“E kemi përmirësuar udhëzimi për mbulimin e transportit, por mos të harrojmë se shuma që mësuesit paguajnë çdo ditë nuk përputhet me atë që i kompensohet. Pagesa përgjatë verës nuk jepet edhe përse mësuesit kërkohen për të plotësuar dokumentacionin.
Një buxhet i domosdoshëm për shpërblimin e mësuesit në fund të vitit”, thanë mësuesit.
Një grup minatorësh dolën para kryeministrisë ku kërkuan miratimin e statusit. Unioni i Sindikatave të Shqipërisë dhe Koalicioni Shqiptar për të Drejtat në Punë, mësuesit, punonjës të fasonerive, Sindikata e Psikologovë dhe Punonjësve Social, ish-minatorët kërkuan më shumë dinjitet.
/shqiptarja